E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojë me luftën e Kosovës

Nga Express më 04 qershor 2011 në ora 21:00

Në një kazermë ushtarake në Reichenhall të Gjermanisë, gjatë një dite të hapur për vizitorë, ditë më parë, janë inskenuar pamje dhe “lojëra” që imitonin luftën në Kosovë. E gjithë kjo nën praninë dhe mbikëqyrjen e oficerëve të Bundeswehrit.

Por, pasi çështja u bë publike, udhëheqja e ushtrisë gjermane ka filluar hetimet, raporton televizioni NTV dhe gazetat Tages Zeitung, Münchner Merkur etj., transmetoi Albinfo. Fëmijët mysafirë, nën drejtimin e ushtarëve malorë, kanë gjuajtur me pushkë ushtrimore në drejtim të maketeve të shtëpive të vogla prej druri.

Ushtarët kanë improvizuar pamjen e Mitrovicës, qytetit, i cili, siç shkruajnë mediat gjermane, ka qenë arenë e konflikteve të përgjakshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe nga viti 1999, me pjesëmarrjen e trupave të KFOR-it.

Në mesin e këtyre të fundit, pjesëmarrëse ka qenë edhe brigada e 23-të e malorëve nga Bad Reichenhall. Komanda Supreme e Bundeswehrit kritikon këtë ngjarje. Me këtë rast, një zëdhënës i saj ka thënë se “ndaj përgjegjësve të kësaj ndodhie do të zhvillohen procedura juridike dhe disiplinore”.

Sipas tij, me këto “lojëra”, përveç aspektit moral, janë shkelur edhe rregullat e qarta bazë që janë të vlefshme brenda ushtrisë gjermane.

“Njerëzit nën moshën 18-vjeçare nuk kanë të drejtë që në asnjë rrethanë të marrin në dorë armë në hapësirat që kontrollon Bundeswehri”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë gjermane.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›