E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londra voton kundër, Asad fërkon duart

arbenNga Arben Manaj

 

Në një gjest demokratik spektakolar, Nëna e Parlamenteve të botës, ai britaniku, brenda procesit normal demokratik votoi të enjten në orët e vona kundër një mocioni të Kryeministrit Cameron për përfshirjen e Britanisë në sulmet e pritshme ushtarake kundër Sirisë dhe regjimit të Asadit, pas asaj që besohet gjerësisht se ai ka përdorur armët kimike ndaj njerëzve të pafajshëm.

Ky veprim vështirëson akoma më shumë dhe shton të panjohurat e levizjeve të rradhës, si dhe reagimeve të mundshme, qofte nga Britania, ashtu dhe shumica e vëndeve të mëdha të Perëndimit, që janë të vendosur kundër perdorimit të armëve kimike, që sipas të dhënave inteligjente të shërbimeve më të fuqishme në botë, mendohet se janë kryer nga regjimi i Asadit.

Arsyet e vendimit parlamentar britanik janë të shumëfishta. Ajo që dukshëm duket se ka ndikuar në ndërgjegjen e ligjvënësve britanik, duket se është ajo që dikush mund ta quaj reflektimi apo dikush tjeter kompleksi ndaj veprimeve të mëhershme të politikës britanike në konfliktet e së kaluarës, ku janë angazhuar trupat britanike.

Konkretisht, po i mëshohet episodit te Irakut, dhe vendimit të ish Kryeministrit Toni Bler, për të justifikuar përfshirjen britanike përkrah Bushit për të sulmuar Irakun, duke e bazuar argumentimin në një dosje, që më vonë rezultoi se ishte zbukuruar nga Londra.

Pavarësisht këmbënguljes së Kryeministrit Cameron për të ndëshkuar një regjim vrastar si ai i Asadit të Ri, këtij njeriu të lindur dhe të rritur në oborin e të Atit sundimtar të Sirisë, pushtetin e të cilit ai trashëgoi, deputetët në shumicë,  opozita e kompleksuar laburiste dhe ajo anti-luftë e liberal-demokratëve, partnerë të koalicionit, përfshi edhe një dorë konservatorësh britanik që mund të kenë nxjerr kunjën euroskeptike me Kryeministrin, bën që praktikisht Kasapi i Damaskut, të siguroi një tjetër qilim fluturues dhe frymëmarrje të mëtejshme për momentin.

I mbështetur nga Rusia, Irani, por edhe Kina në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me një retorikë të vjetëruar gjeopolitike dhe cinike ndaj fëmijëve që ngulconin për më shumë ajër në grahmat e vdekjes, pas sulmit kimik të  njeriut që nuk nxorri mësime nga fundi i Gadafit, kanakari i bredhur sirian dhe i martuar me britanike, Asadi, duket i qetë në pushtet edhe pse 100 mijë sirianë nuk janë më në këtë botë që kur filloi kryengritja kundër tij dhe regjimit që përfaqëson.

Padyshim Asadi dhe klani i tij politik fërkojnë duart nga rrjedhoja e një procesi demokratik, si votimi në parlamentin britanik në Londër të enjten në mbrëmje.

Dhe kjo është ironia e demokracise dhe autoritarizmit.

Pas shuplakës parlamentare të Cameron-it, duket se Britania nuk do të jetë pjesë e planeve të ardhshme ushtarake kundër Sirisë.

Mbetet të shihet nëse qeveria, ndryshe nga sa premtoi do, të përdor apo jo prerogativën mbretërore për të urdhëruar forcat ushtarake britanike për tu angazhuar në veprime ushtarake.

Po ashtu enigmë është dhe mbetet të shihet edhe se cilat do të jenë veprimet e mëtejshme të lojtarit kryesor në këtë lojë, amerikanëve, të cilët duket se kanë vendosur ti japin një goditje egzemplare Asadit.

Gjasat janë se Amerikanët do avancojnë, pavarësisht nga dështimi demokratik britanik.

Nga ana tjetër, kjo vote britanike zbeh unanimitetin e cfarëdo vote në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe i zgjat jetën regjimit të Asadit, duke i dhënë kohë borxh për të minimizuar dëmet e mundshme në instalimet ushtarake siriane që mendohet se do jenë në shënjestrën e sulmeve hipotetike amerikano-jo-britanike.

Historia ka treguar se sa herë janë ndërmarrë sulme të këtilla ushtarake ndaj regjimeve brutale, si në Afganistan, Irak apo Libi, ato kanë cuar në ndryshim regjimesh.

E vecanta e kësaj here ështe se pas shumë dekadash, britanikët janë vetmargjinalizuar për shkak të procesit demokratik, me të cilin zgërdhihet Kasapi i Damaskut, i cili ashtu si Milloshevici me Kosovën, pritej ose pritet ende të ndëshkohet ushtarkisht për arsye humanitare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›