Lojërat e fatit, ndryshojnë procedurat e licencimit për subjektet e reja
Kompanitë e lojërave të fatit që zhvillojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë, tani e tutje do të duhet t’i paguajnë më tepër taksa shtetit. Me ndryshimet e reja që janë bërë në ligjin “Për lojërat e fatit, të ndryshuar”, tani çdo degë e hapur rishtazi nga një kompani lojërash fati ose kazinosh do të funksionojë si një biznes më vete. Në ndryshimet që i janë bërë ligjit të ri i cili do të kalojë për t’u votuar në Kuvend, çdo pike e hapur nga një kompani lojërash fati e licencuar duhet të pajiset me NIPT dhe licencë më vete, si dhe duhet të paguajë taksa shtesë. Ky ndryshim i rëndësishëm për kompanitë e lojërave të fatit parashikohet në shkronjën “c”, të pikës 4, të nenit 10, të ligjit “Për lojërat e fatit” ku thuhet shprehimisht se: “për hapjen e çdo salle të re, ku do të zhvillohet veprimtaria, organizatori njofton, paraprakisht NJMLF-në, për të marrë miratimin dhe për t’u pajisur me NIPT-in sekondar, i cili lëshohet për çdo vendndodhje dytësore të biznesit”. Më tej ligji sqaron se, “Këshilli i Ministrave, me vendim, miraton rregullat, procedurat, afatet dhe specifikimet teknike të mekanizmave të fiskalizimit e të monitorimit të lojërave të fatit”. Ndërkohë ligji parashikon edhe kontrolle jo vetëm për pikat e lojërave të fatit, por tashmë edhe për lojtarët. Sipas tij, “në rakordim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me drejtoritë rajonale të administratës tatimore qendrore, verifikon shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe deklarimet mujore të organizatorëve, të parashikuara në paragrafin e dytë, të nenit 50, të këtij ligji, si dhe kontrollon e verifikon deklarimet e bëra nga organizatorët pranë NJMLF-së, në përputhje me detyrimet për deklarim, të parashikuara nga ky ligj. Po ashtu Tatimet kontrollojnë dhe verifikojnë fitimet nga lojërat”.
Licenca
Licenca e lotarisë kombëtare përfshin: a) të gjitha lojërat numerike, ku numrat tërhiqen nga një radhë e paracaktuar numrash e në të cilat përcaktohen: 1) loja “loto”, që është lojë fati, në të cilën organizatori pranon dhe zhvillon baste për shansin e fitimit të disa numrave nga një seri e paracaktuar numrash. Numrat fitues përcaktohen me hedhje publike të shortit. Shuma e përgjithshme e çmimeve të fitueshme ndahet në disa kategori fitimi, ku brenda secilës kategori të gjitha fitimet janë të barabarta. 2) “loja shtesë”, që është një lojë fati, e cila mund të zhvillohet vetëm në lidhje me lojërat e tjera, që lejohen të organizohen nga i licencuari. Numri fitues përcaktohet me hedhje publike të shortit. Fitojnë ata lojtarë, numri i biletës të së cilëve përputhet plotësisht ose pjesërisht me numrin fitues. Shuma e përgjithshme e çmimeve të fitueshme ndahet në disa kategori fitimi. Brenda secilës kategori të gjitha fitimet janë të barabarta. b) Lojën “keno”, që është një lojë fati, në të cilën organizatori pranon dhe zhvillon lojën lidhur me shanset e fitimit të kombinimeve të numrave, ku lojtarët fitojnë nëpërmjet përputhjes së kombinimeve përkatëse të numrave me numrat fitues të përcaktuar. c) Lojën “loto me shifra”, që është një lojë fati, në të cilën organizatori pranon dhe zhvillon lojën për shansin e fitimit të një ose më shumë numrave ose simboleve, nga një sasi të përcaktuar numrash a simbolesh. Numrat ose simbolet fituese përcaktohen me hedhje publike të shortit. Çmimi fitues individual është një shumëfish i paracaktuar i bastit të vënë në lojë ose shuma e çmimit ndahet në disa kategori fitimi. Të gjitha fitimet e secilës kategori janë të barabarta.
Lotaritë
Lotaritë që mund të jenë: 1) “lotaritë e çastit”, që janë lojëra fati, në të cilat pjesëmarrësi i lojës mund të konstatojë menjëherë nëse ka fituar, duke kontrolluar nëse është printuar një çmim fitues në biletën e tij. Lojëra të tjera të çastit janë lojëra fati, në të cilat pjesëmarrësit e lojës mund të marrin dijeni për një fitim të mundshëm brenda 24 (njëzet e katër) orëve pas mbarimit të bastit për shanset e fitimit të simboleve dhe kombinimeve të numrave; 2) “lotaritë e numrave”, që janë lojëra fati, në të cilat çdo biletë e lotarisë ka një numër vijues të shënuar në të. Biletat fituese përcaktohen me hedhje publike të shortit; 3) “lotaritë elektronike”, që janë lotari, në të cilat kontrata e lojës lidhet nëpërmjet mediave elektronike, vendimi mbi fitimin apo humbjen, merret ose vihet në dispozicion në mënyrë qendrore dhe pjesëmarrësi i lojës mund të marrë dijeni për rezultatin e këtij vendimi menjëherë pas pjesëmarrjes në lojë”.
Lotaritë kombëtare, si organizohen dhe si bëhet publiciteti
Ndryshimet në ligjin e ri “Për lojërat e fatit” prekin edhe pjesën për krijimin dhe organizimin e lotarive kombëtare. Në ligj thuhet se, “subjekti i licencuar për lotarinë kombëtare lejohet që në përputhje me paragrafin e parë, të këtij neni, në bazë të rregullave të miratuara nga Këshilli i Ministrave dhe të marrëveshjes së nënshkruar me ministrin e Financave, të bëjë publicitet në lidhje me lojërat e ofruara nga lotaria kombëtare dhe të hartojë e të shpërndajë buletine informative, si dhe të bëjë reklama e njoftime në median e shkruar dhe audiovizive”. Organizatori i lotarisë kombëtare organizon të gjitha apo një pjesë të lojërave të lotarisë kombëtare. Organizimi i lojërave bëhet nëpërmjet shitjes me pakicë të biletave, nëpërmjet rrjetit on-line, internetit apo përdorimit të shërbimit të telefonisë celulare. Organizatori i lotarisë kombëtare njofton NJMLF-në për: a) të gjitha lojërat e ofruara, sapo të jetë marrë vendimi që ato hidhen në treg nga organi i të licencuarit; b) çdo ndryshim të rëndësishëm të çdo loje, sapo të jetë marrë vendimi për ndryshimin nga organi i të licencuarit; c) adresat, në të cilat ushtron veprimtarinë për lojërat e lotarisë kombëtare.
Dokumentacioni që nevojitet për bingot kombëtare
Në rast të aplikimit për bingo televizive, përveç dokumentacionit të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, në NJMFL paraqiten edhe: a) marrëveshja, ndërmjet organizatorit të lojës dhe agjentëve për shitjen e biletave; b) marrëveshja, ndërmjet organizatorit të lojës dhe operatorit apo operatorëve të telefonisë celulare; c) marrëveshja për transmetimin e lojës (shorteut), për bingo televizive, e lidhur, ndërmjet organizatorit dhe një stacioni televiziv kombëtar; ç) strategjia për informimin e klientëve, për rregullat e kësaj loje, ku duhet të përcaktohen data e hedhjes së shortit, mënyra e luajtjes, vendi ku do të tërhiqen çmimet, të dhënat për vendin ku do të bëhet transmetimi dhe nxjerrja e rezultateve; d) rregullorja e lojës dhe fondi për fituesin, i cili për çdo lojë, nuk mund të jetë më i vogël se 50 për qind e shumës nga vlera e arkëtuar nga shitja e biletave dhe nga rezervimi nëpërmjet telefonisë celulare. Shtypja dhe prodhimi i biletave, lëshimi i biletës on-line apo forma të tjera të pranimit të pjesëmarrjes në lojë, nëpërmjet shërbimit të telefonisë celulare, bëhen në përputhje me procedurat, afatet dhe formatet e miratuara me udhëzim të ministrit të Financave, sipas llojit të lojës për të cilën do të përdoren.
Rregullat për makinat elektronike të lojërave të fatit
Sipas ligjit të ri, makinat elektronike duhet të jenë në gjuhën shqipe dhe të certifikuara në përputhje me nenin 25, të këtij ligji. Afati i përfundimit të procesit të zëvendësimit të makinave elektronike ekzistuese me ato, që plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë shkronjë, miratohet me urdhër të ministrit të Financave. Pajisjet, që shërbejnë për lojëra fati, të cilat gjenden nga NJMLF-ja në mjedise të padeklaruara pranë kësaj njësie, konfiskohen. Nëse është e pamundur që pronari të identifikohet, kjo e dhënë shënohet në aktin administrativ të konfiskimit. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, një herë në tre muaj, informon NJMLF-në, për rastet e zhdoganimit të pajisjeve që shërbejnë për lojëra fati.
2 Shtator 2010