Atentatori i Konomit, një emër i njohur i krimit nën vëzhgim
Grupi hetimor po heton në dy pista për zbulimin e vrasësve me pagesë të Skerdilajd Konomit. Dyshohet se një emër i njohur i botës së krimit ndodhej për disa ditë në Vlorë, para atentatit. Pista e dytë i çon hetuesit në vendin e origjinës së konfliktit
Tiranë Një javë pas vrasjes makabre të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, hetimet vazhdojnë të jenë ende në fazën e verifikimeve të informacioneve të mbledhura në rrugë operative. Duke kristalizuar thuajse përfundimisht çështjen e pronave, si motivin më të besueshëm të këtij krimi, hetuesit kanë mundur të sigurojnë informacione mbi të dyshuar të mundshëm si autorë të ngjarjes. Të dhënat e mbledhura momentalisht kanë çuar grupin e hetimit në dy vende të ndryshme, ku dyshohet se mund të ketë të dhëna për atentatorët e dyshuar të vrasjes. Pista e parë, që është ende në proces verifikimi, ka të bëjë më lëvizjet e dyshimta të një personi të njohur për botën e krimit, i cili ka qëndruar për disa ditë në qytetin e Vlorës, para vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Është mundur të verifikohet se personi i dyshuar ka qëndruar në këtë qytet, ku është parë edhe të pushojë në ambiente të ndryshme. E megjithatë, gjithçka po ndiqet në mënyrë vazhdueshme nga hetuesit, të cilët deri tani nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë provë që implikon direkt ndonjë emër të veçantë në ekzekutimin me eksploziv të gjyqtarit. Kjo pistë, sipas hetuesve, lidhet me mundësinë e një vrasjeje me pagesë, e cila dyshohet të jetë porositur pas konflikteve të pronësisë. Pista e dytë ka çuar hetuesit në vendin e origjinës së konfliktit. Bëhet fjalë për informacione të mbledhura po në rrugë operative, të cilat hedhin dyshime të forta se të paktën dy persona, banues në zonën e Hamallajt, mund të kenë informacione mbi autorët e mundshëm të vrasjes. Por edhe ky version, sipas hetuesve, është ende në proces verifikimi dhe asgjë nuk mund të thuhet me siguri. Ajo që konfirmohet nga hetimet e deritanishme ka të bëjë me mekanizmin e shpërthimit, i cili është aktivizuar nga një thirrje telefonike e kryer nga një celular ose telefon publik, pranë zonës ku ndodhi ngjarja. Hetimet e deritanishme kanë treguar se vrasësit, pavarësisht organizimit gati perfekt të atentatit, diku kanë gabuar dhe ky gabim po shfrytëzohet nga hetuesit për të shkuar në gjurmët e tyre. Përveç verifikimeve të çështjeve të pronësisë, ku ka qenë e përfshirë familja Konomi, një grup hetimor është angazhuar tërësisht në detajet teknike të ngjarjes. Ekspertët pritet të marrin nga kompanitë celulare të dhëna për numrat e telefonikë të personave të dyshuar, vendndodhja e të cilëve ditën e ngjarjes përcaktohet nga antenat telefonike të zonës. Këto të dhëna do të krahasohen me itinerarin e ndjekur nga gjyqtari Konomi paraditen e 9 shtatorit. Ai u nis nga banesa e tij në lagjen “Uji i Ftohtë” për të shkuar në punë në Gjykatën e Vlorës. Gjatë rrugës ka ndaluar për disa minuta në lagjen “Skelë”, ku ka pirë kafe me një mikun e tij dhe më pas ka hipur sërish në makinë, për të shkuar drejt Gjykatës. Pas disa metrash rrugë, automjeti me të cilin udhëtonte gjyqtari ka shpërthyer si pasojë e një sasie tritoli të vendosur në pjesën e poshtme të sediljes. Dyshohet se i gjithë itinerari i ndjekur nga gjykatësi është mbikëqyrur nga ekzekutorët, të cilët kanë shfrytëzuar një moment kur në bulevard nuk ka pasur shumë lëvizje, për të realizuar shpërthimin.