E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojrat dhe marifetet e Bamir Topit për një mandat tjetër presidencial

22-06-2011 / Nga Fahri Balliu

Dy të përditshme potencuan dje në ballinat e tyre një fantazmagori të paimagjinueshme, si ajo e ofrimi të kandidaturës së presidentit të ardhshëm të republikës për opozitën, në këmbim të kapërcimi të ngërçit politik në vend. Investigimi të çon shpejt tek lojërat dhe marifetet e Bamir Topit, presidentit ende në detyrë, i cili pasi e ka çuar performancën e vet, në nivelin kur faktorëve relevantë në vend u vjen turp të shfaqen pranë tij, po u kthehet marifeteve, si e vetmja mënyrë për të “mbetur në piacë”.
Zbulimi i votës për Edi Ramën e ka divorcuar njëherë e përgjithmonë presidentin ende në detyrë nga çfarëdolloj përfaqësimi i së djathtës apo i ndonjë trupe elektorale, por njëkohësisht edhe ka zbuluar të vetmin aleat me relevancë politike që ende i ka mbetur zotit Topi, kryetarin e opozitës, Edi Rama (edhe ai, ende në detyrë).
Kjo shpresë duket drita e vetme për tunelin politik ku Bamir Topi e ka futur karrierën e vet, prandaj edhe adaptimi i skemës “Rama” për mashtrime e killerazh mediatik është gjetur si forma e duhur. Në skemën ku ranë dy të përditshmet shqiptare, Bamir Topi përfshiu jo veç segmentet e procesit që përfshinin publikimin e mashtrimit, por edhe një vrasës me pagesë (në publicistikë), i cili nuhati nevojën e hienës Rama për t’u faktorizuar në negociata që do ta nxirrnin nga izolimi, por edhe mori porosinë prej Bamir Topit, për të nisur vënien në zbatim të kësaj skeme mashtruese.
Si gjithmonë këto skema janë petulla me ujë, por terapitë që u nënshtrohen aktualisht si kryetari i opozitës, ashtu edhe kryetari i shtetit, japin një dobi momentale për shëndetin mendor të të dy protagonistëve të politikës. Secili në hesap të vet ndjen se ka prodhuar mizanskenën që e mban ende në llogore të parë të jetës publike në vend, paçka se përgënjeshtrimi i djeshëm i zyrës së kryeministrit tregon se vija e kuqe ishte përcaktuar tek detyrimet kushtetuese të 84 votave, pra tek ato kufij që kërkojnë konsensusin e opozitës.
Përtej këtyre kufijve dilet veç kur bëhet fjalë për personalitete të larta e me kontribute të jashtëzakonshme... Dhe s’ka nevojë të zgjatesh për të kuptuar shpejt rolin e vajtueshëm që luajti Bamir Topi në ngjarjet e 21 janarit dhe në përpjekjen e gjerdjeshme (sotme) për triumfin e Grushtit të Shtetit.
Përveç këtij angazhimi antishqiptar, të tjera të dhëna vijnë nga të gjitha anët dhe tregojnë instalimin e skemës së gjobave e ryshfeteve në sistemin e drejtësisë. Të gjitha institucionet që janë në kompetencën e Bamir Topit e kanë konfirmuar këtë të fundit si një jokompetent “par excellence”. Në këtë fazë të gremisjes së kredencialeve politike, si të Edi Ramës, ashtu edhe të Bamir Topit, që të dy e kanë kandisur njëri-tjetrin të prodhojnë (me ndihmën e një vrasësi me pagesë në publicistikë) edhe një ofertë të paqenë, mjaft që të shtyhet varrosja e përbashkët politike.
Që këto janë lojëra pa bereqet, këtë e kuptojnë edhe fëmijët, por se sa do të shtyhet kjo auto-terapia me shitje mendsh - sikur ende dikush na ka në refene - kjo mbetet për t’u parë.
Gjithsesi, edhe kaq, është e qartë se angazhimi i këtyre tipave për të na mbajtur peng të gjithëve mbetet një bidat (siç i thotë turku), pasi fjala jonë “marre”, prapëseprapë e ka një dinjitet, atë dinjitet që ne shqiptarët ia kreditojmë humbësit e që Bamir Topi e Edi Rama s’e dinë as ku rri me shpi, jo më ta konsiderojnë si një ndihmë për t’i shpëtuar nga faqja e zezë e tanë trojeve shqiptare.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›