E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Hyseni; Lazarati, jo më njolla e zezë e kultivimit të kanabisit



Kreu i Policisë së Qarkut Gjirokastër deklaroi për gazetën “Policia pranë” se kanë goditur 12 grupe kriminale, kanë sekuestruar droga të llojeve të ndryshme në sasi të mëdha, si kokainë, heroinë e marijuanë. Në një vit punë kanë arritur që në bashkëpunim me homologët grekë jo vetëm të arrijnë rezultate në luftën kundër trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore, por edhe kufij të sigurt, një ndër kushtet e liberalizimit të vizave me BE-në

Zoti Hyseni. Prej 1 viti ju drejtoni uniformat blu të Qarkut të Gjirokastrës. Çdokush në një moment të tillë bën një vështrim të punës 1-vjeçare. Fillimisht, cili do të ishte opinioni juaj për situatën në të cilën e gjetët policinë e qarkut në momentin që morët detyrën dhe si janë rezultatet sot?

E kam theksuar që në fillim të marrjes së detyrës se Gjirokastra kishte jo pak probleme. Duke filluar nga kaosi në qarkullim, kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, dhjetëra automjete për transport uji dhe plehu në drejtim të fshatit Lazarat për të vaditur kanabisin, krismat e armëve që vunë në rrezik jetën e banorëve të disa lagjeve të qytetit dhe të fshatit Dervicjan, qindra automjete të bllokuara prej vitesh në ambientet e drejtorisë ku i përngjante një varreze, shumë ngjarje të vjetra të pazbuluara e të tjera probleme. Sot që po flasim kemi një panoramë krejt ndryshe, vetë rezultatet e arritura e tregojnë këtë.

Cilat janë disa nga rezultatet e arritura nga strukturat e policisë së qarkut për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi gjatë periudhës 1-vjeçare të punës suaj në krye të kësaj drejtorie?

Po e filloj nga shtëpia jonë, ku të gjitha mjetet u transportuan në pikën e bllokimit në Dragot dhe tashmë hyn dhe del lirshëm dhe territori i saj është kthyer në lulishte. Qarkullimi në qytet është disiplinuar, qindra automjete janë sekuestruar për mungesë dokumentacioni, mijëra drejtues mjetesh janë ndëshkuar me masa administrative maksimale për parkime të gabuara, xhama të zinj, muzikë të lartë, mosvendosje rripi sigurimi, shpejtësi tej normave të lejuara, kemi dhjetëra leje drejtimi të pezulluara për përdorim pijesh alkoolike dhe guidim mjeti pa leje drejtimi nga adoleshentë, s’ka më drejtues mjetesh që bënin rolin e të fortit para policit, etj. Kemi çliruar banorët e disa lagjeve të qytetit dhe të fshatit Dervicjan pasi nga krismat e armëve që vinin nga individë të caktuar të fshatit Lazarat ishin si në luftë dhe jeta e tyre ishte në rrezik nga momenti në moment .Aktualisht s’kemi asnjë krismë armësh. Gjatë periudhës së kultivimit të kanabisit nuk kishte më asnjë autobot apo kamionçinë që të transportonte ujë nga Kordhoca për në Lazarat për të vaditur hashashin, si dhe asnjë kamion të transportojë pleh për këtë qëllim, pasi vendosmëria jonë në këtë drejtim bërë që dhjetëra autobote dhe kamionçina dhe kamionë të sekuestroheshin gjatë operacionit me afat të gjatë kohor “Siguria e jetës”. Këto masa dhe të tjera masa operative dhe profesionale bënë të mundur që këtë vit edhe Lazarati i cilësuar si njolla e zezë për kultivim të bimëve narkotike të mos cilësohet më i tillë, pasi në këtë fshat këtë vit kemi rreth 80% më pak numër të bimëve kanabis të mbjella në krahasim me një vit më parë. Po këtë situatë kemi edhe në qark, pasi vitin e kaluar nga operacionet zhvilluara nga ana e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar janë asgjësuar rreth 30 mijë rrënjë bimë, ndërsa këtë vit kemi rreth 7 mijë rrënjë bimë si dhe këtë vit kemi arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorët e kultivimit të bimëve kanabis sativa. Për sa i përket trafikimit të lëndëve narkotike gjatë kësaj periudhe kemi dhjetëra operacione të koduara, ku janë sekuestruar rreth 50 kilogramë heroinë, një kilogram kokainë dhe rreth 4 tonë marijuanë, disa armë zjarri, lëndë plasëse dhe municione luftarake dhe janë arrestuar në flagrancë mbi 50 autorë. Edhe në drejtim të trafikut të qenieve njerëzore janë goditur mbi 35 raste ku janë arrestuar në flagrancë autorët. Duhet theksuar se pjesa me e madhe e këtyre procedimeve është realizuar me metodat speciale të hetimit falë një bashkëpunimi shumë të mirë me Drejtorinë e Krimit të Organizuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Në jo pak raste veprimtaria kriminale qe kryenin këta persona shtrihej në disa qarqe. Po nga Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar janë shkatërruar mbi 12 grupe kriminale me veprimtari në fushën e trafikut të lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore. Gjithashtu, edhe Sektori i Krimeve të Rënda ka arritur rezultate të mira, ku gjatë këtij viti janë zbuluar disa ngjarje të rënda të vjetra të vitit 1997, si vrasje, vjedhje me armë etj, si dhe shumë vjedhje banesash dhe lokalesh ta ndodhura vitet e kaluara. Po kështu janë shkatërruar disa grupe kriminale ku veprimtaria e tyre ishte në drejtim të vjedhjes së pronës, kryesisht kulte fetare, objekte të pushtetit lokal dhe banesa. Efiçent rezulton edhe Sektori i Krimit Ekonomiko-Financiar, ku gjatë këtij viti janë arrestuar 25 shtetas të cilët ushtronin aktivitet të paligjshëm dhe kryenin falsifikim të dokumenteve dhe pasaportave apo vizave si dhe kontrabandim mallrash. Pra, siç shihet kemi një panoramë pozitive dhe në mënyrë të dukshme kemi ulje të veprave penale në përgjithësi e rritje të zbulueshmërisë në veçanti, si dhe kemi ulje të veprave penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe të trafiqeve të paligjshme, nga ana tjetër kemi rritur efiçencën në luftën kundër evazionit e informalitetit në fushën e krimeve ekonomiko-financiare e pastrimin e parave. Vëmendja e shërbimeve tona është përqendruar më shumë në trajtimin ligjor të konflikteve si mjet për parandalimin e veprave penale dhe krimet në familje.

Puna që ka bërë policia e qarkut në drejtim të rendit dhe sigurisë si dhe të goditjes së kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike dhe rezultatet e arritura janë vlerësuar nga opinioni publik. Në çfarë mënyre u arritën këto rezultate pozitive?

Arritja e këtyre rezultateve erdhi si rrjedhojë e punës në grup, duke zbatuar me rigorozitet prioritetet: si zbatimi pa ekuivok i ligjit, sigurimi i jetës, ruajtja dhe paprekshmëria e pronës. Mbrojta dhe respektimi i të drejtave e lirive themelore të qytetarëve, nga strukturat dhe punonjësit e policisë. Nga lufta pa kompromis që ju bë krimit të organizuar, krimit ekonomik dhe krimit në përgjithësi. Forcuam bashkëpunimin me pushtetin lokal dhe qeverisjen vendore, me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit me Drejtorinë Arsimore, Universitetin, OSCE-në, si dhe me OJF-të. Një armë tjetër e fuqishme ishte dhe është transparenca me median vizive dhe të shkruar si dhe informimi i publikut në kohë, qoftë për rezultatet, ndryshimet strukturore por edhe për shërbimet që policia ofron për komunitetin. Të gjitha këto sollën krijimin e një imazhi të ri për policinë, duke e lidhur këtë dhe me krijimin e besimit publik,pasi pati rritje të ndërgjegjësimit qytetar, rritje të numrit të raportimeve dhe informacioneve, identifikim më të mirë të problemeve si dhe zgjidhje në kohë të tyre dhe rezultate më të mira në luftën ndaj Krimit të Organizuar dhe krimit në përgjithësi. Theksoj se nga treguesit e mësipërm del se qarku Gjirokastër ka parametrat më të mirë të mundshëm të garantimit të rendit dhe sigurisë si dhe paprekshmërisë së pronës.

Për vetë pozicionin kufitar të Qarkut të Gjirokastrës, e rëndësishme është plotësimi i standardeve në lidhje me mbikëqyrjen e vijës kufitare dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme si pjesë e detyrimeve karshi BE-së. Cila është puna e policisë së qarkut në këtë drejtim dhe çfarë bashkëpunimi keni me Drejtorinë Rajonale të Kufirit, si dhe me homologët grekë?

Liberalizimi i vizave dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian rrjedhimisht kërkon kufij të sigurt. Rajoni jugor ka specifikë të veçantë në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore dhe të lëndëve narkotike dhe kjo për shumë faktorë si: Ekzistenca e tre pikave doganore, ku njëra është dalja kryesore për në shtetin Grek, kemi rreth 74 kilometra vijë të gjelbër kufitare kryesisht zonë malore dhe të pyllëzuar çka favorizon trafiqet e të gjitha llojeve, kemi akoma kultivim të kanabisit etj. Të gjithë këta faktorë shfrytëzohen nga individë dhe grupe të mirëfillta kriminale. Puna e bërë deri më tashmë nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit ka sjellë që ne të kemi kufij të sigurt. Mbështetur në prioritetet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme, Drejtoria e Policisë së Qarkut dhe ajo e Kufirit kanë punuar për plotësimin e të gjitha standardeve më të mira të mundshme që përafrojnë vendin tonë me BE. Edhe në të ardhmen prioriteti ynë do jetë plotësimi i të gjitha standardeve me parametrat që kërkohen nga BE. Do të bashkëpunojmë ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit dhe do forcojmë akoma më tepër bashkëpunimin me policinë fqinje atë të Janinës për të parandaluar dhe goditur trafiqet e mundshme që mund të zhvillohen nëpërmjet kufirit jeshil apo pikave doganore, duke shfrytëzuar të gjitha resurset më të mira njerëzore, teknike, operative, operacionale dhe procedurale për të realizuar një menaxhim të integruar të kufijve. Njëkohësisht dua të them se do forcojmë bashkëpunimin dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe komunitetin.

Cili do të ishte mesazhi për efektivat e policisë që drejtoni dhe për komunitetin e Qarkut Gjirokastër?

Në radhë të parë falënderoj efektivat e policisë, për përkushtimin e tyre në arritjen e këtyre rezultateve dhe besoj se kam mbajtur premtimin se vlerësimi i tyre do behej mbi bazën e aftësive profesionale dhe ndershmërinë në punë, njëkohësisht nuk do të toleroj asnjë shkelje të ligjit nga ana e tyre. Marrëdhëniet me publikun për mua janë parësore, pasi ato kanë për qëllim të jenë një urë lidhëse mes shoqërisë dhe institucionit dhe janë një armë e fortë në luftën kundër krimit të organizuar. Jam përpjekur të ndërtoj marrëdhënie të drejta me të gjitha institucionet dhe veçanërisht me komunitetin. Të ngresh një marrëdhënie të sigurt, duhet patjetër një komunikim i ndërlidhur mes besimit dhe dëshirës për të bashkëpunuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›