Loshaj: Dua të rrëfej torturat e SHIK-ut

REMZI HOXHA
Italia konfimon pyetjen e tre ish- punonjësve të Shërbimit Sekret të punësuar në Vain, në kohën e rrëmbimit
TIRANË- Përfaqësuesi i organit të akuzës, prokurori Xhevat Hana, gjatë zhvillimit të seancës së 58 gjyqësore në ngarkim të tre ish-drejtuesve të SHIK-ut, të pandehurve Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, njoftoi trupin gjykuese se "viktima" Avdyl Loshaj ka kërkuar nga Holanda që të "rrëfejë" për "rrëmbimin" dhe "torturat" e SHIK-ut të ushtruara ndaj tij.
Kjo deklaratë erdhi, vetëm pak sekonda pasi përkthyesi i caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, lexoi shkresën e ardhur me letër-porosi nga autoritet holandeze, të cilët shpjeguan se Loshaj nuk ndodhet në qytetin e Breda-së në Holandë. "Nga hetimet e kryera nga ana jonë, kemi konfirmuar se në qytetin e Breda-së, nuk ndodhet ndonjë person i regjistruar me emrin Avdyl (Armand) Loshaj.
Për këtë fakt, ju njoftojmë se nuk mund të ekzekutojmë letër-porosinë tuaj për marrjen në pyetje"-thuhet në shkresën e ardhur nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë më datë 4 maj 2010. Pas leximit të shkresës, reagoi avokati i të pandehurit Arben Sefgjini, Zef Nika.
Ai kërkoi nga gjykata mos të pyetet ky person për shkak se po zvarritet procesi gjyqësor. "Shtetasi Loshaj, me qëllim përdor dy identitete për të zvarritur procesin gjyqësor. Prokuroria po bën lojëra me adresën e tij të pasaktë.
Kështu që kërkojmë nga Gjykata që ky dëshmitar të mos pyetet në këtë proces gjyqësor"-tha Nika. Prokurori Hana kundërshtoi kërkesën, duke shtuar se "në dhjetorin e vitit 2003 brenda ambienteve të Ambasadës Shqiptare në Holandë është marrë në pyetje Avdyl Loshaj dhe ai nga frika e eliminimit fizik ka dhënë adresë të gabuar".
Më tej ai pohoi se, do sillej zyrtarisht adresa e tij e re pasi Loshaj, kishte kërkuar të dëshmonte për llogari të këtij procesi, për të rrëfyer rrëmbimin dhe torturat e SHIK-ut. Gjykata vendosi t'i lërë kohë prokurorit të depozitonte në Gjykatë adresën e re, ndërsa njoftoi palët se autoritetet italiane kanë caktuar datën 25 qershor si ditën për marrjen në pyetje të tre dëshmitarëve të fundit të akuzës.
Ata janë Martin Miraj ish-shefi i SHIK-ut në Lezhë, Flora Hasanaj dhe Gjok Hasanaj që të dy ish-punonjës pranë rezidencës së SHIK-ut në Vainë të Lezhës. Aty mendohet se janë mbajtur dhe torturuar Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, trupi i këtij të fundit që më 25 tetor 1996 ende nuk është gjetur.