E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë; Tentoi t’i fusë 36 celularë në burg të fejuarit, pranga 22-vjeçares



Një e re është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit, pasi tentoi që të fusë përmes një frigoriferi 36 telefona celularë në ambientet e paraburgimit 313-të. Burime zyrtare policore bënë të ditur se dje, strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, kryen arrestimin në flagrancë të 22-vjeçares Fabiola Musai, lindur e banuese në Durrës, për veprën penale të “dhënies ndihmë një të burgosuri për largim”. Kjo shtetase dyshohet se ditën e djeshme ka hyrë në ambientet e Institucionit të Burgut Nr.313, me synim për të takuar të fejuarin e saj, me 36 copë telefona celularë, që ishin të vendosura në një frigorifer. Sipas policisë, shtetasi Klodian Meraja, tashmë i arrestuar për veprën penale të vjedhjes, vuante dënimin prej 5 vjetësh burgim, pranë vendit të vuajtjes së dënimit nr. 313 në Tiranë. 22-vjeçarja është kapur në flagrancë nga shërbimi i sigurisë dhe i kontrollit të sendeve të burgut 313. Ndaj saj u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të “dhënies ndihmë një të burgosuri për largim”, vepër e cila parashikohet nga neni 324 i Kodit Penal. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të saj do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›