Lojtarët e Tottenham rimbursojnë tifozët pas poshtërimit me Newcastle

Këto janë ditë vërtet të komplikuara për Tottenham. Paraqitja e shëmtuar me Newcastle i kushtoi stolin Cristian Stellini dhe me shumë gjasa vulosi lamtumirën e tij për një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Finalja 1-6 ishte një rezultat i papranueshëm, aq më tepër duke pasur parasysh faktin se pas vetëm 21′ Spurs ishin në disavantazh 5-0.
Tri ditë pas disfatës, Kane dhe shokët e tij vendosën të zhyten në kuletat e tyre dhe të rimbursojnë fansat e pranishëm në St. James Park. “Si ekip, ne e kuptojmë zhgënjimin tuaj, zemërimin tuaj. Ne nuk ishim mjaftueshëm të mirë. Ne e dimë se fjalët nuk mjaftojnë në situata si këto, por na besoni, një humbje si kjo dhemb”, tha klubi në një deklaratë.
“Vlerësojmë mbështetjen tuaj, në shtëpi dhe jashtë, dhe me këtë në mendje duam t’i rimbursojmë mbështetësit për kostot e biletave të St James’ Park. Të bashkuar të enjten mbrëma, kur edhe një herë, mbështetja juaj do të jetë gjithçka për ne. Së bashku, dhe vetëm së bashku, mund të ecim përpara”.