E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londër, zbulohet dëshmia e rrejshme e Ruper Murdoch-ut

Gazetari 53-vjeçar, Clive Goodman, dëshmon se jo vetëm që ishin në dijeni, por edhe i miratonin këto veprime.

Skandalit të përgjimeve të paligjshme të “News of the World” nuk duket se po i vihet kapak. Një tjetër provë që ka dalë në pah, bie ndesh me deklaratën e mbajtur përpara parlamentit britanik nga manjati Rupert Murdoch dhe i biri i tij James, në lidhje me dijenitë që ata kishin me mënyrën se si vepronte tabloidi britanik”, shkruan e përditshmja spanjolle “El Pais”.

“Familja Murdoch dhe ish-drejtori i “News of the World” nga viti 2003 deri në vitin 2007, Andy Coulson, kanë dëshmuar rrejshëm kur janë shprehur se e përditshmja nuk ka përdorur përgjime të paligjshme. Me këtë dëshmi, ish-korrespondenti i tabloidit britanik që mbulonte rubrikën e “Familjes Mbretërore”, Clive Goodman, hedh poshtë pohimet e mbajtura nga krerët më të lartë të kësaj medie.

Ai shprehet se ishin të shumta ata që në redaksinë e këtij tabloidi ishin në dijeni të këtyre praktikave të paligjshme. Bëhet fjalë për përgjimet e jashtëligjshme që diskutoheshin në mbledhjen e së martës, ku merrnin pjesë personat përgjegjës të linjës editoriale. Ai shton më tej se kjo praktikë ishte “e njohur dhe e mbështetur edhe prej gazetarëve më të vjetër të tabloidit”, sipas të përditshmes britanike “The Guardian”.

Mbështetur në prova të dokumentuara e të siguruara prej “News International”, policia dyshon se drejtori i tabloidit të Rupert Murdoch-ut, Andy Coulson, ka dhënë miratimin për të përdorur fonde financiare për të korruptuar punonjësit e policisë. /Z.Gj/Start/

                                                                                             2011-08-16 16:23
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›