E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënder Gega: Rusia është një superfuqi, por ne mund ta ndalim

/* */

DASH FRASHËRI- Shqipëria U-21 do të luajë të enjten kundër Rusisë (16:00) dhe katër ditë më pas ndaj Portugalisë (19:00), po në “Niko Dovana” të Durrësit, në ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2013 të kësaj grupmoshe. Rusia dhe Portugalia kryesojnë grupin e 6-të, respektivisht me 9 dhe 6 pikë. Rusia është një superfuqi, por në futboll gjithçka është e hapur për çdo rezultat. Nëse do të dorëzoheshim pa luajtur kot që do të hynim në fushë”, - tha për gazetën “Telegraf”, ish-mbrojtësi i fortë dhe simpatik i Partizanit (1983-1991) dhe i Kombëtares shqiptare (10 ndeshje). Ekipi ynë Shpresa, në tri ndeshjet e drejtuara nga Artan Bushati ka grumbulluar vetëm 3 pikë nga 3 ndeshjet që ka zhvilluar: një fitore me Moldavinë (4-3) dhe dy humbje me Poloninë (3-0 dhe 4-3). Trajneri i ri i Kombëtares U-21, Skënder Gega, beson te grupi i 25 lojtarëve që ka thirrur, teksa shtatë prej tyre luajnë në kampionate të huaj, 4 në Zvicër, 2 në Greqi dhe 1 në Itali. “Këtë radhë kam ftuar edhe pesë lojtarë nga Kombëtarja U-19 (Kaloshi, Qaqi, Fejzullahu, Deliallisi dhe Hoxha), me synim që dhe ata të ingranohen me grupin e U-21”.

Trajner Skënder Gega, Kombëtarja U-21 do të luajë të enjten kundër Rusisë (16:00) dhe katër ditë më pas ndaj Portugalisë (19:00) për eliminatoret e Kampionatit Europian 2013 të kësaj grupmoshe. Këto do të jenë dhe dy ndeshjet tuaja të para si trajneri i Shpresave. Cila është gjendja aktuale e skuadrës?
Sigurisht, skuadra është në formë të mirë, pavarësisht se do të doja të kisha më shumë kohë përgatitore në dispozicion. Do të mundohem që kundër këtyre dy ekipeve të japim maksimumin dhe të bëjmë një figurë të mirë kundër këtyre dy gjigandëve dhe të shënojmë një progres në paraqitjen tonë. Pas këtyre dy ndeshjeve me Rusinë dhe Portugalinë, do kemi një program të qartë, pasi takimet rifillojnë qershorin e vitit të ardhshëm (6 qershor, Portugali-Shqipëri).

Si do ta konsideronit ndeshjen kundër Rusisë. A kemi shanse reale për të përballuar një nga skuadrat më të forta në Europë?
Jam i vetëdijshëm, ashtu si edhe skuadra, se jemi përballë dy ndeshjeve shumë të forta, kjo dhe për faktin se Rusia ka parë pikët maksimale nga tri ndeshjet e para (3 ndeshje, 3 fitore). Sot për sot, Rusia mund të ketë ekipin më të fortë në Europë për 21-vjeçarët. Gjithsesi, kam parë ndeshjen midis Rusisë dhe Portugalisë (2-1) dhe kam krijuar një mendim për të dyja skuadrat. Rusia është një superekip. Luan mirë taktikisht dhe është e fuqishme. Nëse me U-19, Rusia nuk mori asnjë pikë në grupin e saj, me U-21 janë një ekip komplet tjetër. Fakti, që fituan 2-1 në Portugali, me një lojë bindëse është shumë domethënës.

Ekipi ynë, në tri ndeshjet e drejtuara nga paraardhësi juaj Artan Bushati ka grumbulluar vetëm 3 pikë nga 3 ndeshjet që ka zhvilluar. A shërben kjo si një bazë për rifillim pozitiv?
Besoj se po. Shpresa jonë ka një grup të mirë lojtarësh. Asaj që unë i frikësohem është përshtatja në lojë me njëri-tjetrin. Sa më mirë të funksionojmë si grup, aq më rezultativë dhe efikasë do të jemi në lojën tonë. E ripërsëris, nëse do të kishim pak më shumë kohë jam i bindur se do të bënim gjëra të mira, se çfarë ata kanë dhënë. Duke u rikthyer te ndeshjet me Rusinë dhe Portugalinë, është pak e vështirë ta parashikosh se çfarë mund të ndodhë.

A kemi forcë për ta përballuar Rusinë?
Edhe pse jemi dy shtete me madhësi dhe numër lojtarësh krejtësisht në raporte të ndryshme, jam i bindur se nëse japim maksimumin tonë mund të bëjmë. Rusia është një superfuqi, por në futboll gjithçka është e hapur për çdo rezultat. Nëse do të dorëzoheshim pa luajtur kot që do të hynim në fushë. Unë jam optimist për faktin, se secilit do t’i marr maksimumin.

Sulmuesi Armando Sadiku është dhe shënuesi më i mirë i Kombëtares U-21, me katër gola në tri ndeshje. Bekim Bala udhëheq sulmin e Tiranës, ndërsa Armando Vajushi, Vllazninë. Sa besim ju krijojnë?
E konsideroj një gjë shumë pozitive, që një anëtar i Kombëtares sime të gëzoj një formë shumë të mirë. Do të isha i kënaqur që kjo formë e tij të reflektonte edhe në skuadër, por të mos harrojmë se ne do të luajmë kundër Rusisë, një ekip tepër i vështirë dhe kërkon një impenjim më të madh se te skuadrat ku militojnë.

Gega, ju arritët rezultate të mira me Kombëtaren U-19, në kualifikueset në Austri, teksa jemi shumë afër kualifikimit për në Elite Round. Sa do t’iu vlejë kjo përvojë të U-21?
Te U-19 pata më shumë kohë për ta përgatitur dhe ishte më e lehtë për t’i organizuar, pavarësisht se ne patëm një grup shumë të vështirë, Danimarkën dhe Austrinë. Sigurisht, që ajo përvojë do të më vlejë jo pak. Sigurisht, që të punoj me U-21 është përgjegjësi më e madhe.

U-21, EURO 2013
GRUPI 6

NDESHJET
Shqipëri-Poloni         0-3
Shqipëri-Moldavi     4-3
Poloni-Shqipëri        4-3

Shqipëri-Rusi        10.11.2011
Shqipëri-Portugali    14.11.2011
Portugali-Shqipëri    06.06.2012
Rusi-Shqipëri        12.06.2012
Moldavi-Shqipëri        06.09.2012

RENDITJA
Rusia         3    9
Polonia         4    7
Portugalia         3    4
Shqipëria         3    3
Moldavia         3    0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›