Zbulohet letra: Lotaria Kombëtare, dyshime për tenderin

Ridvan Bode
Kompania greke, Intralot i shkruan Berishës dhe Bodes: Kriteret parapërcaktojnë fituesin, të shtyhen afatet.
Kreu i kompanisë greke Intralot kërkon shtyrjen e konkurrimit.
Letra për Berishën e Boden: Kriteret paracaktojnë fituesin.
Vishet me hije skandali procesi i tenderimit të Lotarisë Kombëtare. E shpallur nga Ministria e Financave, më datë 21 maj, duket se e gjithë procedura për konkurrimin është ndërtuar në një mënyrë të tillë që fituesi të jetë i parashikuar pa filluar tenderi. Skandalin e zbardh letra, të cilën gazeta e boton sot të plotë, e kreut të kompanisë gjigande të lotarive, Intralot. CEO, Constantinos Antonopoulos, në një letër dërguar ministrit të Financave, Bode dhe Kryeministrit Berisha, tregon qartë hilet e ndjekura nga Ministria e Financave në procedurat e tenderimit. Abuzimi i parë duket se ka të bëjë me kriteret e kualifikimit të kompanive. Sipas letrës, kriteret e vendosura nga ministri Bode janë unike në të gjithë botën, në një mënyrë të tillë që përjashton të gjitha kompanitë e afta dhe me eksperiencë në këtë industri. Pra, që në nisje duket se konkurrenca në vend që të hapet në sa më shumë kompani, zvogëlohet. Por ky është vetëm fillimi i procedurave. Ndryshe nga çpritej, në kriteret e vlerësimit nuk është vendosur tarifa apo çmimi. Kjo e bën konkurrencën pa kuptim në rritjen e të ardhurave në buxhet, në një kohë kur qeveria po shet gjithçka për të plotësuar mungesën e të ardhurave dhe vetë Bode po rishikon buxhetin për të plotësuar këtë mungesë. Për këtë qëllim, unë ju siguroj se nëse ministri juaj përfshin çmimin në kriteret e dhënies së licencës, ju do të surprizoheni me kënaqësi, me faktin se sa shumë kjo tarifë e propozuar do të kapërcejë shumën e fiksuar që ju po kërkoni tani, theksohet në letrën që i ka shkuar edhe Berishës. Pra, tenderi për Lotarinë Kombëtare qartësisht po kufizohet për interesa të disa kompanive. Letra vazhdon më tej me kërkesën e gjigandit Intralot, për shtyrjen e afatit të tenderit dhe rishikimin e procedurave dhe kritereve. Limitimi i kompanive pjesëmarrëse dhe për më tepër, heqja e kriterit të çmimit në konkurrim, duket se e bëjnë tenderin më shumë një dhuratë, se sa një konkurrim për një çmim më të lartë. Ju sugjeroj të shtyni procesin e kërkesave për aplikime dhe të rikonsideroni kualifikimin specifik dhe kriteret e vlerësimit të bazuara në fakte të një industrie solide, të mbledhura nëpërmjet një procesi konsultimi të hapur publik. Unë mund tju siguroj me ta gjitha mënyrat se një iniciativë e tillë do të rezultojë me përzgjedhjen e partnerit më të aftë, duke maksimalizuar të ardhurat e qeverisë dhe duke mbrojtur integritetin e dhënies së licencës, përkundër pretendimeve dhe interpretimeve.
Intralot
Athinë, 15 qershor 2012
Drejtuar ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë,
Z. Ritvan Bode
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, prof.dr.Sali Berisha
a) Kërkesë për aplikimet për çmimin e licencës së Lotarisë Kombëtare të Shqipërisë, lëshuar më datë 21/05/2012
b) Ftesë për aplikimet. Lëshuar më datë 18 maj 2012
Shkëlqesia juaj
Pas hapjes së konkurrimit për marrjen e licencës për organizmin e Lotarisë Kombëtare, dëshiroj tju drejtohem ju me qëllim për tju shprehur shqetësimin tim të thellë për mbarëvajtjen e procesit të dhënies së licencës, pasi ai nuk siguron konkurrim të vërtetë dhe është ndërtuar në një mënyrë që do të rezultojë me të ardhura konsiderueshëm të ulëta për shtetin shqiptar dhe shoqërinë shqiptare.
Për këtë arsye, unë dua të theksoj se procesi aktual po limiton konkurrencën pa arsye, duke futur kritere kualifikimi që janë unike në të gjithë botën, në një mënyrë të tillë që përjashton të gjitha kompanitë e afta dhe me eksperiencë në këtë industri, përfshirë INTRALOT, duke mos mbrojtur interesat themelore të qeverisë suaj për një veprimtari të qëndrueshme dhe të përgjegjshme sociale të Lotarisë në Shqipëri.
Çështja kryesore ka të bëjë me kriteret e kualifikimit në të cilat kërkohen dy certifikata shumë specifike të fushës (WLA-Niveli 4 i përgjegjshmërisë së lojës dhe WLA-Standarde të kontrollit të sigurisë mbi tre vjet), të cilat, të kombinuara, mund të përmbushen vetëm nga një numër ekstremisht i limituar kompanish. Vlen për tu theksuar se disa nga këto entitete janë organizata të kontrolluara nga shteti me përgjegjësi strikte fiskale dhe, ose nuk i përmbushin kriteret financiare të paraqitura të sektorit privat, ose, në shumicën e rasteve, ndjekin mundësitë që janë jashtë mandatit të tyre. Për më tepër, ata pak kandidatë potencialisht të kualifikuar që ne kemi identifikuar, nuk kanë ndonjë eksperiencë në zbatimin e Lotarisë jashtë vendit ku banojnë.
Për më tepër, dhe për çudinë tonë të madhe, ne kuptuam se kriteret e vlerësimit dhe dhënies së licencës nuk përfshijnë tarifën e saj apo ndonjë element çmimi, çfarëdo qoftë ai, por në vend të kësaj, tarifa është vendosur në një nivel të ulët pa arsye për një aset të tillë premtues, siç është provuar në dhënie licencash të ngjashme nëpër botë.
Në kontekstin e kufizimeve të ashpra të buxhetit dhe vështirësive ekonomike në shumë vende europiane, sigurimi dhe akordimi efikas i fondeve publike është një shqetësim i veçantë dhe unë jam i sigurt se qeveria juaj është në linjë me realitetin.
Sugjerimi i fortë i Kryeministrit, se paratë e siguruara nga dhënia e licencës duhet të përdoren në mbështetje të sporteve, talenteve të reja dhe për pacientët e neoplazmës, i shtohet besimit tonë se ju vërtet inkurajoni rritjen e kontributeve sociale nga asetet publike. Për këtë qëllim, unë ju siguroj se nëse ministri juaj përfshin çmimin në kriteret e dhënies së licencës, ju do të surprizoheni me kënaqësi, me faktin se sa shumë kjo tarifë e propozuar do ta kapërcejë shumën e fiksuar që ju po kërkoni tani.
Kam besim se INTRALOT, operatori lider dhe tregtues i teknologjisë në lotaritë e sistemuara nga qeveria dhe në sektorin e lojërave prej më shumë se 20 vjetësh, me prani në më shumë se 50 vende në të 5 kontinentet, është më i afti dhe i mirë-kualifikuari për të zbatuar një projekt të këtyre përmasave dhe qëllimeve. Për më tepër ne jemi të angazhuar të investojmë kryesisht në zhvillimin e një veprimtarie të qëndrueshme dhe me teknologji të avancuar.
Jam i sigurt se kujdesi e mirësia juaj dhe konsiderata e mendimit për këto çështje, mund ta çojë konkurrencën drejt një procesi të hapur, transparent dhe vërtet konkurrent, që janë në linjë me garancitë e siguruara për ju nga Shkëlqesia e tij Kryeministri pas takimit tonë, në maj 2010.
Në përpjekje për të evituar një proces të fragmentarizuar me një numër ekstremisht të limituar ofruesish pa ndonjë eksperiencë të dukshme ndërkombëtare mbi çështjen-subjekt, që do të rezultonte me një humbje të madhe të ardhurash për qeverinë shqiptare, unë me mirësi ju sugjeroj të shtyni procesin e Kërkesave për Aplikime dhe të rikonsideroni kualifikimin specifik dhe kriteret e vlerësimit të bazuara në fakte të një industrie solide, të mbledhura nëpërmjet një procesi konsultimi të hapur publik. Unë mund tju siguroj me të gjithë mënyrat se një iniciativë e tillë do të rezultojë me përzgjedhjen e partnerit më të aftë, duke maksimalizuar të ardhurat e qeverisë dhe duke mbrojtur integritetin e dhënies së licencës përkundër pretendimeve dhe interpretimeve.
Duke u mbështetur në përpjekjet e deklaruara dhe të provuara të qeverisë suaj për sigurimin e kontributeve domethënëse për shtetin shqiptar nga asetet publike dhe krijimin e benefiteve për shoqërinë, ne kemi besim se ju do të veproni sipas një procesi