Partizani, Lika zë vendin e Neptun Bajkos

Trajneri i Partizanit, Neptun Bajko, është larguar nga drejtimi i skuadrës dhe vendin e tij e ka zënë Hasan Lika. Pas debateve të shumta ditët e fundit lidhur me rezultatet, trajneri është larguar nga detyra. Nën drejtimin e Bajkos, i cili e mori ekipin në fillim të sezonit, Partizani arriti të grumbullonte 15 pikë në 9 javë kampionat (4 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje), duke u pozicionuar në vendin e katër në tabelën e klasifikimit. Presidenti i të kuqve, Arbert Xhani, është shprehur se "nuk mund të lejoj Bajkon që të shprehet se "Partizani nuk është pretendent për "kampion" dhe ne do të marrim thërrimet e Tiranës", nuk mund të lejoj që të vazhdojë dhe të aludojë se lojtarët, së bashku me presidentin, vazhdojnë të shesin ndeshjet jashtë fushës; nuk mund të lejoj cdo lloj trajneri që mendon se mund të bëjë gjithcka, deri në shkatërrimin e ekipit".
Hasan Lika është trajneri i tetë që merr drejtimin e një skuadre në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pas shkarkimit të trajnerëve në këtë sezon. Lika ka drejtuar në fillim të sezonit skuadrën e Besës, ku, pas rezultateve të dobta, dha doreheqjen. Ai ka drejtuar disa herë pankinën e Teutës, ndërkohë që ka qenë edhe trajner i ekipit kombëtar të U-21. Ai është rikthyer në drejtimin e skuadrës së Partizanit pas 12 vjetësh, si një njohës i mirë i skuadrës si ish-futbollist, por edhe si trajner. Lika është shprehur se "është një moment që gjithkush mund të marrë vendimin me shumë guxim dhe, mbi të gjitha me bindje, sepse me vetë grupin që ka skuadra, ka mundësi të shkojë përpara, të ruajë traditën triumfuese në historinë e futbollit shqiptar, sic është Partizani".