Njerëzit në nevojë dhe portofoli i publikut
(Pse duhet bërë debat publik për skemat e përfitimeve sociale?)
Nga Gëzim Tushi
Besoj se sasia e madhe e njerëzve në nevojë dhe buxheti social i konsiderueshëm që harxhohet për ndihmë ekonomike, asistencë sociale dhe shërbime ndaj tyre, e bëjnë të domosdoshëm shikimin me shumë kujdes të këtij komponenti të pashmangshëm të shtetit të mirëqenies sociale. Nuk është hera e parë që diskutohet për raportin e njerëzve të margjinalizuar me shtetin social. Kjo është gjë e natyrshme të ndodhë në çdo kohë dhe jo vetëm kur ka rotacion politik dhe ndryshim të ngjyrës politike të qeverisjes së vendit.
Filozofi dhe politologu spanjoll, Josep Ramoneda duke vlerësuar aspektin delikat të çështjeve sociale në shoqëri, me shumë mprehtësi ka theksuar se ” Çështja e shtetit të mirëqenies përbën një shembull sesi krijohet një debat i rremë nga frika për ti quajtur gjërat me emrat e tyre. (J. Ramoneda, Fundi i pasionit politik, f 186)
Së pari është e nevojshme që të ripërkufizojmë saktë dhe në mënyrë të merituar njeriun në nevojë apo qytetarin e margjinalizuar që është objekt prioritar i skemave të mbështetjes sociale dhe politikave të përkujdesit shtetëror dhe shoqëror. Koncepti që identifikon njerëzit në nevojë duke i konsideruar ata të margjinalizuar, të përjashtuar apo të shmangur (outsiders) nga shoqëria, shpesh herë trajtohen pa konceptin e saktë dhe njohuritë e duhura profesionale nga politikanë, gazetarë, dhe administratorë të çështjeve sociale.
Është fjala se shpesh herë në koncept termi që ka një përmbajtje të caktuar numerike, demografike e financiare, përdoret në mënyrë të pasaktë. Këtu nuk është fjala për ndonjë manjakllëk sociologjik, tendencë për ekzigjencë nominaliste apo puritanizëm shkencor. Jo, fjala është se pas konceptimeve dhe përkufizimeve të pasakta, fshihen një varg problemesh sociale që mund të jenë të vërteta apo të papërcaktuara saktë nga pikëpamja sociale. Jo vetëm kaq, pas përkufizimit për këtë kategori, fshihen problemet e interpretimit të drejtë apo të gabuar të barazisë sociale, të nevojës për ta ndarë atë nga padrejtësia sociale.
Në të njëjtën kohë pas kufijve të ngushtë apo të zgjeruar të përkufizimit të këtij termi, fshihen fatura sociale të konsumuara nga buxheti shtetit, që jo vetëm nuk janë të vogla, por që duke qenë përfitime tërësisht jo kontributive, e kanë burimin e vetëm nga pagesat e vazhduara të taksapaguesit shqiptar. Të cilët më shumë se i japin taksat për fonde dhe ndihmë sociale, për ata që nuk janë tamam të margjinalizuar, i japin për zhvillimin e vendit, infrastrukturës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike në arsim, shëndetësi dhe çështjet sociale. Duke vlerësuar situatën e e pranisë në skemat e përfitimeve sociale të disa kategorive të njerëzve që përfshihen zakonisht pas një termi më të zbutur social, që nuk i quan të margjinalizuar por me tone eufemiste, njerëz në nevojë, është e sigurt që në këtë kategori sociale padyshim që përfshihen njerëz, masa të gjëra qytetarësh që përfitojnë më të drejtë mbështetje sociale.
Ata janë fëmijë jetimë, të moshuar të vetmuar pa përkrahje, gra të dhunuara, persona me aftësi të kufizuara, viktima të dhunës dhe trafikut të qenieve njerëzore, njerëz të kapur nga patologjitë apo të rënë në grackën e sëmundjeve të pasionit (droga, alkooli dhe prostitucioni). Në se do të bënim një prerje sasiore të termit të margjinalizuar, të përjashtuar apo të ekuivalentit të tyre duke i konsideruar si njerëz në nevojë, do të kuptonim se janë shumë ata që e përfitojnë në mënyrë të merituar këtë status social, të shoqëruar me mbështetje buxhetore të drejtë dhe të merituar. Ndërkaq është padyshim e vërtetë, që një pjesë e atyre që kanë hyrë në skemat sociale, janë përfitues dhe abuzantë të vjetër, që duhen pastruar si përfitues të padrejtë të fondeve të buxhetit të shtetit dhe rrjedhimisht të taksave të qytetarëve tanë.
Duke e vlerësuar integralisht madhësinë e skemës sociale, duhet thënë se në të janë rreth 100 mijë familje që çdo muaj marrin ndihmë ekonomike, rreth 160 mijë persona me aftësi të kufizuara, mbi njëmijë klientë që trajtohen me shërbime të plota rezidenciale në 26 Qendra Rezidenciale në të gjithë vendin, etj. Kështu që termin të margjinalizuar,të përjashtuar (outsider), apo njerëz në nevojë nuk mund, nuk duhet ta shikojmë pa bërë vlerësimin e duhur social dhe pa këmbëngulur fort për zbatimin e parimit të drejtësisë sociale në aspektin e përfitimeve financiare. Është e vërtetë që njerëzit përkohësisht në nevojë janë qytetarë të barabartë. edhe kur janë në kushte mungesash ekonomike apo të paaftësisë së përkohshme apo të përhershme. Ata padiskutim meritojnë përkrahje të merituar ligjore e financiare.
Por nga ana tjetër duhet menduar se çfarë duhet bërë në mënyrë që të kuptohet se kjo e drejte e përfitimeve të ndihmës dhe mbështetjes falas nga shteti dhe shoqëria, nuk është kurrë e pakufizuar në kohë, hapësirë dhe në dimensionin e kostos financiare.
Ndryshe ajo bëhet abuzive, jep efekte të kundërta sociale sepse bëhet një mjet i qartë i padrejtësisë sociale, që është revoltuese për qytetarin taksapagues dhe shtetin si përfaqësues i administrimit të drejtë të tyre. Ka një kohë të gjatë që megjithë ndërhyrjet, politikat, reformat e skemave sociale, akoma nuk është bërë e mundur të sigurohet përputhje adekuate e vlerësimit të njeriut në nevojë, me të drejtën e garantimit të përfitimit të mbështetjes sociale.
Sepse në këto skema padyshim shumica janë njerëz dhe qytetarë të ndershëm, që ju vjen keq për pozitën e margjinalizimit social dhe që nuk ndihen mirë, për faktin që janë të detyruar ti shtrinë dorën shtetit për ndihmë dhe mbështetje sociale të përkohshme, si mënyrë për të dalë nga situata e margjinalizimit, apo për të zbutur në një farë mënyre pengesat që vijnë nga mosha, sëmundjet sociale apo aftësia e kufizuar. Është fare evidente, që në skemat e përfitimeve jo kontributive, në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike, pagesat për aftësinë e kufizuar dhe në Institucionet e Përkujdesit Shoqëror, ka edhe qytetarë që përfitojnë në mënyrë të padrejtë (në kuptimin jo ligjor ose në raport me tagrin e të drejtës së përfitimit). Koha kërkon që për hir të drejtësisë sociale, përmirësimit të dinamikës së skemave të shërbimit social dhe rritjes së masës së pagesave për ata që vërtetë janë në nevojë dhe duhen mbështetur nga skemat sociale të shtetit, është e nevojshme të rishikohen thelbësisht parametrat social.
Së pari kuadrin ligjor që përcakton normat dhe kufijtë e familjes në nevojë apo të të individit të margjinalizuar, apo të klientëve përfitues të shërbimeve sociale në Institucionet Rezidencaile të Shërbimit për fëmijë, gra, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara. Kjo do të thotë se ligjet që përcaktojnë të drejtat e përfitimeve sociale për personat e margjinalizuar, apo ata që për arsye subjektive kanë shmangie sociale për shkak të viktimizimit të tyre nga sëmundjet e pasionit, duhen rishikuar mbi bazën e vendosjes pa lëshim të parimit të përfitimit vetëm mbi bazën e drejtësisë sociale. Politikat sociale janë politika standarde që bëhen në bazë të normave dhe mundësive sociale që ka shteti dhe shoqëria.
Në këto kushte politikat e shërbimeve sociale duhet të jenë standarde, të drejta, të limituara saktë, të kontrolluara ndaj abuzimit dhe përfitimeve të padrejta. Ato nuk duhen ngatërruar me politikat e mëshirës apo bamirësisë, për të cilat shoqëria ka në dispozicion institucione të tjera siç janë pushteti lokal, OJF-të, institucionet fetare dhe ato të bamirësisë sociale. Gjërat nuk duhen ngatërruar, sepse çdo ngatërresë sjell shthurje të sistemit të mbrojtjes sociale, çoroditje të njerëzve në nevojë, duke krijuar iluzione të kota, se me rrugën e përfitimit të padrejtë të ndihmës sociale mund të ecësh p