Lola Luma, modelja dhe aktorja që suksesin e ka gjetur në New York
blerand rexhepi
E bukur, mahnitëse dhe shumë e sinqertë, është kjo Lola Luma vajza shkodrane e famshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Modele dhe aktore, sfilon për kompaninë e famshme “Jovani”, ndërsa ëndërron të futet në garë te spektakli “Dancing with the Stars Albania”. Herë bjonde e herë brune, këtë radhë sexy, Lola vjen në një intervistë ekskluzive për “Panorama plus” së bashku me disa foto hot! Sezoni veror ka filluar, tani e tutje do të fillojë “zhveshja” e femrave shqiptare, duke nisur nga Lola…
Sa kohë u bënë që je duke jetuar në New York?
As shumë dhe as pak, vetëm 10 vjet!
Ke lindur atje, apo ke imigruar si shumë shqiptarë?
Unë kam lindur në Shkodër dhe më vonë kam emigruar drejt Amerikës për një jetë më të mirë.
Me kë jetoni, dhe ku është fokusuar aktiviteti juaj atje?
Këtu jetoj me të fejuarin tim i cili nuk ushtron profesionin tim, por që përbën një energji shumë pozitive në jetën time. Nuk parapëlqej të iki larg me punë sepse më merr shumë malli, kur jam larg njerëzve të zemrës. Maksimumi i kohës që kam qenë larg ka qenë 3 javë. Përzgjedhjen mundohem ta bëj në New York.
Ka qenë i vështirë fillimi, duke ditur që është një vend i madh, ku pa ndihmën e dikujt nuk mund të arrihet asgjë?
çdo gjë për mua ka ndodhur aq shpejt saqë nuk kam pasur kohë të mendohem. Amerikani ka një shprehje "Go with the flow", që do të thotë "Ec me rrjedhën”, dhe pikërisht këtë bëra dhe unë.
Kush ju ka ndihmuar në këtë drejtim?
Kujtoj kur erdha për herë të parë në New York. Përshtypja e parë që ke kur arrin në aty është sesa vend i madh është, të duket vetja si peshku në det.. E kam pasur gjithmonë ëndërr të modeloja por kurrë nuk do kisha imagjinuar që një ditë do punoja për Jovanin. Ishte një ëndërr, që më vonë u bë realitet nga Fadil Berisha. Kisha lënë një seancë fotografike me Fadilin dhe fotot që do të bëja do të përdoreshin për apartamentin tim në plazh. Disa ditë më vonë marr një telefonatë nga studio e Fadilit për të punuar me firmën e famshme të Jovanit. Kjo punë me të më ka sjellë shumë përfitime jo vetëm materiale, por dhe profesionale gjithashtu.
Je nga qyteti i Shkodrës, sa herë në vit e viziton vendlindjen?
Ohhh, e dua shumë Shqipërinë dhe e vizitoj të paktën një herë në vit. Nuk e di, por për mua nuk ka vend që e zëvendëson. çdo vit mezi pres që të vijë vera dhe të shkëputem nga puna e të vij atje. Vdes për bregdetin tonë të bukur. Këtë vit kam dëshirë të shkoj të vizitoj shtëpinë e fëmijëve "Zyber Halluni". Gjithmonë kur marr diçka nga jeta mundohem ta kthej mbrapsht në një mënyrë a një tjetër dhe ku ka më mirë sesa të vizitosh fëmijët e kësaj qendre.
Ke kontratë pune me shtëpinë e dizajnit “Jovani”. Sa zgjat kjo kontratë dhe sa është pagesa?
Jovani, duke qenë kompani e madhe, ka sesione fotografike të ndryshme të paktën një herë në tre muaj. është një shtëpi mode shumë produktive. Kjo kompani u themelua nga “Jakob Maslavi” dhe vazhdon nën kujdesjen e dy djemve të tij, Saul Maslavi dhe Abraham Maslavi. çdo fustan, kalohet në disa duar dhe kontollohet mirë përpara se të shkojë në produksion. E bukura e kësaj kompanie është se asnjëherë nuk të mërzit, por gjithmonë të mahnit me diçka të re.
Përveçse si modele, ju jeni edhe aktore, sa jeni e angazhuar në këtë fushë?
Të jesh mdele është shumë thjeshtë, mjafton të kesh pamjen e duhur dhe të dish të pozosh për kamerën. Zakonisht modelet janë si fasadë kurse aktorët kanë shpirt. Të jesh aktor duhet t’i përkushtohesh me shpirt e zemër këtij profesioni, duhet ta duash më shumë se vetveten.
Cilët janë rolet dhe punët që keni bërë si aktore atje?
Që kur kam nisur këtë rrugë kam marrë parasysh se nuk do jetë një fushë me lule. Dëshira, durimi dhe puna janë arma më e mirë në qoftë se do të korrësh sukses. Jam munduar t’i përkushtoj një kohë të mjaftueshme të jetës sime. Kohët e fundit kam marrë pjesë në shown televiziv "Light Out" dhe "Rescue Me".
Përveç aktrimit dhe modelimit, ke pasion edhe kërcimin. Ke ndonjë ëndërr të parealizuar deri më tani?
Kërcimi është pika ime e dobët. Ndoshta në jetën e kaluar mund të kem qenë kërcimtare. Nuk kalon një ditë që unë të mos kërcej, qoftë dhe në dush kur kam sytë e mbushur me sapun. Më pëlqejnë të gjitha kërcimet, sidomos “Jaive”. Jam fanse e çmendur e “Dancing With the Stars Albania”. Duke qenë se me Juljan Dedën kemi qenë në një shkollë në Shkodër, kam dashur që ai të fitonte, por kuptohet që Genta Ismajli ka qenë fantastike, ka kërcyer më mirë se kërcimtarët. Për mua do të kishte qenë një ëndërr e madhe, në qoftë se do të kisha mundësinë të vishja këpucët e kërcimtares në “Dancing With the Stars Albania”.
Ke një eksperiencë të bukur në shkollën për aktrim “Lee Strasberg”, çfarë do na zbulosh diçka interesante?
"Lee Strasberg" është një eksperiencë që çdo aktor ose aktore duhet ta provojë. Analizimi i çdo pjese është pika kryesore që kjo teori fokusohet. Kam pasur fatin e madh të kem si mësuese aktoren e madhe të Hollywood-it, Jennifer Esposito. Më ka ndihmuar pa masë në teknikat e ndryshme të aktrimit. Nuk parapëlqej të flas për të ardhmen sepse hapat i hedh me kujdes çdo ditë.
Në Shqipëri nuk të është dhënë mundësia të tregosh veten?
Deri tani kam ardhur në Shqipëri vetëm për pushime por në qoftë se do të kisha ndonjë ofertë të punës, pse jo, dhe mund ta merrja në konsideratë.