Votat e 8 majit në deputetë, " Berisha" 76 mandate, " Rama" 64
Partia Socialiste rezulton të jetë dukshëm më përpara se sa Partia Demokratike, kur flitet për rivalitet siglash politike. Madje në zgjedhjet e fundit administrative, krahasuar me votimet e katër viteve më parë, diferenca mes tyre është rritur. I njëjti avantazh mes partisë së drejtuar nga Edi Rama dhe partisë së drejtuar nga Sali Berisha vihet re edhe konkretisht në Qarkun e Tiranës. Nga të dhënat e tre proceseve të fundit zgjedhore mund të krijohet një trajektore e mbështetjes politike për secilën prej dy partive kryesore politike. Në zgjedhjet administrative të 18 shkurtit 2007, Partia Socialiste në rang vendi ka marrë 305582 vota ndërsa Partia Demokratike ka marrë 271705. Diferenca mes tyre ka qenë 33877 vota në favor të partisë kryesore të së majtës. Konkretisht në Qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e katër viteve më parë, socialistët morën 88909 vota përballë 82421 votave të demokratëve. Diferenca në qark Tirane ishte 6488 vota. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, Partia Socialiste në rang vendi kishte 620586 vota, ndërsa Partia Demokratike 610463 vota. Diferenca mes tyre e përkthyer në vota ishte 10123 të tilla në favor të socialistëve. Në Qarkun e Tiranës, partia e Edi Ramës mori 162757 vota ndërsa partia e Sali Berishës 161332 vota. Diferenca flet për një avantazh të lehtë të socialistëve me 1426 vota në këtë qark. Në zgjedhjet administrative të 8 majit 2011, nga të dhënat paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se Partia Socialiste ka grumbulluar në të gjithë Shqipërinë 426332 vota përballë 326917 votave të grumbulluara nga demokratët. Diferenca flet për një avantazh me 99415 vota në favor të Partisë Socialistë të së majtës. Në Qarkun e Tiranës, votat e marra nga socialistët në zgjedhjet e fundit ishin 136959 ndërsa demokratët grumbulluan në të njëjtin qark 113002 vota. Diferenca midis dy siglave politike në nivel qarku Tiranë është 23957 vota në favor të socialistëve. D.Malaj