"Më mirë zëvendësues në Serinë A, se titullar në liga inferiore"
E ardhmja e Palermos nuk kalon vetëm nga zërat e merkatos që qarkullojnë rreth klubit. Largimi i Amaurit duket fakt i kryer, megjithatë, skuadra siciliane ka shumë të rinj të talentuar, te të cilët mund të ndërtojnë një të ardhme të ndritur. Njëri prej tyre është edhe sulmuesi shqiptar, Edgar Çani, i afruar në merkaton e janarit nga Peskara. 19-vjeçari i lindur në Tiranë, pjesë e kontingjentit të Kombëtares U-21 të teknikut Artan Bushati, flet për të ardhmen e tij me zirozët. Ai synon të qëndrojë te Palermo, duke deklaruar se do të ishte më mirë të militonte me një klub të Serisë A, sesa të luante si titullar në ligat inferiore. "Personalisht do të më pëlqente të qëndroja në Palermo, por është klubi ai që do të marrë vendimin final", deklaroi Çani. "Për mua është njësoj, si të vendosin të më mbajnë në kontingjent ashtu edhe të më lejojnë që të përfitoj eksperiencë në ndonjë ekip tjetër. Më mirë sulmues i pestë në Serinë A apo titullar në kategoritë inferiore? Sigurisht që do të zgjidhja të qëndroja në Serinë A. Për mua ishte një ëndërr dhe tashmë ajo u realizua". Sulmuesi i talentuar, që ndryshe njihet edhe si "Kristian Vieri i ri", ka debutuar në elitën e futbollit italian përpara dy javëve, në ndeshjen me Atalantën. Tiranasi mban numrin 9 në fanellën e tij, që disa vite më parë i përkiste sulmuesit kryesor të kombëtares "axurre", Luka Toni, i cili aktualisht është pjesë e Bajernit të Mynihut. Çani ndihet i nderuar për këtë fakt, edhe pse e konsideron të vështirë të ndjekë rrugën e "bomberit" italian. "Jam i nderuar që mbaj veshur fanellën me numrin që dikur ishte i Tonit, tha 19-vjeçari. Natyrisht nuk mund të bëj atë që e ka bërë ai, por do të përpiqem të ndjek rrugën e tij".
Ndërkohë, në miqësoren e mesjavës, ku Palermo fitoi 10:0 ndaj ekipit amator, Favignana, Edgar Çani ka shënuar për herë të parë me fanellën e sicilianëve. Në fakt, sulmuesi shqiptar realizoi tri gola, edhe pse është aktivizuar vetëm në pjesën e dytë. Ai e ka "shijuar" rrjetën e parë me Palermon në të 53-ën, pas një gjuajtjeje të saktë me të majtën. Nëntë minuta më pas, Çani ka shënuar sërish, kësaj radhe me të djathtën. Ai ka gjetur portën edhe në minutat e fundit të ndeshjes, pasi ka dribluar lojtarin kundërshtar Kanconeri, duke vulosur shifrat finale 10:0.