E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk jam më me Bledin e “Big Brother”, u riktheva tek ish i dashuri italian



Ermira Shpetimi

Në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt përmbushjes së dëshirave dhe ëndrrave tona, ka kaq shumë për të rrëfyer rreth përjetimeve dhe ndjesive personale, por edhe rreth zhgënjimeve, sepse nga njëra anë jemi ne që kërkojmë të shkojmë përpara me dashuri dhe sakrificë dhe nga ana tjetër janë Ata gjithnjë të gatshëm të paragjykojnë dhe të ngërdheshen sapo provojmë të hedhim një hap. E ndërkohë që flitet për civilizim, emancipim, thyerje tabush e hapje ndaj botës, Ata janë gjithnjë aty, të zellshëm për të bërë kritizerët dhe moralistët paçka se ajo çka duhej të bënin është thjesht të jetojnë dhe të lënë të tjerët ta bëjnë këtë. Ata kanë një “talent” të veçantë, të ta tranformojnë rrugën të cilën ti ke zgjedhur me dëshirë dhe me zemër, në udhën drejt ferrit. E më pas ndodh që modelet e optimizmit dhe vitalitetit, të kthehen papritur në disa krijesa të lodhura nga gjithçka dhe çdo gjë. Pak a shumë kjo i ka ndodhur edhe Alessias, autores italiane të programit “E Diell” e cila mbas dy vitesh punë në Shqipëri, ndjen që pak nga pak po i ikën dëshira për të qeshur dhe për tu ndjerë ajo që ka qenë gjithmonë. Kur ka provuar të flasë për jetën e saj jashtë profesionit, për jetën private, atë pjesë që shpesh na kuriozon të gjithëve, duket se Alessia ka harruar se është në Shqipëri dhe ka bërë një gabim shumë të madh, ka treguar të vërtetën…!!! Ka rrëfyer gjithçka që zemra dhe shpirti i saj ka ndjerë në ato momente, ka treguar se dashuron dhe ndjehet shumë mirë, por më pas ka pohuar se kjo ndjenjë mund të mbarojë një ditë pasi në jetë një histori dihet kur fillon por jo kur mbaron. E gjitha kjo ka krijuar një scook të madh, ndërkohë që miqtë e saj shqiptarë me siguri kanë menduar se tashmë ishte vonë që ta këshillonin miken e tyre se këtu është në vendin ku jeta private duhet fshehur pafundësisht ose duhet treguar disi e zbukuruar sepse përndryshe një opinion i tërë të vihet në shpinë. Në fillim Alessia, një grua tek të 40-at e cila rrjedh nga një familje e nderuar artistësh dhe nëna e një vajze 14 vjeçare, e mori me sportivitet gjithçka që mund të gumëzhinte pas saj, madje edhe ndonjë artikull gazete që nuk merrej thjesht me lajmin, por me komentet dashakeqëse. Por tani duket se e gjithë kjo situatë e ka lodhur. Ditë pas dite ajo po provon në kurrizin e saj pasojat e kontrastit mes dy kulturave, të vendit nga ajo vjen dhe Shqipërisë. Ja çfarë na rrëfen: “E si mund të pranoj të përshkruhem nga disa media si një grua që nuk jam? Nëse në dy vite qëndrimi në Shqipëri pata një lidhje disa javore me një fotograf dhe pak kohë më pas u fotografova në një pub teksa puthja një mikun tim pasi e kisha ekzagjeruar pak me alkoolin, çfarë ka këtu për tu skandalizuar? Jam një grua e lirë dhe kam nevojë të zbavitem pas orëve të gjata pune dhe lodhjeje. Nuk jam një tip që flirton në klube sa djathtas majtas edhe pse nuk i paragjykoj ata që e bëjnë këtë. Mendoj që në jetë njeriu ka nevojë të dashurojë shumë, të zbavitet dhe të bëjë gjithçka duke respektuar veten dhe tjetrin. Më vjen shumë keq sepse më kanë komentuar sikur unë kam më shumë të dashur në Tiranë sesa Alba Parieti në Itali. Nuk mund ta pranoj që të ndotin kështu dinjitetin e një gruaje dhe të një profesionisteje”. Këto janë fjalët e Alessias, kësaj gruaje të gjallë dhe tepër energjike e cila kur erdhi në fillim në Shqipëri u magjeps nga shpirti i madh i shqiptarëve, por që momentalisht duket shumë e zhgënjyer nga një pjesë e tyre. Ndërkohë pak kohë më parë u fol edhe për një tjetër lidhje të autores italiane me njërin nga pjesmarrësit e “Big Brother 3”, me Bledarin. Ja çfarë na tregon Alessia: “Po është e vërtetë, e kam njohur Bledarin dhe kam parë tek ai një djalë interesant, inteligjent, me shumë stil dhe shumë pasionant. Jemi frekuentuar dhe kemi jetuar disa javë intensive së bashku duke menduar se mund të lindë diçka e rëndësishme më pas”. Por çfarë ndodhi që lidhja me Bledarin mori fund duke zgjatur pak e shumë sa lidhja e saj me fotografin rreth një vit më parë? Ajo vetë na e tregon: “Nuk do ta besoni por tani jeta ime ka marrë një tjetër kthesë. Gjatë udhëtimeve të mia të shpeshta në Itali, jam ritakuar me ish të dashurin tim italian, Alessandron me të cilin kisha bashkëjetuar për tre vite. Pasi pranova punën në Shqipëri largësia na ndau. Mirëpo gjatë ritakimit tonë zbuluam se dashuria nuk ishte shuar dhe vendosëm që të ktheheshim bashkë. Kështu unë do të udhëtoj në Itali tek ai e ai do të vijë tek unë këtu në Tiranë. Mendoj se kam marrë vendimin e duhur për jetën time”. Dhe në fund Alessia tregon se pse pranoi të ndajë detaje të jetës së saj private me publikun ndërkohë që janë pikërisht mediat që e kanë mërzitur kaq shumë. “Doja të rrëfeja gjithçka dhe shumë sinqerisht, siç bëj gjithmonë në mënyrë që të vërtetën e jetës time njerëzit ta marrin vesh nga goja ime dhe jo nga fjalët dashakeqëse lart e poshtë”. – përfundon ajo. Ndërkohë Alessia Gregio mbaron këtë të dielë dhe sezonin e dytë të programit “E Diell” për tu rikthyer në shtator me këtë dhe me plane të reja televizive shumë interesante. Autorja italiane ka meritën absolute pasi ka sjellë në njërin nga ekranet shqiptare frymën perëndimore falë ekperiencës së saj në programet e njohura italiane, por mesa duket në përditshmërinë e saj jashtë profesionit, Alessia po jep një tjetër kontribut të madh, atë të rrëzimit të disa tabuve, për ta parë jetën e tjetrit me më shumë dashamirësi dhe jo me përçmim dhe urrejtje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›