Londra mbështet 4 pikat e presidentit serb Tadiç

Britania e Madhe mbështet planin e ri katërpikësh të presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, për heqjen barrikadat në veri të Kosovës, zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik dhe shpërbërjen e strukturave paralele në Kosovë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë për “Kohën Ditore” se të katër pikat e propozuara nga presidenti i Serbisë jenë të njëjta me dispozitat e Planit të Ahtisaarit, prandaj Londra zyrtare nuk do të kundërshtonte diskutimin e tyre.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, javën e kaluar tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të zgjidhen nëse nëpërmjet një dialogu trajtohen katër çështje: një zgjidhje të veçantë për manastiret ortodokse serbe dhe administratën e tyre, garanci të veçantë për serbët në veri, zgjidhjen e çështjes së pronave të qytetarëve serbë të Kosovës dhe një zgjidhje speciale për veriun e Kosovës.
Ndërkohë Londra zyrtare e mbështet propozimin e Tadiç nëpërmjet ambasadorëve në Kosovë e Serbi. Fillimisht ka qenë ambasadori britanik në Beograd ai që ka dalë në mbështetje të planit, ndërkaq tek ka folur për “Kohën Ditore” të hënën, idenë e ka mbështetur edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff.