E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e nje kercenimi

Serbia, pas fitores së parë diplomatike, votimit të rezolutës serbe për shqyrtimin e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, po përgatit festën për një fitore të dytë, aprovimin nga OKB-ja të planit djallëzor për ndarjen e Kosovës. Festën e parë ia prishi disi njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi dhe IRJM-ja, që Serbia historikisht i pati konsideruar si shërbëtorët e saj në vrasjen dhe

persekutimin e shqiptarëve. Por kjo "tradhti" nuk erdhi as si fryt i një dashurie të re të për shqiptarët që konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë në këto vende dhe as si rezultat i diplomacisë shqiptare. Ajo ishte thjesht rezultat i aspiratave të këtyre vendeve për t‘u anëtarësuar në BE e NATO.

Diplomacia shqiptare, për të qenë të sinqertë, i bëri disa tentativa për ta penguar kalimin e rezolutës serbe në OKB, por ato ishin të pafuqishme sepse qenë të minuara që nga koha e negociatave dhe e pranimit pa kushte të planit të Ahtisarit. Që në momentin e negociatave Serbisë i duhej hequr mundësia e refuzimit të pavarësisë së Kosovës, duke i imponuar si zgjedhje të mundshme formimin e shtetit të ri ose bashkimin natyral të dy pjesëve më të mëdha të kombit shqiptar. Roli i Shqipërisë duhet të ishte shumë aktiv dhe mbi të gjitha shumë më agresiv në kohën e negociatave të drejtuara nga Presidenti Ahtisari. Kurrsesi, Tirana zyrtare nuk duhet të pajtohej me mungesën e saj në tryezën e negociatave dhe akoma më pak me imponimin për mosbashkim kombëtar. Në vend të ngritjes së zërit, politikanët tanë u sollën si struci, duke mohuar deri edhe ekzistencën e ëndrrës së çdo Shqiptari të vërtetë. Ndaj në negociata, kjo sakrificë madhore e jona, jo vetëm nuk u shpërblye, por përkundrazi, çështja e bashkimit u kthye në një çështje tabu.

Serbia, duke përfituar nga përulja jonë, pati guximin e çmendur ta refuzojë pakon e Ahtisarit, që duhet të ishte një ëndërr e paarritshme për xhelatët e Ballkanit. A do e imagjinonte kush që gjermanëve të Polonisë apo Francës t‘u jepeshin pas Luftës së Dytë Botërore, të drejta si serbëve të Kosovës? Të drejta të tilla as që krahasohen me ato të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovën Lindore apo në Mal të Zi, po as në IRJM ku janë popull përbërës. Kështu, ajo që duhet të ishte pikësynimi i negociatave të palës serbe u kthye në pikësynimin e palës shqiptare.

Ky qëndrim i politikanëve tanë ka si strumbullar paralelizmin midis Serbisë së madhe dhe bashkimit tonë kombëtar, me anë të të cilit ndonjë ndërkombëtar naiv apo i paguar ka arritur të trembë politikanët tanë. Por ky paralelizëm është

po aq absurd sa ai midis dy njerëzve që duan të bëhen të pasur, njëri duke vrarë, plaçkitur e dhunuar dhe tjetri duke punuar ndershmërisht dhe duke respektuar të tjerët. Politikanët tanë nuk janë aq budallenj sa të mos e kuptojnë një gjë të tillë, por ata nuk guxojnë t‘i kundërshtojnë ndërkombëtarët se kanë si pikësynim të fitojnë konkursin e servilizmit që do t‘u siguronte mbështetje në zgjedhjet e radhës, e jo mbështetjen e çështjes kombëtare.

Kjo ka bërë, që sot serbët të kërkojnë gjithmonë e më tepër. Pas aprovimit të planit 6-pikësh të Ban Ki Mun, që është baza politike e ndarjes së Kosovës, ata kërkuan së fundmi rishikimin e marrëveshjes së Kumanovës. Pra, kërkojnë legjitimimin e një ndërhyrje në veri të Kosovës, sipas modelit rus në Gjeorgji. Në qoftë se sot kjo marrëveshje mbron disi Kosovën e detyruar për të mos pasur ushtri (këtu prapë është evident fakti që viktima, Kosova, trajtohet njëlloj si xhelati i luftës së dytë, Gjermania), nesër tanket serbe do e kishin shumë të lehtë të penetronin në veri. Askush nuk është aq budalla sa të mendojë se ushtarët francezë apo çfarëdo qofshin do luftojnë e do jenë gati të vriten për të mbrojtur Kosovën.

Këto parashikime, politikanët tanë i quajnë skenarë katastrofikë, që i shpikin djem si Albin Kurti dhe tërë ata që mbështesin lëvizjen Vetëvendosje (që s‘janë gjë tjetër veçse shqiptarë jo të përgjumur që kanë kuptuar se kanë të drejtë të thonë se si duan të jetojnë). Ndaj bëjnë ç‘mos që të margjinalizojnë çdokënd ngre zërin në emër të të drejtës së popullit të Kosovës dhe të përgjumin popullin me idenë se SHBA-ja dhe BE-ja i tremben ndarjes së Kosovës se ajo do të sillte rishikimin e tërë kufijve në Ballkan. Por kjo nuk është tamam kështu. Vërtet, ata i tremben rishikimit të kufijve, por kjo do të ndodhte vetëm në qoftë se shqiptarët do kishin forcën e mjaftueshme për të negociuar bashkimin e tërë trojeve shqiptare në rast të ndarjes së Kosovës. Përndryshe, do kemi veç rishikim të kufijve të Kosovës dhe e vetmja forcë që do përdoret do jetë ajo ndaj protestuesve shqiptarë si në shkurt gjatë protestave paqësore të Vetëvendosjes ku policia e UNMIK-ut shtoi listën tepër të gjatë të dëshmorëve.

Përgjumja, është një faktor shqetësues që fatkeqësisht na ka karakterizuar këto vitet e fundit (që prej fundit të luftës në Kosovë). Më tepër kemi shpresuar te mbështetja e ndërkombëtarëve se sa kemi punuar për zgjidhjen e problemeve kombëtare. Jo se zgjidhja e problemeve mund të arrihet pa ndihmën e partnerëve strategjikë, por kjo ndihmë nuk mund të konsiderohet e fituar apriori. Ajo varet kryesisht nga faktori gjeopolitik dhe ai ekonomik. Për të dy këta faktorë duhet një qëndrim konstant që bazohet në interesat madhore, të cilat nuk përputhen kurrsesi me servilizmin e politikanëve. Flitet shumë për interesat gjeopolitike amerikane në Ballkan. Është evidente që ne jemi populli më pro-amerikan në Ballkan (për të mos thënë në botë) dhe kjo edhe falë mbështetjes amerikane në momente kyç. Por është gjithashtu shumë evidente se fati i shqiptarëve nuk është një prioritet për ta. Ndaj në momente kur Rusia apo BE-ja kërkojnë lëshime ndaj Serbisë ne duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm që këto të mos bëhen në kurrizin tonë. BE-së, një dreq e di përse, i është mbushur mendja se s‘mund të bëjë pa Serbinë. Ndaj sa herë del një personazh politik në Serbi që thotë dy llafe të mira për BE-në, ata sulen me vrap për t‘i bërë lëshime që janë direkt apo indirekt në kurriz të Kosovës. Në qoftë se ne vazhdojmë të flemë me mendjen top se kemi Amerikën, zgjimi rrezikon të jetë shumë brutal.

Nuk dua të them se ne duhet të luajmë rolin e lavires që flirton herë me njërin e herë me tjetrin, (siç e bën ndonjë vend i BE-së e NATO-s që vazhdon të blejë armë në Rusi) por në asnjë mënyrë nuk mund të luajmë rolin e atij qenit të bindur që shtrihet me urdhër. Detyra e politikanëve tanë është që të shfrytëzojnë sa më mirë atë ç‘ka ne u ofrojmë partnerëve tanë. Ndaj privatizimet apo projektet madhore duhet të realizohen me partnerë strategjikë në mënyrë që të na sigurojnë mbështetje të palëkundur. Serbia privatizoi disa sektorë strategjikë (telekomunikacionin dhe naftën) dhe nuk pyeti për çmimin po ia dha Rusisë e në këmbim siguroi një mbështetje, që askush nuk e imagjinonte kaq të qëndrueshme. Rruga Durrës-Prishtinë, vërtet po na kushton shumë shtrenjtë, por të paktën çmimi i paguar duhet të na kishte siguruar një pavarësi të sigurt dhe të pacenueshme për Kosovën.

Akoma më flagrant është rasti i termocentralit Kosova C, ku Shqipërisë iu ndalua pjesëmarrja në investim me urdhër. Po të shtojmë edhe impaktin ekologjik të këtij projekti, llogaritë dalin akoma më të disfavorshme.

Ata që kanë negociuar këto projekte (e të tjera si këto) duhet të japin llogari e nuk mund të mjaftohen me tundjen gjatë fushatave të ndonjë fotoje ku ky apo ai President a Kryeministër i ka begenisur.

Nga rruga pa krye ku na kanë futur politikanët tanë, nuk dilet duke ndenjur e akoma më pak duke kritikuar protestat e Vetëvendosjes apo deklarata si ajo e z. Krasniqi, me pretendimin se po na idhnojnë partnerët tanë. Përkundrazi, vetëm duke ngritur zërin do rifitojmë kredibilitetin që na kanë humbur politikanët. Ndryshe do jemi si gjithmonë në këto 100 vitet e fundit, mall për kompensim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›