E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat e fatit, lojë me fatin

GJERGJ META

Në një ndër ditët e mia në Kamzë, ftesën për të pirë një kafe te lokali i një mikut tim e pranova me kënaqësi pa ditur që në të vërtetë pas pak ajo kënaqësi do të më kthehej në një trishtim dhe reflektim që më ka shoqëruar me kohë. Sapo hyra aty, pashë shumë fytyra të njohura. Përveçse bar, ku rrihet për të kaluar kohën me ndonjë mik, ai ambient ishte dhe një qendër bastesh sportive. Ishte e shtunë! Pashë shumë njerëz të përkulur në faqet e gazetave për të lexuar mbi ndeshjet dhe koeficientet. Disa prej tyre i njihja dhe e dija se ishin të varfër apo së paku me kushte modeste jete. Por pashë edhe shumë të tjerë, të rinj sidomos, por dhe mesoburra që dukeshin prej veshjes se nuk kishin shumë mundësi materiale. Të gjithë vinin baste.
Paske mirë xhiro, i thashë mikut tim.
Po, tha, është një gjë e natyrshme. Vijnë shumë njerëz, sidomos të shtunave në prag të ndeshjeve.
Dija diçka për baste sportive, por aty mu duk si një histeri kolektive. Një histeri për tu bërë i pasur me paratë e të tjerëve. Jo duke i vjedhur sigurisht, por duke shpresuar që fati të jetë me ty dhe jo me tjetrin. Se ato para që ka vënë ai tjetri, ata të tjerët të gjithë bashkë në një moment të vijnë te ti. Dhe kjo ndodh ditë pas dite, javë pas jave. Në mëshirë të probabilitetit!
E megjithatë kjo ishte e lehtë në krahasim me çka pashë tjetër. Ndërsa po rrija aty duke pirë kafen me personin që më kishte ftuar, rastësisht më shkuan sytë diku në një cep të lokalit. Një kënd i errët thuajse i pa vënë re. Brenda gjendeshin disa burra të cilët ishin të përqendruar përballë slot machine ave, një minicasino, sikurse gjendet rëndom në shumë bare dhe lokale të tjera. Njëri prej tyre doli me sytë e skuqur dhe gjithë nerva. Nuk përshëndeti askënd dhe la lokalin duke dalë nga dera kryesore.
Aty, më tha personi që kisha në tavolinë, konsumohen tragjeditë më të mëdha. Aty humbin njerëzit me qindra-mijëra lekë e në vende të tjera edhe me miliona.
Kisha dëgjuar histori kësisoj mjaft. Mu kujtua historia e një familjeje shumë të dashur për mua, që për shkak të slot machinave me të cilat luante çdo ditë, i ati i familjes kishte arritur të merrte kredi në bankë për të luajtur dhe kishte vënë si garanci të vetmen shtëpi që kishin. Finalja? U ndanë dhe tani jetojnë të ndarë. Një tmerr! Por kjo është vetëm një nga mijëra e miliona histori që konsumohen në Europë e në botë çdo ditë. Prandaj edhe ndoshta, ndër këto ditë, në një shtet europian po hartohet një ligj që ndër të tjera e klasifikon vartësinë nga lojërat e fatit si një sëmundje me emrin ludopati dhe në projektligj parashikohet edhe ngritja e një qendre pranë Ministrisë së Shëndetësisë për këtë qëllim.
Megjithatë, mua më intereson ajo periferia ime e vogël ku jetoj. E këtu janë shumë sosh që çdo ditë zhyten në vartësinë e tyre me lojërat e fatit. Të ngujuar para një slot machine, ata njerëz luajnë me fatin e tyre. Po! Sepse loja e fatit kthehet në një lojë me fatin. Nuk është në të vërtetë lojë, pasi loja ka në thelb gratuitetin dhe kënaqësinë. Këtu dikush sigurisht fiton dhe shumë madje (pronari), dikush humb dhe shumë madje (ai që luan dhe familja e tij) dhe dikush rastësisht fiton për të humbur përsëri më vonë. Po! Kështu është! Pasi për të gjithë ata që hyjnë në këtë mesele, nëse nuk largohen me vendosmërinë dhe dëshirën për të mos u kthyer më, nëse nuk shërohen, ajo lojë bëhet një vartësi skllavëruese. E lojërat e fatit janë ndër skllavëritë moderne. Për dikë është biznes e për dikë vartësi, drogë, sëmundje. Jo më kot droga, prostitucioni dhe kazinotë kanë përbërë për shumë kohë, e ndoshta ende, në shumë vende, burimet më të mëdha të fitimit ilegal dhe parasë së pistë. Kjo ludopati e mallkuar ka shenjat e saj kudo, ka ujërat e ndenjura të vetat ku merr viruset e saj, ka shkaqet e saj që duhen kërkuar në shumë vende: varfëria ekonomike, situatat e paqarta dhe të paqeta të personalitetit dhe ato familjare, politikat financiare që kanë në qendër jo njeriun dhe familjen, por biznesin. Shteti fatkeqësisht nuk monitoron sa duhet këto aktivitete. Të ndalohet publiciteti i tyre dhe të vendoset në dyert e çdo kazinoje dhe qendre bastesh, sikurse për cigaret: dëmton jetën, familjen, lumturinë etj., është diçka e paimagjinueshme dhe e papranueshme për një mendësi komerciale, thellësisht e pranishme në politikat financiare të shtetit. Të ngrihen qendra të rikuperimit të personave të varur nga këto gjëra, sikurse janë për alkoolin, drogën e këto duhet të financohen e ndihmohen nga qeveria dhe organizmat e tjerë joqeveritarë, që do të përbënte një rrugë të duhur për problemin në fjalë.
Sigurisht do kishte qenë mirë që edhe Avokati i Popullit, veç merakut për të futur në lëndët mësimore njohuritë për LGBT, të këmbëngulte në përmirësimin e politikave financiare për lojërat e fatit, sepse e garantoj unë dhe shumë familje të popullit shqiptar, që do të ishte një punë e duhur për të. Të jesh kundër këtyre gjërave do të thotë të jesh pro më të dobëtëve: grave dhe fëmijëve që janë viktima të vesit dhe të lojës së të rriturve e sidomos burra.
Moralizimi nuk zgjidh asgjë e në fund të fundit një akuzë e përgjithshme nuk thotë asgjë. Kur të fillohet të preken konkretisht interesat atëherë shihet reagimi, sepse janë organizma të fuqishëm financiarë që mbështesin këto aktivitete. Moralizimi vetëm sa shton ndjenjën e fajit, edhe kjo derisa nuk është kthyer në diçka kompulsive që përjashton edhe përgjegjësinë e individit.
Me këto mendime dola nga lokali, edhe pse mikut tim nuk i thashë asgjë, e u nisa drejt oborrit të kishës. Në qendër të Kamzës ku unë jetoj, fatkeqësisht nuk ka një hapësirë publike për fëmijët që të luajnë. Shpesh e vetmja hapësirë që kanë fëmijët e lagjes është rruga ose oborri i kishës dhe, përveç rasteve kur ka aktivitete të tjera, oborri rri i hapur për ta. Në fund të fundit fëmija dhe loja janë shokë të ngushtë dhe i japin kënaqësinë njëritjetrit. Rriten dhe zhvillohen bashkë, gjallërojnë njëritjetrin, sepse nuk kërkojnë asgjë nga njëritjetri. I jepen njëritjetrit falas. Këto ndjenja më shoqërojnë sa herë shoh fëmijët që luajnë në oborr. Por, po aq herë sa shoh lojën e fëmijëve, më vjen ndërmend diçka tjetër që ka të njëjtin emër edhe pse në mënyrë abuzive: lojërat e fatit! Pikërisht në oborr  gjeta miqtë e mi të vegjël që po luanin me gëzim, hare e britma ashtu sikur bëja edhe vetë dikur, këmbëzbathur nëpër rrugët dhe fushat e fshatit tim me shokët e mi. Me vete thashë: kjo po është lojë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›