E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lozançiq, përfundimisht në Trepçë

Edhe pse u tha që kishte dështuar transferimi i Jure Lozançiqit, Trepça megjithatë e ka rikthyer të dielën basketbollistin kroat, një ditë para përfundimit të afatit kalimtar në basketboll. Qendra, 210 centimetra i gjatë, do t’i bashkohet klubit mitrovicas në stërvitje shumë shpejt. Ai do të bëhet “Xehetar” deri në fund të sezonit.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtari i lartë i mitrovicasve, Kemajl Muja. “Arritëm përfundimisht marrëveshje me Lozançiqin. Ai do të jetë pjesë e jona deri në përfundim të këtij sezoni”, konfirmoi Muja për Express.

Lozançiq, 26 vjeç, në të kaluarën ka luajtur tek ekipet Jacksonville (NCAA - SHBA), Turow Zgorzelec (Poloni) dhe te katër skuadrat kroate: Svjetlost Slavonski, Dubrovnik KK, Split KK e Zabok KK. Sezonin e fundit ai ishte pjesë e ekipit austriak BasketClub Vienna, me të cilin pati 7 paraqitje me mesatare prej 18.1 minutash e 5.6 pikësh për ndeshje. Për Lozançiq bëhet fjalë për një rikthim në Mitrovicë, ngase ai ishte pjesë e Trepçës disa sezone më parë, përkatësisht 2005-06.

Transferimi i qendrës kroate nuk sinjalizon edhe përfundimin e përforcimeve për klubin gjelbërezi. Edhe pse kanë në ekip Dinko Peljton e Dime Tasovskin, mitrovicasit nuk e kanë ndërmend të ndalen. “Nesër (të hënën) mund të përforcohemi edhe me një lojtar vendor dhe një të huaj”, nënvizoi Muja.

Pa dyshim, Lozançiq pritet të japë kontribut të madh për mitrovicasit në luftën për titull të kampionit, që i mungon për një kohë të gjatë ekipit gjelbërezi. Aktualisht, Trepça është e dyta me 45 pikë, dy më shumë se Bashkimi, që është i treti. Deri në përfundim të kampionatit të rregullt të TechnoMarket Superligës, kanë mbetur edhe tri xhiro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›