Pronarët e “varrezave”: Qeveria nxitoi me vendimin
I njohur me vendimin e qeverisë për largimin e tyre të paktën një kilometër larg rrugëve kombëtare, pronari i një vendgrumbullimit të makinave të vjetra, Adriatik Haxho, mendon se ky vendim është i nxituar. Pronarë të tjerë janë ankuar jashtë kamerave se nuk kanë mundësi ekonomike dhe fizike për transportin e mjeteve të dala jashtë përdorimit në vendgrumbullime të tjera. Ata ankohen se konfiskimi i mallit dhe mbyllja e vendgrumbullimeve do t’i lërë pa punë dhe pa të ardhura. Problemi i varrezave të makinave është i hershëm për vendin tonë, ku shpesh herë është thënë se do të gjendet një zgjidhje për situatën, por që deri tani nuk është bërë asgjë. “Varrezat e Makinave” janë një biznes i njohur nga shqiptarët prej vitesh, pasi janë të shumtë qytetarët që përfitojnë nga këto shërbime, duke i konsideruar si më të lira. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi ana tjetër është kostoja që duhet të paguajmë në mënyrë direkte apo indirekte për ndotjen e mjedisit, prishjen e imazhit turistik të vendit dhe problemet e shkaktuara në qarkullimin rrugor.