E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana, zënkë me Modest M‘Bami

Lorik Cana është përfshirë të enjten në një zënkë me shokun e skuadrës, Modest M‘Bami, ndërsa për të ndarë lojtarët është dashur ndërhyrja e trajnerit Gerets. Mediat franceze e kanë komentuar hollësisht këtë ngjarje, duke nxjerrë fajtor futbollistin kamerunas, i cili prej dy sezonesh është vetëm një zëvendësues i Canës në formacion dhe mendohet se në fund të këtij edicioni do të largohet nga Olimpiku i Marsejës. Sipas tyre, reagimi i futbollistit shqiptar ka qenë i ekzagjeruar, por kjo situatë e krijuar ishte edhe një shenjë e dukshme e tensionit që po përjetohej tek Olimpiku i Marsejës, pas humbjes së fundjavës që e largoi nga vendi i tretë në renditje.

Gazeta "La Provence" ka bërë të ditur se gjatë stërvitjes së mëngjesit, e cila ishte e hapur për publikun, është zhvilluar edhe skena me fyerje verbale mes Lorik Canës dhe Modest M‘Bami. Sipas kësaj gazete, është dashur ndërhyrja e pjesëtarit të stafit, Eliot Grandin dhe më pas e trajnerit Erih Gerets për të shmangur grushtet mes futbollistëve që nuk kursyen fyerjet ndaj njëri-tjetrit. Shkaku i kësaj zënke, që pezulloi për disa minuta stërvitjen e skuadrës, ishte një ndërhyrje e ashpër e M‘Bami ndaj futbollistit shqiptar, të cilit nuk i pëlqeu një gjë e tillë dhe reagoi ndaj futbollistit kamerunas. M‘Bami u mundua ta qetësonte, duke thënë se ishte përpjekur të merrte topin gjatë duelit në mesfushë, por Cana ka reaguar menjëherë ndaj tij. "Kërkove topin, mos po tallesh me mua? Topi është dy metra larg", ishte reagimi i futbollistit shqiptar, i cili e ka vlerësuar të qëllimshme ndërhyrjen e shokut të tij të skuadrës. Më pas ka filluar një seri fyerjesh verbale të ndërsjella dhe futbollistët për pak kanë goditur njëri-tjetrin. Trajneri Gerets, pasi ka ndërhyrë duke qetësuar gjakrat, ka larguar M‘Bami nga stërvitja, për ta kthyer vetëm pas disa minutash, në mënyrë që lojtarët të qetësoheshin dhe stërvitja të mbyllej normalisht. Ai ka preferuar që të mos marrë masa ndëshkimore ndaj dy futbollistëve. "Mua më pëlqen më shumë të ftoj një lojtar të qetësohet sesa ta ndëshkoj me masa", u shpreh ai pas kësaj seance stërvitore.

Cana dhe M‘Bami janë shokë skuadre prej një kohe të gjatë, pasi kanë qenë në të njëjtin ekip që në kohën kur aktivizoheshin te Paris Sent Zhermen. Në atë periudhë, dy lojtarët ishin titullarë në formacion, por në vitin 2005 ishte trajneri i PSG-së ai që vendosi për kalimin e Canës në stolin e rezervave, në mënyrë që M‘Bami të ishte titullar. Si rrjedhojë, Cana u largua drejt Olimpikut të Marsejës gjatë merkatos verore, por M‘Bami përshkroi të njëjtën rrugë një vit më vonë. Por këtë radhë, mesfushori shqiptar ishte kthyer në titullar të padiskutueshëm të marsejezëve dhe M‘Bami zhgënjeu sa herë që luante përkrah tij, duke mos arritur të shfaqej në nivelin e Canës. Mediat kanë aluduar edhe për një ndërhyrje të qëllimshme të lojtarit nga Kameruni, pasi një dëmtim i Canës do të bënte të mundur aktivizimin si titullar të M‘Bami në dy javët e fundit të kampionatit, si dhe një rinovim të mundshëm të kontratës së tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›