Büchneri i dytë i tranzicionit
Dramaturgu gjerman Georg Büchner rivjen 14 vjet pas shfaqjes "Vdekja e Dantonit" në skenën e Tiranës me "Woyzeck". Një bashkëprodhim midis katër vendeve. Nga Gjermania e shekullit të 19-të në Shqipërinë e sotme
Quhet Woyzeck (Vojcek) dhe është... shqiptar. Sepse Stefan Neugebauer, regjisori i dramës që mban për titull emrin e protagonistit, i ka zhvendosur ngjarjet nga Gjermania e gjysmës së parë të shekullit të 19-të në Shqipërinë e sotme. Vepra e dramaturgut dhe shkrimtarit Georg Büchner shfaqet premierë më 27 maj në sallën e madhe të Akademisë së Arteve.
Rëndësia e prurjes në skenë të historisë së një njeriu, qëndron jo vetëm tek angazhimi i të rinjve të katër vendeve nga Shqipëria, Gjermania, Franca e Italia, por sidomos tek vepra e një autori të talentuar që prek për herë të dytë skenën në Tiranë. Në vitin 1996 drama e tij "Vdekja e Dantonit" u vu në Teatrin Kombëtar.
Büchner jetoi pak (1813-1837), u angazhua në mendimin politik (Vdekja e Dantonit ishte frymëzuar nga Revolucioni frëng, dhe auori i saj ishte influencuar nga teoritë komuniste utopike të François-Noël Babeuf-it dhe Henri de Saint-Simon-it) që e shtyu në aventura e telashe aq sa të detyrohet të lerë Gjermaninë. U shkollua për mjekësi, por prirja e tij ishte letërsia, dramaturgjia, gjuhët moderne dhe përkthimi.
Ndryshe nga jeta e shkurtër, vepra i pati rrugë të gjatë dhe Georg Büchner shihet si autor me ndikim të veçantë në rrymat e natyralizmit dhe ekspresionizmit në letërsi.
"Woyzeck" është vepra e tij më e famshme të cilën e la pa përfunduar. Quhet "e para vepër letrare gjermane karakteret kryesore të së cilës i përkasin klasës punëtore".
U botua pas vdekjes, dhe në bazë të saj Alban Berg shkroi operën "Woyzeck" (1925).
Regjisori gjerman Stefan Neugebauer e ka konceptuar Woyzeck një të ri shqiptar që mban veten dhe familjen e tij duke bërë punë të ndryshme në një kazermë ushtarake: rruan një kapiten italian dhe vihet në dispozicion të një mjeku francez për eksperimente mjekësore. E do jetën, gruan Maria dhe fëmijën e paligjshëm që ka me të. Por kur një major nga Gjermania viziton kazermën, bota e Woyzeck-ut del jashtë kontrollit.
Maria mahnitet menjëherë pas majorit gjerman sepse ai mishëron burrërinë, pavarësinë dhe statusin e lartë shoqëror - atë çka Woyzeck nuk mund ta ketë.
Majori kërkon vetëm një aventurë për të ëmbëlsuar qëndrimin e tij zyrtar në Shqipëri, para se të vazhdojë turin e tij në Ballkan. Woyzeck humbet kontrollin dhe blen një thikë...
Me fjalë të tjera, Woyzeck dhe fati i tij është përkufizuar: "Çdo njeri është një humnerë: të merren mendtë kur shikon përposhtë në të."
Kjo është me pak fjalë historia që do të ndërtojnë në skenë tre aktorë nga Gjermania, Franca dhe Italia, si dhe pesë studentë të Akademisë së Arteve në Tiranë të përfshirë në projekt teatror shumëgjuhësh të Stefan Neugebauer.
Ai ka menduar që aktorët të flasin në gjuhën e vendit që nga vijnë. Sipas tij kjo e bën origjinale shfaqjen dhe nuk ka ndonjë vështirësi komunikimi me publikun. "Woyzeck" do të jetë i gjithi shqip në titra, sipas përkthimit të Ardian Klosit (përkthyes edhe i "Vdekjes së Dantonit").
Interpretojnë Irgen Çela (Vojcek), Suela Çerri (Maria), Gerolamo Fancellu (Kapiteni), Frantz Helmer (Doktori), Folke Paulsen (Majori), Marjan Deda (Muzikanti), Emiljano Palali (Andres), Laura Nezha (Margret).
Muzika është kompozuar nga Marjan Deda, skenografia është realizuar nga Edlira Bozo, asistent regjisor është Florand Veizi.
Regjisori Stefan Neugebauer del në konferencë për shtyp më 25 maj në sallën e madhe të Akademisë së Arteve.
Pas premierës së 27 majit, ora 19.00, shfaqjet e tjera janë më 29 dhe 30 maj.