E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorenc-Gynter Këstner, një "Feliks Magat" për Shqiperine

/* */

Ish-trajneri i Volfsburgut, apo “ujqërve” siç është dhe nofka e skuadrës së njohur të Bundesligës gjermane, Lorenc-Gynter Këstner, i ka të gjitha shanset për të marrë në dorëzim Kombëtaren shqiptare dhe për t’u bërë trajneri i nëntë i huaj që do të drejtojë Shqipërinë, pas jugosllavit Broçiç, sovjetikëve Apuhtin dhe Ljukshinkov, hungarezit Vadash, italianit Dosena, gjermanit Brigel, holandezit Han dhe dy kroatëve, Bariç dhe Kuzhe, me këtë të fundit që sapo ka prishur në mënyrë konsensuale me Federatën Shqiptare të Futbollit, menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Europian 2012.

59-vjeçari, karriera e të cilit si trajner nisi para 30 vjetësh, në sezonin 1981-1982 me Bajern Hof, një ekipi që militon aktualisht në ligën e landit të Bavarisë. Në fakt, Lorenc-Gynter Këstner, i mbiquajturi “Magati i vogël” është kandidati potencial për të pasuar Josip Kuzhenë.

Të dielën, Këstner kreu ritin formal të bisedimeve direkte “kokë më kokë” me bosin e Federatës Shqiptare, Armando Duka, njëherësh edhe zyrtari i vetëm vendimmarrës ekskluziv në emërimin e trajnerit të Kombëtares, çka do të ishte i gjashti gjatë nëntë viteve të tij si president.

Këstner, i cili numëron 11 skuadra profesioniste dhe amatore gjatë karrierës së tij, përfshirë Këlnin, Hofenhajmin, Karlsruhen dhe Shtutgardin, ishte i preferuari i menaxherit të Volfsburgut, Ditet Hënes, për ta pasuar Armin Veh, pikërisht në post-sezonin kur “ujqërit” e Gjermanisë, mbronin titullin kampion të fituar një sezon më parë nën drejtimin e Feliks Magatit (2008-2009).

Me një eksperiencë të madhe si trajner, dhe i mësuar të sfidojë gjigantë të tillë si Bajern Munih apo Shalke 04, Këstner paraqet një alternativë reale për të pasuar bashkëatdhetarin e tij në bankinën e Shqipërisë, Hans-Petër Brigelin, njëherësh edhe trajneri më shumë ndeshjen në stolin e Kombëtares, 31 të tilla, dhe që mban edhe rekordin e më shumë pikëve të grumbulluara në një edicion kualifikues, 13, por dhe si i vetmi që ka mundur një ekip kampion të Europës, Greqinë (2-1, shtator 2004).

Është interesant fakti që, një ish-lojtar i Kombëtares gjermane, si Diter Hënes, e konsideron Këstnerin, si një njeri që mund të prodhojë stabilitet në skuadra të formatit të madh, nisur dhe nga fakti se Këstner është një njohës i mirë i mentalitetit të lojtarëve, dhe për më tepër shumë i disiplinuar.

Gynter Këstner, një ish-mesfushor, fitues i dyfishtë si lojtar i Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë në vitin 1975 me Borusia Mënshengladbah, ka fituar si bashkëtrajner kampionatin gjerman me Shtutgardin në vitin 1992.

Gjithsesi, me “patentën” si trajneri i i ekipit të dytë të Volfsburgut, Këstner, ka të ngjarë të pranojë ofertën e ulët financiare të Federatës Shqiptare të Futbollit, që sipas bosit Duka, mund të jetë në kufijtë 15-18 mijë euro në muaj (Kuzhe paguhej 15 mijë euro).

Gjatë intervistave të shumta të tij për mediat gjermane, Këstner ka pohuar se i beson shumë përvojës së lojtarëve, por dhe transmetimit të eksperiencës te lojtarët e rinj, por për të karakteri i futbollistit do të thotë shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›