Kush e bën kopilin, kujt ia lë në derë!
Çdo ditë e më tepër që i afrohet fundit të mandatit të tij si kryeministër, Sali Berisha po shton dozat e ngjalljes së ndjenjës së mosbesimit ndaj qeverisë së re, Rama. Nuk lë rast e vend pa shfrytëzuar, rrjete sociale apo mbledhje të qeverisë, për të sulmuar dhe akuzuar kundërshtarin politik. Nuk harroi ta bënte këtë as në mbledhjen e parafundit të qeverisë.
Në pjesën e parë, atë të hapurën për publikun, u morr mbarë e prapë me konferencën ndërkombëtare që organizoi PS-ja për çështjet e urbanizimit dhe të ekonomisë. Në vend që ta përshëndeste këtë nismë të mazhorancës së re, thurrte me mendjen e tij të çoroditur, komplote kundër Shqipërisë, afera me 20 për qindsha, vjedhje marramendëse, varfëri që do shkojë në skamje, errësira që do na rikthehet, e të tjera marrëzi që vetëm një mendje si ajo e Saliut mund ti pjellë.
Është shumë interesante të theksohet se në pjesën e dytë të mbledhjes, atë me dyer të mbyllura e jashtë vëmendjes së publikut, merrte vendime qeverie për të privatizuar dhe rrëmbyer edhe ato pak pasuri publike që i kanë mbetur vendit.
Pra, tabloja është e qartë: në publik do merret vetëm me Ramën, që vëmendja e qytetarëve të përqëndrohet në ato çka ai broçkullit ndaj tij; nën rrogoz do merret me interesat e veta personale dhe klanit që përfaqëson.
Po ti vini re akuzat e Berishës ndaj Ramës dhe qeverisë ende punëpanisur, janë po ato çështje me të cilat është ndeshur dhe akuzuar sistematikisht (me prova) qeveria Berisha dhe gjithë rrjeti i tij familjar e klanor.
Kur Berisha përmend atë punën e 20 për qindshit, e di shumë mirë se si funksionon, se ia ka treguar një pjesëtare e Familjes që kërkonte 3 milionë euro shpërblim që Babai ti mbaronte punë investitorit të huaj.
Po kështu, kur flet për grabitje të pasurive kombëtare që do të bëjë Rama (lexo: do të bëjë), Berisha ka parasysh mënyrat se si i ka privatizuar apo koncesionuar një sërë sektorësh të ekonomisë, shumë prej tyre, me karakter strategjik.
Berisha është në dijeni të situatës së rëndë ekonomike që po kalon Shqipëria. Rritja tej normave ligjore të borxhit, tregon më së miri se situata e likuiditeteve të qeverisë është e rrënuar. Ajo mbahet vetëm me serum, pasi borxhet janë si serumi për të sëmurin që lëngon në shtrat e nuk ka fuqi të mbijetojë veç trajtimit në mënyrë artificiale.
Në këto kushte, Berisha e di se sapo qeveria e re të vërë këmbë në institucionet e rrënuara financiarisht që po gjen, do të bëjë transparencën dhe do nxjerrë në pah të vërtetën e gjithë mashtrimeve të qeverisë në ikje. Dhe, për ti parandaluar kësaj situate, Berisha i paraprin me një fushatë propagandistike se qeveria e re do e çojë vendin në kolaps ekonomik. Pra, atë kolaps që e ka gatuar për 8 vite me radhë me dorën e tij, kërkon që tia lërë si kopilin në derë, qeverisë Rama. Është tipari dallues i abuzuesve me pushtetin që gjithë çkanë bërë vetë, ta paraqesin në publik si diçka që ka për ta bërë kundërshtari politik. Për atë publik që e njeh Berishën dhe psikologjinë e tij, deklaratave që ai bën, sidomos kohëve të fundit, sështë vështirë tua gjesh kuptimin pasi ato janë thjesht vetakuzim.
Tashmë, është e qartë kjo strategji e vjetër e një bajlozi, po të vjetër, të politikës shqiptare. Atë e tmerron e vërteta që do dëgjojnë shqiptarët, ajo e vërtetë që u ndrydh nga raportet fiktive të INSTAT-it dhe institucioneve të tjera në varësi. Për këtë, është i gatshëm të shpikë çdo lloj skenari të errët për Shqipërinë dhe tia dëshirojë qeverisë Rama një dështim sa më të parë.
Është, në fakt, smira e një njeriu shpirtlig, që kurrë smendoi për prosperitetin e qytetarëve dhe të vendit që i dha kaq shumë mundësi për ta drejtuar; është smira e një politikani shpirtvogël, që sia dëshiron të mirën dhe suksesin kundërshtarit edhe kur ky e mund me votë plebishitare; është smira e një matrapazi politik që e njeh shumë mirë vetveten, bëmat dhe gjëmat që ka bërë, dhe kërkon që edhe rivali politik të jetë po ashtu; është, në fund të fundit, smira e një kufome politike që ka mbijetuar për inerci këto 23 vjet duke shfrytëzuar në maksimum gjithë përvojën bolshevike të mbledhur gjatë kohës që i shërbente me devotshmëri regjimit komunist.
