Kinemaja, si artileri e rëndë e regjimeve totalitare
Kinemaja nuk e dëshiron diktaturën. Janë diktatorët që e dëshirojnë kinemanë. Lenini kishte për qejf të thoshte se kinematografia është treni i revolucionit bolshevik dhe një herë u shpreh: “është arti më i fortë”. Në Itali, diktatori fashist Musolini, për të mos ngelur prapa Leninit, shkroi me dorën e tij: kinemaja “është arma më e fortë”. Në Shqipëri citati i Leninit u përkthye: “kinemaja është artileria e rëndë e artit”. Ndërsa Josef Gebëls, shefi i propagandës së Hitlerit, adhuronte kinemanë dhe e rekomandonte. Zërat poshtë e lart thoshin se ishte për shkak të aktoreve. Një e vërtetë e pjesshme: Gëbels kish kuptuar rëndësinë e imazheve të rrejshme për qëllime propagandistike. Së bashku me Hitlerin përpara një mitingu në një qytet të vogël gjerman panë në kinemanë lokale filmin me tematikë mitologjike “Nibelungët” të regjisorit Fritz Lang. Duke dalë nga kinemaja Hitleri i ekzaltuar i rrëfen bashkëpunëtorit besnik: “kur do të marrim pushtetin ai do të jetë regjisori ynë”. Profecia u bë realitet, Gëbels e thirri regjisorin Lang dhe i propozoi ofertën. Por nuk u arrit në një marrëveshje. Paskëtaj Gebëls përzgjodhi një grua me talent të padiskutueshëm: Leni Riefenstahl.
Kuptohet vetiu që kinemaja i tërheq si magnet diktatorët. Ata duan ta kontrollojnë dhe nëse është e mundur të jenë dhe vetë protagonist. Në pamundësi imitojnë gjestet e heronjve të filmave qofshin personazhe të mirë apo të këqij. Musolini shkoi deri aty sa qortoi aktorin Annibale Ninchi në filmin për luftërat punike: “Shipioni Afrikan” sepse aktori nuk e interpretonte romakun e lashtë njëlloj si lëvizjet e Duçes. Ndërsa Hitleri adhuronte shefin e qytetit të krimit të “M. Monstra e Dyseldorfit” të regjisorit Lang: i imitonte gjestet, mimikën, sjelljet prej kapobande gati për veprim, me xhaketë lëkure të veshur si uniformë. Kurse Stalini kishte një sozi: Mikhail Gelovani. I pëlqente tejmase për interpretimin heroik në filmin “Rënia e Berlinit” të regjisorit Mikhail Chiaureli. Në fund të projeksionin privat në sallën kinematografike të Kremlinit thonë se e panë me një shami në dorë.
Diktatorët e dashurojnë kinemanë. Pas Luftës së Dytë Botërore, industria kinematografike në Shqipëri, Rumani, Bullgari dhe Jugosllavi pati një impuls të fortë nga ana e regjimeve, synimi i të cilave ishte të edukonin masat me vlerat prej të cilave këto sisteme frymëzoheshin: revolucion, komunizëm, komb dhe progres. Në këtë mënyrë, nisën të merrnin formë modele të reja prodhimi dhe shumë shpejt u ndërtuan edhe infrastruktura të mëdha: studiot “Avala” dhe “Jadran” në Beograd e Zagreb, “Boyana” në Sofje dhe “Kinostudio”, “Shqipëria e re” (1952), në Tiranë. Enver Hoxha do të shtinte në dorë mekanizmin e imazheve dhe iluzioneve për ta përdorur si një lavatriçe kombëtare për lavazhin e trurit. Sigurisht do të ishin vitet 60-të nisja e propagandës thellësisht komuniste me një sërë filmash me subjekte lufte kundër pushtuesve okupatorë. Patetizmi, rrejshmëria, dogmatizmi moralizues dhe boshti i partisë përbën lëndën e parë të këtyre filmave narkotizues të ndërgjegjes dhe lirisë. Mund të thuhet pa asnjë presje se luftën më reale partizanët e kanë bërë kur kanë qenë aktorë jo protagonist të filmave me subjekt të luftës së dytë botërore. Heroizmat e tyre janë të padokumentuara sepse kishin parimin se historia bëhet me grykën e pushkës. Megjithatë çdo e keqe e ka një anë pozitive: personazhet negative janë më të besueshëm dhe të portretizuar mirë (ndonëse të tipizuar në mënyrë tendencioze, për shembull: Ndrek Luca veriori, katoliku, etj.) kurse personazhet pozitive në mjaft raste janë të zbehtë, moralistë, skematikë e deri në qesharakë. Sigurisht në filmat të prodhuara nga kinematografia komuniste bie në sy kryesisht mungesa e marrëdhënieve njerëzore me paranë, pijen, seksin, dëshirën, lojën, etj.
Sidoqoftë diktaturat përdorin kinemanë për të përhapur ideologjinë e tyre hegjemoniste si një nevojë për të përligjur vendosjen e rendit të ri dhe krijimin e njeriut të ri. Çdo vendosje rendi parashtron një periudhë kaosi (luftë civile) që vihet në rregull nëpërmjet mekanizmave shtypës të represionit pa marrë parasysh pasojat (janë të parashikuara si efekte anësore). Krijimi i njeriu të ri duhet të lindte pas procesit të djegies së tokës (tabula rasa) dhe mandej lëvrimit të trurit me gjithfarësoj mitologjie e moralizmi artificial. Lufta e klasave ishte djegia e tokës njëlloj rrafshimi të plisave për ta bërë dyst.