E Diel, 1 Nëntor 2026

Londra braktis Europën - një serial politik që u bën mirë të dyja palëve

22-06-2011 / Nga Richard Newbury

“Jashtë vendit është e tmerrshme. E di. Kam qenë”, tha mbreti-perandor Xhorxhi i V, gjyshi i dashur i Elizabetës II të Anglisë. Ai nuk kishte asnjë pikë të vetme gjaku anglez në venat e tij dhe si kushërinj të parë numëroheshin kaizeri Guglielmi dhe cari Nikola, por në këtë gjykim të mprehtë mbretëror reflektohej një bindje e plotë e nënshtetasve të tij. “Jashtë vendit” ishte “Kontinenti”. Siç shkruante titulli i një gazete: “Mjegull mbi Kanal, Kontinenti i izoluar”. Djali i tij, Xhorxhi i VI, e ka shprehur këtë humor në qershor të vitit 1940, duke deklaruar: “Më në fund vetëm. Nuk jemi më të detyruar të jemi të sjellshëm me asnjë të huaj të mallkuar”. Siç thoshte portieri i klubit Whites të St. James: “Mirë, jemi në finale dhe luajmë në shtëpi”.
Më shpesh, sidomos kohët e fundit, karikatura në një gazetë lexonte: “Më në fund vetëm. Të gjithë ne, 500 milionë”. Perandoria dhe Commonwealth që përfshinin ¼ e territorit dhe të popullsisë së globit, ishin territoret e bekuara të përtej detit. Kohët e fundit kur tre fëmijët e mi dhe miqtë e tyre anglezë, të gjithë fëmijë, shkonin në kampet e punës në Zimbabve, Kenia dhe Singapor, asnjë prind nuk u shqetësua, sepse fëmijët e tyre ishin në shtëpi. Por kur grupi lëvizi “jashtë vendit”, në Francë dhe në Itali, familjet u shqetësuan për sigurinë e tyre.
Humbja e Calais, prona e fundit kontinentale angleze në vitin 1558, si rezultat i martesës së të Përgjakshmes Maria I me Filipin II të Spanjës, i kishte dhënë fund një epoke, ndërsa lundrimi rreth botës i Frencis Drejk në vitet 1577-1580 kishte filluar një epokë tjetër. Fitimi prej 4700% i marrë nga mbretëresha e gjykata, u konsiderua nga John Maynard Keynes si kapitali i fillimit të Perandorisë britanike, i përdorur nga anijet që mundën armatën spanjolle dhe më pas për të ndërtuar kompaninë e Indisë Lindore. Anglia i ktheu shpinën Kontinentit dhe pagoi Frederikun e Madh për të mbajtur nën kontroll Francën, ndërsa në kulmin e luftës së 100 Vjetëve (1690-1815) me Parisin pushtohej India, Kanadaja dhe shpëtoheshin 13 kolonitë angleze në humbje.
Identiteti, më parë anglez e tani anglo-skocez, ose britanik, ishte falsifikuar në opozicionin kundrejt Spanjës e Francës, ideologjia e të cilëve perceptohej si absolutizëm katolik. Kufijtë-ende mjaft aktualë, u caktuan në ekonomi midis Colbert e Adam Smith dhe nëpërmjet revolucionit industrial e atij francez. Ideja e biznesit që asnjë fuqi nuk duhej të dominonte qasjen në portet kontinentale e nxiti Anglinë që të përfshihej, me kosto shkatërrimtare në njerëz e para, në aventurat perandorake të Gjermanisë, ushtarakisht të suksesshme dhe politikisht të pavend. Incidenti nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi alergjinë britanike kundrejt Europës dhe bindi anglezët në vitin 1941 të krijonin perandori dhe në qytetin e Nju Jorkut e Uashingtonit, se sa në Berlin.
Elita politike e viteve 70 besonte se Gjermania e kishte fituar luftën dhe për këtë arsye vendosi që të bashkohej – pavarësisht një mospajtimi të të gjitha palëve – në tregun e përbashkët europian. Kjo ishte pika e kthesës më e rëndësishme në politikën e jashtme angleze që prej vitit 1558. U miratua për një anëtarësim në një treg të lirë dhe jo si “një bashkim akoma më i ngushtë” dhe opinioni publik britanik i gjithë spektrit politik është ende duke e vuajtur.
Çdo vendim i Brukselit (tashmë një fyerje në Anglinë bashkëkohore) ose i Strasburgut nuk bën gjë tjetër veçse konfirmon, në sy të britanikëve, se çdo “bashkim më i ngushtë” do të praktikohet në kurriz të “Ligjit të Përbashkët” të sovranitetit parlamentar dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Nga sondazhet duket se për të rinjtë “Kalaja e Europës” është shumë provinciale për një ekonomi globale. Anglezët mund të blejnë shtëpi në Kontinent për të kaluar pushimet, por ndjehen në shtëpi në Australi ose në SHBA dhe në fakt emigrojnë shpesh drejt këtyre vendeve, me të cilët ndajnë sistemin juridik, politik dhe ekonomik. Sot, referendumi mbi BE-në i premtuar nga Kameron nuk praktikohet, si e vetmja parti pro europiane, LibDem është gjithashtu partner i koalicionit të qeverisë.
Po kriza europiane? E vetmja gjë për të cilën falënderohet sot Gordon Brown është se ka bllokuar ambicien politike te Blair për të hyrë në zonën e euros. Në vitin 2002 një raport i Bankës së Anglisë nuk e këshilloi bashkimin me monedhën e vetme nëse nuk shoqërohet me një bashkim fiskal ose politik. Gjithashtu, parashikoi për fundin e ciklit ekonomik në vitin 2010 dy variante, G ose I. G si Gjermania parashikonte se Berlini do ta thyente çatinë e sistemit euro, I donte të thoshte që Italia ose një prej vendeve të tjera të PIIGS, do të futej nëpërmjet një vrime në dysheme.
Ajo që e tha këtë ishte Londra, kryeqyteti financiar i botës për 300 vjet, me të gjithë paqartësinë që nënkupton ky reputacion. Nëse Mbretëria e Bashkuar do të ishte bashkuar me euron, sot do të kishte falimentuar dhe ndoshta rrëzimi i bankave të saj do të kishte provokuar një depresion global. Në vend të kësaj bëri atë që sot duhet t’i lejohet të bëjë Greqisë, Portugalisë dhe Irlandës. Ne kemi zhvleftësuar monedhën tonë me 20%. Subvencionimi bankar – apo shtete – të falimentuar do të thotë të vihen në rrezik të gjitha për një “rrezik moral”. Kapitalizmi vë në rrezik paratë tuaja që fitoni (ose humbni). Lëvizshmëria sociale e individëve dhe kombeve është rezultat i parimit “paraja i braktis shpejt idiotët”. “Nuk mund të shfrytëzoni tregun”: është një bindje e thellë anglo-saksone, që Kontinenti nuk e miraton deri në fund. 
Autori është historian dhe eseist britanik
Përgatiti: Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›