Lorik Cana e bën "sefte"

Ka shënuar sot, golin e tij të parë për këtë sezon në kampionatin francez dhe të dytin me fanellën e Marsejës në këto kampionate (ku goli i parë dhe i vetëm që mbahet mend ka qenë ai i sezonit të kaluar ndaj ish-skuadrës së tij, PSG-së). Fjala është për mesfushorin e kombëtares shqiptare, Lorik Canën, i cili ka arritur të zhvillojë sot edhe ndeshjen më të mirë të tijën, deri tani në Ligën 1 franceze, - të paktën sipas mediave, - dhe që është shpërblyer me një gol, por edhe shumë ritëm loje. Ka qenë minuta e 47', - pra vetëm dy minuta nga fillimi i pjesës së dytë, të ndeshjes së mbrëmshme, Marsjelë - Tuluzë, kur rezultati ishte 2-0 në favor të OM-së -, në momentin që 25-vjecari shqiptar ka ndërmarrë një aksion personal, kur pasi ka kombinuar shumë shpejt me Pagis, ka dalë përballë me portën kundërshtare dhe ka gjuajtur fort, goditje e cila ka përfunduar në rrjetë, pa patur mundësi të devijohej nga portieri i Tuluzës, i cili edhe pse ka qenë shumë pranë topit nuk ka mundur ta ndalë atë. Ndërkohë, për t'u përshëndetur është fakti se Cana vjen pikërisht pas një dëmtimi të dyfishtë, që e la jashtë për tre ndeshje, teksa rikthimi i tij në fushë, - përvec faktit se si rrallë herë nuk është ndëshkuar me karton të verdhë, - ka sjellë edhe golin e parë të sezonit për të. Me këtë fitore, Marsjeja ndodhet në vendin e dytë, me 16 pikë, vetëm 3 pikë larg Lionit, i cili kryeson Ligën 1, me 19 pikë.
Gjergj Cicani
Sport Ekspres