Përgënjeshtrimi i Kryeministrit Sali Berisha

Presidenti i ardhshëm do zgjidhet sipas Kushtetutës - njoftimet e mediave, përralla e rekorde dezinformimi
Kryeministria ka hedhur poshtë aludimet e bëra në media për ofrimin e postit të presidentit të ardhshëm opozitës. Në një deklaratë për mediat, Erla Mëhilli, zëdhënësja e Kryeministrit Sali Berisha, ka sqaruar opinionin në lidhje me lajmet e publikuar dje në dy të përditshme.
“Dy të përditshme shqiptare i kanë lejuar vetes t’i atribuojnë Kryeministrit një deklaratë, sipas të cilës Kryeministri është shprehur se do t’i ofrojë opozitës postin e Presidentit të Republikës”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së kryeministrisë, Erla Mëhilli. Gjithashtu, zëdhënësja e Kryeministrit sqaron se Kryeministri Berisha nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë.
“Kjo deklaratë është kryekëput trillim i këtyre mediave që thjesht shënon një rekord dezinformomi mediatik. Kryeministri ka qenë dhe është i palëkundur në qëndrimin e tij për respektimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës do të zgjidhet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Kryeministrisë.
Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat të hënën, kryeministri Berisha përsëriti ofertën e mazhorancës drejtuar opozitës, për hartimin e reformës elektorale.
Propozimi i Kryeministrit konsiston në miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar me 3/5 e Kuvendit, përfshirë dhe reformën zgjedhore, e cila mbetet edhe një nga kriteret e kancelarive perëndimore për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.