E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Rama tu kërkojë ndjesë publike intelektualëve për etiketimet e padenja”



Kryeministri Berisha, të tërë fjalën e mbajtur dje përpara Grupit Parlamentar të PD-së ia dedikoi kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke i bërë thirrje atij që të kërkojë ndjesë publike për etiketimet e padenja të bëra ndaj intelektualëve që kanë nënshkruar letrën kundër grevës së urisë. “Në mënyrë të veçantë dua t’i drejtohem sot kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, që të kërkojë ndjesë publike ndaj elitës së kombit për vlerësimet dhe etiketimet e tij, ndoshta në momente dëshpërimi, dhe uroj që të kenë qenë në momente dëshpërimi, ndaj intelektualëve më të shquar të vendit, duke i cilësuar ata me epitete jashtëzakonisht të padenja, duke i cilësuar ahengxhinj, sazexhinj, çengie. Pra duke përdorur fjalë kazani, siç thotë Faik Konica. Këto fjalë janë të palejueshme në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, për asnjë qytetar shqiptar ndaj elitave të kombit”, - është shprehur Berisha. Ai tha se nuk mund të zhbëhet elita kombëtare, pasi ajo përbën identitetin e kombit. “Së pari, unë apo zoti Rama nuk e bëjmë dhe as e zhbëjmë dot elitën. Ajo është pasuria më kryesore kombëtare. Ajo mbart të gjitha visaret më të çmuara të kombit. Elita e kulturës dhe artit ka privilegjin dhe avantazhin e madh të jetë kujdestarja, arkitektja, gardiania, por edhe ndërtuesja e më kryesores që ka një popull, identitetit të tij. Kombi nuk ka asgjë më jetike për të qenë i tillë sa ç’ka identitetin. Identitetin e kombit nuk e ndërtojnë politikanët, nuk e bëjnë dot as ndërtuesit, nuk e ndërtojnë dot as biznesmenët, as kompanitë multinacionale, identitetin e kombit e ndërtojnë, e kurojnë dhe e zhvillojnë njerëzit e kulturës dhe të artit. Kjo është e vërteta”, - është shprehur Berisha. Kryeministri tha se sulmi i Ramës ndaj intelektualëve vjen për shkak të dështimeve të tij profesionale. Më pas kryeministri u shpreh se do të respektojë grevën e PS-së, megjithëse, sipas tij, për arsye sigurie çadra nuk duhej të ngrihej tri metra larg derës së Kryeministrisë. “Atë kampingun mbaje sa të duash. Unë e kam bërë zgjedhjen time: Respekt të plotë! Unë, edhe njëherë do t’ua them shqiptarëve, në qoftë se do të kisha dashur brenda 15 minutave, për arsye sigurie, largohej nga aty ku është. Por, meqenëse kishte diçka personale, meqenëse ishin para derës së ndërtesës ku unë punoja, unë preferova të qëndroja strikt për arsye personale. I jap përparësi të drejtës së protestës para çështjes së sigurisë”, - është shprehur kreu i qeverisë.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›