E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, ja kalendari i veprimeve

Ministria italiane për Arsimin, Universitetin dhe Kërkimin nis procedurat e pranimit të studentëve shqiptarë


TIRANË - Ministria Italiane për Arsimin, Universitetin dhe Kërkimin ka publikuar kalendarin e veprimeve për të gjithë studentët e huaj që dëshirojnë të ndjekin studimet në këtë vend.


Duke filluar që nga dita e sotme, të gjithë maturantët shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet në universitete italiane (publike apo private) mund të aplikojnë për të drejtë studimi në zyrat e përfaqësisë diplomatike italiane në vendin tonë.


Ministria italiane nuk ka përcaktuar një datë përfundimi të aplikimeve duke e lënë këtë afat në dorë të institucioneve italiane në Shqipëri.


Por ajo që bëhet e ditur në faqen elektronike të ministrisë është se më 1 shtator të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në vendin fqinj do t'i nënshtrohen provimit të njohjes së gjuhës italiane.


Praktika italiane e pranimit në universitete është e ndarë në dy pjesë: pjesa më e madhe e fakulteteve pranon kërkesën e studentëve pa i futur në një provim testimi, vetëm duke pasur dëshminë e njohjes së gjuhës italiane, ndërsa pjesa tjetër, që ka të bëjë me formimin në lëndë shkencore, përvç njohjes së gjuhës italiane i teston kandidatët para se të pranojë kërkesën e tyre.


Në këtë kontekst, më 2 shtator të gjithë ata që kanë zgjedhur për të studiuar në degën e mjekësisë do të japin provimin për pranimin në degët e mjekësisë dhe të kirurgjisë, kurse për ata që kanë preferuar stomatologjinë (Odontoiatri dhe Protezë dentare), data e testimit është 3 shtatori.


Maturantët që kanë zgjedhur mjekësinë veterinare do të përballen me provimin e pranimit më 6 shtator dhe më 7 shtator do të jepet provimi i pranimit për programin e studimit të arkitekturës.


Brenda datës 28 gusht aplikantët duhet të kenë dorëzuar në përfaqësitë diplomatike kërkesën për ndjekjen e studimeve, ku duhet të kenë përcaktuar dhe profilin e degës. Më 23 tetor përfundon afati për dorëzimin e kërkesës për të drejtë studimi në Itali për vitin akademik 2010-11.


Nga pala italiane pritet që brenda 10 korrikut 2010 universitetet të publikojnë listat e kandidatëve të pranuar, datat, oraret dhe vendet ku do të kryhen provimet e pranimeve (për ato degë që kërkojnë provime), kriteret dhe përmbajtjen e këtyre provimeve, si dhe listën e kandidatëve që nuk kanë fituar të drejtën për të hyrë në testime.


Pas kësaj, më 24 gusht, në konsullatat dhe ambasadën italiane në Shqipëri nis procesi i dhënies së vizave për maturantët.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›