Luan Krasniqi lëndohet, anulon meçin e 2 dhjetorit

Një lëndim e ka detyruar boksierin kosovar me nënshtetësi gjermane të kategorisë së rëndë, Luan Krasniqi, që të anulojë përballjen e paraparë që të zhvillohej më 2 dhjetor në "Estrel Convention Center" të Berlinit.
Në një seancë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për përballjen që do të zhvillohej në kryeqytetin gjerman, Krasniqi është lënduar në gju, ndërsa pas kontrollit që i kanë bërë mjekët është diagnostifikuar se junikasi 35-vjecar ka pësuar një krisje në gjurin majtë dhe për këtë arsye duhet të pushojë të paktën tri javë. Një periudhë kohe që e pamundëson ngritjen e tij në ring në këtë vit. Sfiduesi për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë ndihet i zhgënjyer me faktin që nuk do të mund të ngjitet në ring në datën e caktuar.
"Sa fat i keq që kjo ndodhi mu në këtë cast. Përgatitjet e mia rridhnin aq mirë dhe tani të ndodh kjo! Unë u gëzova shumë për faktin se mund të boksoja përsëri", ka thënë Krasniqi pasi ka marrë instruksionet e mjekëve. Por gjithsesi ai nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë. "Tani mendoj që sa më parë që është e mundur, sërish do të ngjitem në ring. Nëse unë do ti anashkaloja dhembjet do të ishte edhe më keq. Unë duhet të kem durim dhe sërish të marr veten, pas shërimit të gjurit", ka shtuar ai. Me këtë ai ka lënë të kuptohet se ai do të vazhdojë të kërkojë edhe një shans për të bërë të tijin brezin e kampionit të botës. Krasniqi kishte dështuar që të rrëmbejë këtë titull në përballjen me amerikanin Lamon Brewster më 28 shtator të vitit 2005 në Hamburg të Gjermanisë, pasur një lufte që është cilësuar si një nga duelet më të mira të boksit në Evropë në dekadën e fundit. Ish-kampioni evropian në kategorinë e rëndë ka zhvilluar mecin e tij të fundit më 29 prill të këtij viti duke mposhtur amerikanin David Bostice. "Gjermani" me gjak shqiptari ka një bilanc prej 29 fitoreve, 2 humbjeve dhe një barazimi nga 32 mecet në boksin profesionist.
Liridon Ibërdemaj