E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ana e panjohur e Musolinit

Antisemitizmi i Adolf Hitlerit ishte objekt sarkazmash për Benito Musolinin. Në fillim të viteve ‘30, diktatori italian besonte se do të arrinte ta bindte diktatorin e ri gjerman të eliminonte përbërësit antihebrenj të programit nazist. Ky aspekt, tërësisht i panjohur i ndjenjave të Duçes për sa i përket antisemitizmit nazist, del hapur në biografinë e Musolinit që Margarita Sarfati, shkroi në Argjentinë pas 25 prillit dhe pushkatimit të "themeluesit" të fashizmit. Libri, i zbuluar këto kohët e fundit, mendohet se do të dalë në shitje vetëm në prillin vitit 2009. Më parë, ishin botuar në spanjisht disa pjesë në gazetën "Critica" të Buenos Ajresit, ku Sarfati u vendos pasi u largua nga Italia. Të gjithë e mbajnë mend se kjo grua inteligjente dhe me kulturë, ishte e dashura e Musolinit për më shumë se 20 vjet. "Mendja ime është më superiore se mendja e atij. Unë jam më i zgjuar", thoshte Duçe, duke iu referuar diktatorit gjerman, pasi e pati takuar në Venecia në vitin 1934. Në atë kohë, Sarfati ishte në SHBA për një vizitë dhe Musolini i tregoi pas rikthimit të saj në Romë se Hitlerit "i mungon mprehtësia mendore, nuk përshtatet me realitetin që ndryshon". Duke cituar fjalët e tij, ajo shton: "Fyhrer nuk të lë kurrë të flasësh dhe asnjëherë nuk dëgjon asnjë". Në biografi tregohet edhe për një veprim të turpshëm që Duçja kishte bërë pas nisjes së diktatorit gjerman nga Venecia dhe thekson se si takimi me Hitlerin e kishte ndryshuar "themeluesin" e fashizmit: "Mësova të mos dëgjoj asnjë", thoshte Musolini. Sarfati dëgjoi për herë të parë të flitej për Musolinin nga bashkëshorti i saj, një avokat radikal që mbrojti djaloshin socialist në procesin për rebelim, krim për të cilin ishte inkriminuar në vazhdim të trazirave dhe kryengritjeve kundër luftës në Libi. Mes shumë grave të joshura seksualisht nga Duçja, Sarfati ishte ajo që pati më shumë sukses, pasi ushtroi të gjithë influencën e saj dhe zgjuarsinë jo vetëm mbi të, por edhe për krijimin e imazhit të regjimit fashist. Këtë e tregojnë më së miri faqet e "Dux", biografia e parë që ajo shkroi në vitin 1926, e cila u ribotua në vitin 1982. Dhe për të korrigjuar ato që kishte shkruar atëherë (dhe për të treguar shumë shpresa dhe të fshehta të diktatorit) vendosi të shkruante librin e ri pas vdekjes së Duçes. Për këtë ishte në dijeni edhe historiani i fashizmit, Renzo de Feliçe, autor i biografisë monumentale për Musolinin, që kishte ndërmend të analizonte faqet e kësaj vepre, por që nuk ia arriti dot për shkak të vdekjes së parakohshme. Përveç tregimeve për raportin me Hitlerin, shkrimi i Sarfatit është i mbushur me detaje që ndërtojnë një imazh krejtësisht të panjohur dhe të pazbuluar më parë për Musolinin. Mes rreshtave, lexon se ishte aq i fiksuar për rininë, saqë kjo gjë e shtynte drejt marrëzirave të tilla. Për këtë arsye, i ndalonte gazetat të shkruanin për datëlindjen e tij, apo të flisnin për fëmijët e rritur që i kishin dhënë shumë nipër. Aty thuhet se i urrente personazhe si Italo Balbo dhe Xhuzepe Grandi, sepse, meqenëse ishin dhjetë vjet më të rinj në moshë se ai, mund të arrinin të bëheshin të suksesshëm. Për më tepër, arrihet të zbulohet për nevojën e tij të madhe për t‘u bërë i famshëm, gjë që e bënte të rrethohej vazhdimisht nga njerëz mediokër që nuk e kundërshtonin kurrë për asgjë. "I bënte që të luanin rolin e nxënësve në çdo lloj disipline, nga kalërimi deri te drejtimi i makinës", shkruan Sarfati. Dhe kur i binte violinës, thotë biografia, nuk donte kurrë shoqërues. Kur ajo ndodhej në Berlin, ai e mori në telefon për të luajtur për të një pjesë nga Ludvig van Bethoven në versionin e saj për violinë. Për shumë vite me radhë, i telefononte vazhdimisht të paktën një herë në ditë dhe është interesante të dihet se si ai, me një me mendjemadhësi thuajse prej maniaku, këmbëngulte se kërkonte që ta paguante personalisht faturën e çdo telefonate. Në biografi, nga familja e Musolinit, kemi një panoramë të trishtuar. Fëmijët, sipas biografisë, u rritën në mungesë të plotë higjiene nga Rakel, një grua e rreptë që ai e urrente, dhe për shkak të saj, qëndronte deri natën vonë në zyrat e "Pallatit Venecia", për të qenë i sigurt se ishte në gjumë në kohën kur kthehej në shtëpi. Aty tregohet se si një natë, Rakel e ndoqi bashkëshortin me një pistoletë; për të bijën Eda, së cilës shkrimtarja i mësoi se si të përdorte furçën e dhëmbëve. Për të thuhej se i pëlqente shumë të flirtonte me meshkujt dhe kur u kthye nga Brazili, la pas një mal me skandale për veten. Sipas Sarfatit, Duçja donte që Eda të martohej me kontin Orsi Mangeli të Forlit, por familja e tij e pengoi dhe Musolini i hodhi sytë nga Galeazo Çiano, duke e pranuar si një pasardhës me zemër të butë dhe pa ambicie.

Sarfati pranon se është e vështirë të flasësh për Klareta Petaçin pas vdekjes së saj. Ajo mbron me forcë se ishte kundër masakrimit që iu bë kufomës së saj në sheshin "Loreto", por nuk lë pa theksuar faktin se familja e saj përfitonte financiarisht nga lidhja e saj me Duçen. Sipas shkrimtares, (e cila u largua nga Italia në vitin 1938, edhe pse Musolini do të kishte dashur ta mbante në fillim me të mira pastaj me kërcënime), Duçja mund të kishte qenë "tirani i mirë", i italianëve. Ishin Hitleri dhe çmenduria politike e Gjermanisë ata që e "rrënuan". Libri, që nuk është publikuar ende, mendohet se do të shkaktojë shumë polemika. Në të gjendet edhe një ese e Brian Sullivan, historiani amerikan i specializuar në studimet mbi fashizmin dhe autor i biografisë së parë të Sarfatit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›