Luani, i kënaqur me përgatitjet
Luan Krasniqi është i kënaqur me rrjedhjen e deritanishme të përgatitjeve të tij, para sfidës së 26 shkurtit, kur do të ballafaqohet me boksierin amerikan Johnathan Banks.
Boksieri kosovar një fazë përgatitore e ka zhvilluar në Austri, ndërsa tani është kthyer sërish në Gjermani për t’i zhvilluar përgatitjet e fundit para sfidës së 26 shkurtit.
Ai është i kënaqur me formën të cilën e ka mbërri deri më tani, pasi me seriozitet iu ka përkushtuar stërvitjeve për meçin ‘anti-Banks’.
“Përgatitjet deri më tash u zhvilluan në mënyrë optimale. Bazat janë realizuar, forca dhe kondicioni janë të gatshme. Unë jam në formë të mirë”, ka thënë Krasniqi për ueb faqen zyrtare të tij.
“Unë nuk e kam filluar nga zeroja. Gjatë gjithë kohës e kam ruajtur formën dhe kam ushtruar. Sinqerisht duhet të them se edhe vetë jam i befasuar me sa sukses është realizuar e tëra”, ka theksuar ai.
Junikasi tani po i zhvillon përgatitjet e fundit në shtetin gjerman. Ai po mundohet të gjejë metoda se si ta mposhtë kundërshtarin më 26 shkurt.
“Tani po merrem me një trajnim të përgjithshëm, mbase që nga fillimi koncentrimi përqendrohet te kundërshtari. Po perfeksionohen lëvizjet në mënyrë që në fund të shkurtit të jenë të gjitha në harmoni si grushtet dhe sytë”, ka pohuar Krasniqi. Me këtë ai ka dashur të thotë se po i përgatit grushtet e tij për t’u përshtatur mirë në sytë e Banksit më 26 shkurt.
Në këtë mënyrë, Krasniqi thotë se me të gjithë fuqinë e tij do të mundohet ta mposhtë amerikanin, me qëllim që t’i hapet rruga për ta kërkuar titullin e kampionit botëror – ëndërr kjo që e ka përcjellë Luanin gjatë gjithë karrierës së tij.
“Unë e kam një qëllim. Synoj që gjithsesi të ngadhënjej në duel me Banksin dhe të fitoj rastin për një duel për titullin e kampionit botëror. Jam i kënaqur që sërish synoj ta arrij qëllimin”, ka përfunduar Krasniqi i cili gëzohet për faktin që lëndimet nuk po e prekin gjatë këtyre përgatitjeve.