Shumë vështirë

Jose Mourinho ka pranuar se do të jetë “vështirë” për Real Madridin të fitojë titullin në La Liga, pas humbjes së papritur 1-0 nga Osasuna të dielën. Javier Camunas ishte hero për Osasunan në stadiumin Reyno de Nevarra dhe me shënimin e tij në pjesën e dytë e la Realin në shtatë pikë prapa kryesuesit, Barcelonës.
Gjiganti katalan ka pësuar vetëm një humbje këtë sezon dhe është në rrugë të mirë drejt titullit të tretë të njëpasnjëshëm. Edhe Mourinho ka pranuar se ekipin e tij e pret një punë e vështirë për të ringjallur shpresat për titull.
“Kjo është humbja jonë e dytë në La Liga dhe jemi në situatë shumë të vështirë për dallim me skuadrën lidere”, tha Mourinho.
“Nuk më pëlqen të humb pa angazhim, pa luftuar apo pa qenë i përqendruar. Kjo nuk qëndron. Kundërshtari ynë luajti me gjithë zemër dhe kishte një javë për t’u përgatitur. Ndërsa futbollistët e mi e kryen punën e tyre me dinjitet dhe nuk kam asnjë arsyeje për t’u ankuar te ata, luftuan deri në fund. Ne humbëm tri pikë, të cilat nuk i merituam t’i humbnim. Nesër është një ditë e re. Na presin takime të tjera dhe ne do të jemi atje”, shtoi ai.
Mourinho lavdëroi Osasunën, që ndërpreu serinë prej tetë ndeshjeve pa fitore duke mposhtur Realin të dielën.
“Osasuna është një ekip i fortë dhe tifozët ishin të shkëlqyeshëm. Nuk mendoj se shumë ekipe fitojnë këtu. Ne kishim raste për të shënuar në të dyja pjesët, por nuk ia arritëm. Dhe, nëse kundërshtari shënon i pari, bëhet edhe më e vështirë. E uroj Osasunan”, përfundoi ai.
Tifozët thonë se gara për titull ka marrë fund
Shumica e tifozëve spanjollë ishin të sigurt të hënën se gara për titull në La Liga në praktikë është përcaktuar, pasi Barcelona në fundjavë kaloi shtatë pikë mbi Real Madridin.
Derisa Barcelona fitoi 3-0 në Hercules, duke barazuar rekordin e vjetër 50 vjet të Real Madridit prej 15 fitoreve të njëpasnjëshme me radhë në ligë, gjigantin madrilen e mposhti 1-0 Osasuna të dielën.
Një sondazh nga e përditshmja madrilene Marca tregoi të hënën se hiq më pak se 83.6 për qind e lexuesve besojnë se gara për titull “tashmë është vendosur”. Në titullin e Marcas shkruante “Koha për të luftuar për kupa”, duke këshilluar që Reali duhet të dorëzohet nga La Liga dhe të përqendrohet në Copa del Rey dhe në Ligën e Kampionëve.
Skuadra nga Santiago Bernabeu takohet me Sevillan në gjysmëfinale të kupës të mërkurën dhe me ekipin francez Olympique Lyon në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve më 16 shkurt.
Një sondazh i ngjashëm nga e përditshmja katalane Mundo Deportivo, ku shumica e lexuesve janë tifozë të Barcelonës, tregoi se 73 për qind prej tyre e konsideruan të përfunduar garën për titull.