Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Islam Dudaev në finalen për medaljen e artë në mundje

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev, është kualifikuar në finalen për medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, në kategorinë deri në 74 kilogramë, stili i lirë.
Dudaev zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në sallën sportive “Karol Wojtyla” në Martina Franca, duke fituar tri përballjet e tij në rrugëtimin drejt finales.
Në ndeshjen e parë, sportisti shqiptar mposhti kosovarin Egzon Xhoni me rezultatin 11-2, ndërsa në duelin e dytë triumfoi ndaj grekut Georgios Ioakeimidis me shifrat 10-0.
Në gjysmëfinale, Dudaev siguroi fitoren ndaj Mohammad Mottaghinia dhe preu biletën për finalen e madhe.
Në përballjen për medaljen e artë, Dudaev do të ketë përballë mundësin maqedonas Fati Vejseli, në një duel që do të përcaktojë kampionin e kategorisë -74 kg.
Pas medaljes së bronztë të fituar nga Ardit Zeneli, Islam Dudaev është tashmë sportisti i dytë shqiptar që siguron një medalje në Taranto, ndërsa synimi është medalja e artë për Shqipërinë.
/gj.m/r.e/ /a.g/