Lojërat Olimpike Speciale ; Edhe fëmijët e veçantë kanë ëndrra
Prej ditësh në muret e ndryshme të kryeqytetit është afishuar një poster i madh me mbishkrimin “Lojërat Olimpike Speciale”. Kur shikon këtë mbishkrim, një pjesë e njerëzve ndalen për të hulumtuar më tej se përse quhet “speciale”. Aktiviteti po mbahet nga data 8 deri në 10 tetor në qendrën sociale “Don Bosko” në Tiranë. Sot është dita e fundit, dita finale në të cilën do të ndahen çmimet përkatëse. Kurse ne ishim dje në ditën e dytë të zhvillimit të saj.
Aktiviteti
Dera ishte hapur për të gjithë personat që donin ta ndiqnin më nga afër aktivitetin. Ndonëse në atë orë të paktë ishin spektatorët. Të pranishëm ishin ata nën kujdesin e mësuesve dhe animatorëve socialë. Mesa duket fëmijët e veçantë do të jenë aktorët kryesorë të Lojërave Olimpike Speciale 2009. Të veshur me uniforma shumëngjyrëshe ishin ndarë në grupe të ndryshme për të marrë pjesë në lojërat që organizoheshin. Këtë vit lojërat ishin kryesisht futbolli, volejbolli, basketbolli, vrapimi etj. Një bilbil fishkëllen, njëri nga mësuesit thërret për të mbledhur fëmijët që do të marrin pjesë në lojën e basketbollit. Nis loja. Tek cepat e shkallës, një djalë me trup mesatar, flokë gështenjë, veshur me uniformë sportive blu bënte tifozllëk. I afrohemi dhe e pyesim për emrin. Me ndrojtje kthen përgjigje “Flori”, dhe sytë duket sikur i shkëlqejnë. 17-vjeçari Florian Velaj është nxënës në shkollën speciale me prapambetje të lehtë mendore në Vlorë. Rudina Meto mësuese në shkollën “P.L.M” thotë se Flori vuan nga prapambetje mendore e fizike e lindur. Aktualisht ai ndjek shkollën speciale për prapambetje të lehtë mendore në Vlorë. Sipas mësueses Rudina, Flori është nxënës që përvetëson mirë programin ndonëse ka vështirësi në aktivitete që kërkojnë mundim fizik, gjithashtu edhe në të shkruar. “Është nxënës me vullnet, në familjen e tij janë 4 fëmijë ky fëmijë është i vetmi me të tillë problem”, -shprehet mësuese Rudina Meto. Teksa flet me të, sytë e tij duket sikur të buzëqeshin, ti e pyet për shkollën, për mësuesit, prindërit.
Teksa bisedojmë me të, në telefon e merr gjyshja nga Vlora. E pyet si është si e kalon, me gjithë buzën në gaz ai tregon për lojërat, për dëfrimet që po bën. Ndonëse vetëm dy ditë larg shtëpisë, ka nisur ta marrë malli për familjen.
Hobet
Teknologjia duket se ka mbërthyer edhe Florin. Në shtëpinë e tij ai ka një kompjuter, në të cilin harxhon orë të tëra. I pëlqen të lozë lojëra të ndryshme, ndërkohë që edhe ushtrohet për të eksploruar botën e pashtershme të informatikës. Përveç lojërave virtuale, atij i pëlqen të angazhohet edhe në ato reale. Futbolli është shpirti i tij, aty duket sikur çlirohet. Teksa vrapon nëpër fushë si sulmues kërkon të japë maksimumin e mundshëm, edhe pse nuk arrin të shënojë ndonjë gol. Në rastin e tij edhe përpjekja është me vlerë.
Lëndët më të preferuara të Florit janë ato shkencore dhe kryesisht matematika. Mësuesja Rudina Meto tregon se Flori ka prirje për matematikë, gjatë kësaj ore ai i zgjidh të gjitha ushtrimet.
Shkolla
Një tjetër qytet pjesëmarrës në këto lojëra është edhe Shkodra me fëmijët e shkollës speciale “3 dhjetori”. Në grupin e fëmijëve nga ky qytet kanë ardhur 5 djem dhe 5 vajza. Mësuese Zana Koço thotë se në këto olimpiada kanë marrë pjesë gjithmonë. Madje, ajo tregon se vitin e kaluar nxënësja Valbona Selimi 16 vjeç ka fituar çmimin e parë në vrapim 80 m dhe 100 m, duke çuar në Shkodër dy kupa. Valbona tregon se nuk e priste çmimin. “Kënaqem teksa vrapoj. Aty duket se jam më mirë”, - shprehet nxënësja 16-vjeçare nga Shkodra. Madje edhe kur të rritet ajo dëshiron të jetë një atlete me famë. Sipas mësueses, Valbona ka integrim të plotë, ka evolucion të përparuar si dhe është nxënëse e mirë në mësime. Valbona është fëmija i vogël i familjes. Ajo është vajzë shumë e shkathët. Mësuese Zana tregon se në fillim kur Valbona erdhi në shkollë ishte shumë e ndrojtur, por me punën në shkollë dhe me ndihmën e prindërve ka dhënë rezultat në mësim dhe në aktivitete jashtëshkollore.
Jona Shkreli, 15 vjeçe, është një tjetër nxënëse e shkollës speciale të Shkodrës. Siç na tregon mësuesja e saj, Jona ka mangësi në zhvillimin psikomotor, krahun e majtë ka vështirësi në lëvizje, çfarë i shkakton edhe dhembje të shumta koke. Jona është një nga katër fëmijët e familjes. Në jetën e saj Jonës i mungon prezenca e babait, pas ndarjes nga jeta kur ajo ka qenë e vogël. Tanimë që është rritur, ajo ka marrë një pamje prej një vajze serioze dhe mjaft të mirë. Teksa na tregon se sa mirë po kalon në aktivitetet e olimpiadës, Jona rrëfen përshtypjet nga takimi me Presidentin z. Bamir Topi. Takimi me të për Jonën ishte një ëndërr e paimagjinueshme që u bë realitet. Në sytë e Jonës, z. Bamir Topi ishte kreu i shtetit, por nga dje përshtypjet kanë ndryshuar. Pasi Jona ishte një ndër fëmijët e përzgjedhur për të marrë pishtarin e olimpiadës. Me sytë të qeshur, Jona rrëfen emocionet. Ajo tregon se kreu i shtetit ishte njeri i thjeshtë, i dashur me fëmijët si dhe shumë i komunikueshëm.
Olimpiada
Mësueset e shohin si mjaft konstruktive pjesëmarrjen e këtyre fëmijëve në aktivitete të tilla. Sipas tyre, kjo ndikon në socializmin e tyre me të tjerët, argëtimin largimin nga monotonia e përhershme. Mësueset thonë se fëmijët kur marrin pjesë në të tilla aktivitete janë shumë më entuziastë, më të gëzuar. Pas kthimit nga këto lojëra, bisedat e para me miqtë e qytetit të tyre janë të fokusuara mbi udhëtimin në Tiranë. Olimpiada speciale ka qenë aktiviteti që ka mbledhur në qendrën sociale “Don Bosko” fëmijë me aftësi të kufizuara nga i gjithë vendi. Një ditë ku ata mund të ndihen të barabartë me fëmijët e tjerë, ku të argëtohen dhe merren me aktivitete sportive. Janë me qindra fëmijë me aftësi të kufizuara në vendin tonë, të cilëve iu nevojitet ndihma e shtetit dhe donatorëve. Fondet që aktualisht jepen për ta janë të pamjaftueshme, një fakt që pranohet edhe vetë drejtuesit e qendrave, në të cilat këta fëmijë trajtohen. Lëvizja Olimpike Speciale, e cila është një nismë botërore, ku aderon dhe Shqipëria, dedikuar personave me aftësi të kufizuar intelektuale. Lojërat u mbajtën nga dita e enjte dhe deri sot në Tiranë dhe pjesëmarrësit në to ishin nga Elbasani, Pogradeci, Lezha, Shkodra, Tirana, Vlora, Korça, Berati dhe Durrësi.