E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa na duhet një "Obama"!?

Edhe pse ka kaluar pak kohë, zgjedhja e Barak Obamas si President i Shteteve të Bashkuara vazhdon të frymëzojë optimizëm në mbarë botën. Mendimi se ndryshimi është i mundur, se ka gjithmonjë një të ardhme më të mirë, se mundësitë janë pa fund dhe politika mund të bëjë edhe të mira, përshkoi si një drithërimë entuziaste individë dhe shoqëri të tëra. Ǒështë e vërteta u duk qartë se të gjithë kishin nevojë për një fije besimi në një të ardhme më të mirë, mbi të gjitha në drejtues, burra e gra shteti që të rrezatonin besimin tek e drejta, demokracia, barazia e shanseve. U vu re se të gjithë, në një menyrë ose tjetër, në një strukturë shoqërore apo tjetër kishin nevojë për vizionin e Obamës. Entuziazmi i ëndrrës amerikane të ringjallur nga Obama përshkoi shtete e kontinente dhe gazetat më prestigjioze në vende të ndryshme përcollën pyetjen, dhe pse jo shpresën, që kishin shumë qytetarë, pavarësisht nga nacionaliteti: A mund të kemi dhe ne një Obama? A ka Obama të tjerë? Kush mund të jetë Obama për vendin tonë?

Si qytetare e një vendi mjaft të vogël në Evropën Juglindore, por edhe si studiuese e shkencave sociale, edhe unëm me shpresën në një të ardhme më të mirë për këtë vend që ka vuajtur shumë, guxova të dëshiroj: Ah, sikur të kemi një "Obama"! Sa na duhet një "Obama"! Në momente entuziasmi, reflektimi dhe shprese, pyeta: A mund të kemi edhe ne? Hapi i parë drejt përgjigjes ishte reflektimi se Obama nuk ështe një fenomen i çastit, por përfaqëson stadin e zhvillimit të një shoqërie. Atëherë nisa të reflektoj e të kerkoj kritere objektive mbi stadin e zhvillimit të një shoqërie. Këto kritere i kërkova në dy akse: aksi i parë përmbledh faktorët që i dhanë Obamas mundësinë të arrinte të konkurronte dhe të zgjidhej dhe ato faktorë që mundësuan formimin e tij profesional. Aksi i dytë përbëhet nga tregues të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të një vendi, që përfaqësojnë edhe elementët bazë të zhvillimit të komb-shteteve të zhvilluara. Kombinimi i këtyre dy akseve më nxori përpara aksiomën e zhvillimit të një shoqërie: ‘zhvillimi i një vendi pasqyrohet nga përmirësimi në jetën e përditshme të qytetarëve të tij‘. Ky përmirësim ka kuptime dhe kritere të ndryshme në zona të ndryshme të planetit. Për shtetet evropiane dhe/ose perëndimore, tri janë standardet bazë që vlerësojnë përmirësimin në jetën e përditshme të individit: edukimi ose ndryshe sistemi arsimor; lëvizshmëria ose ndryshe sistemi i transportit rrugor; shërbimi civil ose ndryshe përballja e qytetarit me shtetin në institucionet shtetërore. Këto tri kritere përfaqësojnë në të njëjtën kohë edhe tri simbolet dhe kulmet e zhvillimit të komb-shteteve moderne.

Meqë zhvillim do të thotë përmirësim i kushteve që vërehet me kalimin e viteve, mendova të kthehem në retrospektivë e të shikoj nga ku deri ku kemi ardhur në tërësi si shoqëri shqiptare, me pretendimin se jemi shoqëri evropiane, duke pasur parasysh se të qënit evropian, veç vendndodhjes gjeografike të një vendi, mbi të gjitha varet nga kushte e jetesës së shumicës dërrmuese të qytetarëve të tij. Për të vendosur një pikë nga të filloj ecjen drejt së sotmes, më ndihmoi konstatimi i Ivan T. Berend, akademik i njohur për punimet e tij mbi Evropën Lindore. Berend, për të pasqyruar gjendjen e Shqiperisë në fundin e shekullit XIX thotë: "Ndryshe nga shoqëritë e tjera evropiane, Shqipëria ruan strukturën fisnore. ...Duke mos pasur një sistem arsimor, hekurudha (vetëm rreth 200 kilometra rrugë të shtruara) vendi mbetet në një nivel jo-evropian prapambetjeje".

Edhe pse bëhet fjalë për një analizë të një shoqërie më shumë se një shekull më parë, Berend përdor tri kriteret bazë të vlerësimit për një shoqëri evropiane; sistem arsimor, transporti rrugor, lidhjet shtet-individ. Ai, me të drejtë, kostaton se nuk është zhvilluar arsimi, nuk ka rrugë dhe se në shoqëri mbizotëron logjika fisnore. Pa hyrë në analizën se kush e kishte fajin atëherë për këtë, mendova të analizoj ku jemi sot, bazuar mbi këto kritere. Për të gjetur sa më shpejt e me efikasitet përgjigjen, fillova të shtroj disa pyetje retorike në lidhje me secilin kriter: lidhjet shtet-individ si aspekti më i thjeshtë. Këto lidhje mund të konstatohen duke pasur si kontekts jetën e përditshme të qytetarit dhe si fushë vlerësimi gjithë gjeografinë e vendit. A nuk është e vërtetë se punësimi në institucionet shtetëtore qëndrore e vendore në Shqipëri në shumicën dërrmuese të rasteve varet nga lidhjet miqësore ose farefisnore të titullarëve me punonjësit! A nuk është e vërtetë se emërimet në institucionet më të rëndësishme të vendit kanë si faktor përcaktues lidhjet dhe dallaveret mes emëruesit dhe të emëruarit? A nuk është e vërtetë se për të kryer punë në çdo institucion shtetëror duhet të kesh një mik ose të afërm në atë institucion? A nuk është e vërtetë se në zona të ndryshme të vendit në shumë aspekte të jetës së përditshme të shoqërisë, fjala e fundit u përket klaneve dhe grupeve të ndryshme të tipit mafioz, që janë në afera të gjithëfarëlloj me pushtetarë ose politikanë të ndryshëm? A nuk është e vërtetë se pronësia në përgjithësi është vendosur sipas "ligjit të hurit", që tashmë është legalizuar? A nuk është e vërtetë që padronët e mafias, të lidhur me instancat shtetërore dhe politike, janë kryetarë grupesh me përbërje fisnore?

Duke parë këtë tablo të lidhjes shoqëri-instanca shtetërore vërehet se në pikat kyçe të kontaktit të bazës së gjerë shoqërore me pjesën drejtuese të saj, funkionon nepotizmi, logjika fisnore dhe jo shteti i së drejtës dhe mekanizmat demokratikë. Domethënë, përgjigjet e pyetjeve më të thjeshta në lidhje me efikasitetin e shërbimit shtetëror ndaj shoqërisë shqiptare në përgjithësi çon drejt konstatimit: Ndryshe nga shoqëritë e tjera evropiane, Shqipëria ruan strukturën fisnore.

Kriteri bazë numër dy; sistemi arsimor. Disa nga pyetjet retorike që mund t‘i vijnë ndërmend çdo qytetari janë: A është e vërtetë se mungojnë politikat afatgjata të arsimit në Shqipëri? A është e vërtetë se tekstet ndryshojnë vazhdimisht pa një analizë të detajuar të pasojave mbi nxënësit dhe sistemin arsimor? A është e vërtetë se nuk ka standarde që aplikohen konkretisht mbi emërimin e mësuesve apo që standardet ndryshojnë bashkë me ministrat? A është e vërtetë se shumë shkolla në rrethe janë në gjendje shumë të vështirë, si nga ana materiale, dhe nga ajo pedagogjike? A është e vërtetë se institucionet akademike shtetërore dhe private shpeshherë kanë standarde akademike të dyshimta në krahasim me simotrat evropiane? Apo se universitetet kanë dhënë e po japin diploma dhe grada shkencore në bazë kritereve shkencore që nuk përputhen me ato evropiane?

Pas kësaj tabloje të shkurtër, por elementare mbi sistemin arsimor duket se ky sistem ka probleme themelore, që nga ai fillor deri në atë të lartë. Duke krahasuar gjendjen në vend me atë në shtetet e tjera evropiane jo vetem evropiano-perëndimore, por dhe lindore, fatkeqësisht vërehet të qëndrojë konstatimi se: Shqipëria nuk ka një sistem arsimor, të përafërt me ndonjë shtet evropian.

Vijmë te kriteri i fundit, komunikimi; në versionin transporti rrugor. Baza e tij si dhe simboli i zhvillimit në Evropë është hekurudha. Hekurudha shqiptare përdoret shumë pak në krahasim me mjetet e tjera të transportit për ndërlidhjen ndërqytetare. Arsyeja ështe se hekurudha shqiptare është në kushte të mjerueshme. Si rrjedhim, hekurudha shqiptare është e pashfrytëzuar si duhet në komunikimin ndërqytetar, edhe pse në kushtet shqiptare mund të ishte mjeti i më sigurt dhe ekonomik i ndërlidhjes mes qyteteve e zonave të largëta. Asaj çfarë nënkuptohet me hekurudhë në kontekstin evropian mund t‘i shtohen trena me vagonë-shtretër, trena të shpejtësisë së lartë, metro, tramways etj, etj, por në Shqipëri, momentalisht këto fjalë kanë pak ose aspak kuptim. Domethënë, për botëkuptimin ‘perëndimor‘, ‘Shqipëria nuk ka një sistem hekurudhor‘.

Ndoshta mund të përmirësohet kjo tablo po t‘u hedhim një sy rrugëve, sepse janë shtruar rrugë. Cilat nga rrugët e shtruara u afrohen standardeve evropiane? Sa rrugë janë shtruar dhe sa është harxhuar për t‘i shtruar ato? A ështe vendi fund e krye i lidhur me autostrada? Cilat janë autostradat që lidhin zonat e thella të vendit me ato qendrore! A kemi të tilla, veç atyre që lidhin disa akse kryesore? Në këto kushte që s‘kanë nevojë as për shumë koment, duke krahasuar rrugët tona me sistemet rrugore evropiane dhe duke përkthyer raportin ne gjuhën e një shekulli e gjysëm më përpara, a mund të themi: Shqipëria ka rreth 200 kilometra rrugë të shtruar?

"Obama shqiptar" nuk ka rrugë të shkojë ne shkollë, nuk ka shkollë ku të marrë një edukim me të cilin të mund të barazohet me liderët e tjerë botërorë. Edhe po i kaloi këto pengesa nuk mund të arrijë në instancat më të larta shtetërore, nëse nuk ka farefis të "fortë". Si shumë shoqërive të tjera, edhe shoqërisë shqiptare do i duhej një "Obama", qoftë edhe vetëm për frymën e drejtësisë dhe shpresës që ai rrezaton, por "Obama shqiptar" mund të jetë vetëm produkt i një mrekullie, e jo i kushteve reale të shoqërisë shqiptare. Kemi nevojë për shpresa, kemi shumë gjëra mangut, ndaj realiteti flet për shpresa të pakta.

Megjithatë, shpresa, e cila ‘rron sa jeta‘ ekziston dhe në një shprehje sa me dhimbje, aq dhe me pasion e dëshirë, ku para dhe pas të gjithave mund të thuhet: Sa na duhet një "Obama"? Ndoshta pasi të bëhemi koshientë e të pranojmë këto mungesa themelore, mund të fillojmë të ndërtojmë themelet, pa të cilat nuk do të mund të prodhojmë një "Obama", pa të cilat nuk do të mund të themi se kemi ecur përpara, pavarësisht nga makinat e shtrenjta që sillen në kryeqytet, nga të pasurit që kemi në klube luksoze, nga anëtarësimet në këtë apo atë organizatë etj, etj. Pa konsoliduar arsimin, pa lidhur vendin fund e krye me autostrada dhe hekurudha, pa zëvendësuar nepotizmin me meritokracinë, përmirësimet do të jenë vetëm individuale dhe jo mbarëshoqërore e mbarëshqiptare. Shqipëria ka arritur suksese individuale jo për t‘u nënvlerësuar, por tashmë ka ardhur dhe po kalon koha që përparimi shqiptar të jetë gjithëpërfshirës. Vetëm atëherë mund të kemi një "Obama". Por për të arritur deri aty, mjafton thjesht dëshira për të pasur një "Obama".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›