E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana: Me Marsejën dua të fitoj Kupën UEFA

Në vitin e tij të fundit tek Olimpik Marseja, Lorik Cana synon të fitojë të paktën një trofe të rëndësishëm. Në mënyrë të përsëritur, mesfushori shqiptar ka deklaruar se në fund të sezonit do të largohet në një kampionat më të fortë se Liga 1 franceze dhe ofertat nuk mungojnë. Bajerni i Mynihut, Reali i Madridit, Arsenali, Evertoni dhe Roma interesohen për 25-vjeçarin, që tashmë duhet të zgjedhë opsionin më të mirë. Por, për të mbyllur sa më mirë aventurën marsejeze, kuqeziu kërkon të ndihmojë klubin drejt suksesit. Objektivi kryesor mbetet arena ndërkombëtare edhe sepse dominimi i Olimpik Lionit në kampionat duket i pathyeshëm. Për të konkurruar për titullin, më parë skuadra e Erik Gerets duhet të evitojë hapat e gabuar dhe të shpresojë se Lion do të humbasë pikë gjatë rrugës. "Lioni ka ende diçka më shumë se ne. Ata kanë nga një ‘hile të vogël‘ në çdo repart të fushës, por kjo sjell diferencën me skuadrat e tjera. Në klasifikim nuk ndodhemi larg, por nuk mund të themi nëse jemi ende në garë për titull", tha Cana. Më tej, kapiteni i Marsejës pohoi se skuadra e tij ka më shumë talent se rivalët, por ajo që mungon është eksperienca. Aq i bindur është shqiptari te potenciali i ekipit sa shton: "Ne kemi më shumë talente, por ata (Lioni) dinë të mbajnë kryesimin. Me kualitetin që kemi në skuadër mund të luftojmë për të fituar Kupën UEFA. Mendoj se kemi shanse reale për të pretenduar këtë trofe". Megjithatë, më parë të besuarve të Gerets u nevojitet një rezultat pozitiv përballë Atletiko Madrid, në ndeshjen e fundit të Grupit D në Ligën e Kampioneve. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të sigurojnë kalimin në UEFA (dhe nëse PSV humbet me Liverpulin).

Më tej, Cana ka folur me tone të ashpra ndaj mediave, që vazhdojnë të kritikojnë skuadrën për problemet në mbrojtje. Në 16 ndeshje, Marseja ka pësuar 20 gola: mesatare e lartë për një skuadër që pretendon të jetë në luftën për titull. "Ajo që më mërzit është se bëhen gjithmonë të njëjtat kritika, përfundoi ai. Flitet se jo të gjithë kontribuojnë në fazën mbrojtëse. Megjithatë, në futboll rezultatet pozitive nuk vijnë nga dy vrapime më shumë. Kemi mbi të gjitha një problem psikologjik, asgjë më shumë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›