Universitetet nisin më 12 tetor
E hëna që vjen, shënon fillimin e vitit të ri akademik për rreth 22 mijë studentë të rinj, të cilët përbëjnë brezin e 4-t të të rinjve që janë përfshirë në reformat e ndërmarra në arsimin e lartë.
Reformat, investimet, zhvillimet përgjatë tri viteve në arsimin e lartë, kanë qenë temë e rëndësishme jo vetëm për qeverinë dhe universitetet, por edhe një temë e ndjekur me vëmendje në debatin shoqëror, në fokusin e opinionit publik, gjë që po rrit vlerën e arsimit të lartë.
Kjo arritje vlerësohet nga drejtuesit e universiteteve si një tregues pozitiv për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Rezultatet e arritura nga reformat në arsimin e lartë përmblidhen në rritjen e përmirësimin e procedurave të pranimit të studentëve, Procesin e Bolonjës, përmirësimin e kurrikulave, prurja e pedagogëve të rinj, etj.
Strategjia Kombëtare e Arsimit të Lartë konsiderohet një dokument politik i domosdoshëm për të gjithë aktorët e kërkim zhvillimit në vend. Ky dokument, ashtu si të gjitha reformat e ndërmarra, përfshin të gjitha aspektet e arsimit të lartë; ato synojnë rritjen e numrit të të rinjve që vijojnë dhe përfundojnë arsimin e lartë, me qëllim që t'i paraprihet zhvillimit të Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare.
Përmes zbatimit të Procesit të Bolonjës, arsimimi i këtij brezi studentësh bazohet në standardet evropiane. Të gjitha burimet tona njerëzore dhe materiale tashmë vihen në shërbim të këtij qëllimi parësor. Nga zbatimi i reformës në arsimin e lartë, është krijuar mundësia e përfitimit edhe nga programet evropiane. Kjo, falë Procesit të Bolonjës, i cili ka sjellë ndryshime të thella në pjesën me të madhe të universiteteve evropiane.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të procesit të Bolonjës është integrimi i Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (HEAL) me Kërkimin Shkencor. Në këtë kuadër, në Shqipëri të gjitha institucionet e kërkimit shkencor i janë nënshtruar reformimit të thellë për ndërtimin e një sistemi bashkëkohor të kërkimit shkencor. Qëllimi kryesor i kësaj reforme është integrimi organik, në të gjitha planet, i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, për të krijuar sistemin e shkencës, në qendër të të cilit do të jenë universitetet.
Pjesa më e madhe e sistemit të arsimit të lartë ka filluar ta zbatojë për të gjitha programet e studimit me cikle sipas Bolonjës dhe sistemin e krediteve ECTS . Ato janë në vitin e tretë të aplikimit. Sistemi i sigurimit të cilësisë mbulon të gjithë sistemin e arsimit të lartë në të gjithë komponentët e tij. Në kuadër të zhvillimit të arsimit të lartë po zbatohen edhe tre programe evropiane si Tempus, Ceepus dhe Erasmus Mundus, objektivi i të cilave është modernizimi i institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri.
Bursa çeke studimi, si të aplikoni
Qeveria e Republikës së Çekisë, në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim, ofron për shtetasit shqiptarë deri në katër bursa për programe studimi të nivelit master ose doktoratë dhe një bursë për studime të nivelit bachelor në universitetet publike çeke, për vitin akademik 2010-2011.
Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur dje se programet e studimit për master ose doktoratë do të zhvillohen në gjuhën angleze, ndërsa ato të nivelit bachelor, që i përkasin fushës së bujqësisë, ekonomisë dhe informatikës, do të zhvillohen në gjuhën çeke.
Afati i fundit për pranimin e dokumentacionit është deri më 20 nëntor. Pas dorëzimit të dokumentacionit, aplikuesit për programet e studimit të nivelit master dhe doktoratë do të paraqiten pranë ambasadës çeke në Tiranë për të zhvilluar një testim lidhur me njohjen e gjuhës angleze.
Përzgjedhja përfundimtare e aplikuesve fitues do të bëhet nga universitetet çeke, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë.
Formulari A3, javën e ardhshme
Procedurat e aplikimit për përzgjedhjen e studentëve fitues të fazës së tretë, të cilët do të plotësojnë kuotat e mbetura bosh në fakultete për vitin e ri akademik 2009-2010, do të nisin javën tjetër.
Këto kuota, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, do të plotësohen nëpërmjet një rishpërndarjeje të re fituesish, që do të përcaktohet nga renditja e re e preferencave. Kështu, kandidatët humbës do të paraqiten pranë drejtorive arsimore të rrethit të tyre, në datat që do të publikohen pas disa ditësh, ku do të tërheqin formularin A3 të preferencave.
Në këtë formular ata do të listojnë edhe një herë, nga e para, preferencat e tyre, çka u jep dhe një shans për të mos humbur vitin akademik. Formulari i ri i preferencave do të përmbajë një renditje të re degësh, e kombinuar kjo në bazë të kuotave të mbetura bosh për secilin prej fakulteteve.
Procedura e aplikimit përcakton që këtë formular do ta plotësojnë vetëm ata kandidatë që kanë dhënë të katër provimet e Maturës Shtetërore, por që me rezultatin e tyre nuk arritën që të klasifikohen fitues në asnjërën prej fazave të pranimit.
Deri tani rezulton se universitetet e rretheve kanë numrin më të lartë të kuotave të parealizuara, ndërsa në degët universitare të Tiranës janë evidentuar rreth 182 kuota të paplotësuara.