E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josa: Lëshuam shumë terren në fund të ndeshjes

SHKRUAN: Jeton Selimi 23-07-2011 10:11

Vllaznia ka qenë vetëm pak sekonda larg kualifikimit. Gjithçka shkoi mirë për kuqeblutë derisa u fut në fushën e lojës Milaim Rama, shqiptaro-zviceriani që është aktivizuar me fanellën e atij vendi duke e zgjedhur atë përpara asaj kuqezi. Sidoqoftë nuk ishte tërësisht merita e sulmuesit Rama sesa e gjyqtarëve ajo që solli këtë humbje shokuese për shkodranët. Megjithatë, mes skuadrës është edhe një person që mendon se mund të kishte bërë diçka më shumë për të ndryshuar fatet e ndeshjes. Ai është Mirel Josa, trajneri kryeqytetas i Vllaznisë që ndjen mbi supet e tij peshën e eliminit. Natyrisht për aq sa i takon atij…

“Mund ta kisha shmangur, natyrisht që mund ta kisha shmangur. Por ndodhi gjithçka aq shpejt, aq rrëmujshëm. U lëshuam shumë terren zviceranëve dhe lojtarët e Thunit përfituan nga kjo. Nuk duhej ta kishim bërë, ose më saktë nuk duhej të ishim trërhequr aq shumë. Na vjen vërtet keq. Në një situatë të tillë edhe fati ndikoi shumë. Pastaj gjyqtarët…” komenton trajneri i kuqebluve Mirel Josa. Një ditë më parë, menjëherë pas eliminimit, presidenti Valter Fushaj u tregua shumë i ashpër me gjyqtarët e sfidës. “Na ndëshkoi gjyqtari. Sapo e ripamë aksionin e golit të dytë të vendasve: është një faull ndaj portierit tonë, që nuk u dha dhe në zhvillimet e mëtejshme pësuam golin që na nxori jashtë nga Europa League”, thotë Fushaj që, edhe pse verdikti është dhënë tashmë, kundërshton me të njëjtën forcë siç mund të ketë bërë në stadium. “Tjetra që më ka bërë përshtypje është se kur lojtarët tanë dilnin jashtë fushës për të marrë ndihmën mjekësore, duheshin minuta të tëra për t’i rifutur në fushë. Me këtë, gjyqtari donte të paralajmëronte se nuk e përballonte presionin e vendasve dhe lojtarët tanë, edhe sikur të dëmtoheshin, mundësisht të rrinin në fushë e të vijonin lojën, edhe pse të pamundur”.

Tani Vllazninë e pret eksodi

Sikundër çdo ëndërr e bukur që zgjat fare pak, edhe për Vllazninë momentet e lumtura përfunduan. Pas eliminimit nga Thuni, çka u ka mohuar shkodranëve turin e tretë të Europa League, e cila përveçse u ka hequr kuqebluve kënaqësinë e të qenurit ekipi i dytë shqiptar pas Flamurtarit që arrin këtë cak të lakmueshëm, por u ka hequr kënaqësinë më të madhe: përballjen me Palermon, e cila për arkat e Vllaznisë përkthejen në disa qindra mijë euro të sigurta. Presidenti Fushaj pa këtë çek të majmë zor se do të jetë në gjendje që të mbajë në ekip xhevahirët e tij, sidomos ata të sulmit, Sukaj e Vajushi, të cilët kanë treg aktualisht në kontinent. Madje, pas këtij eliminimi pritet që shumë prej elementëve më të mirë në grupin e Mirel Josës të bëjnë gati valizhet. Sidoqoftë, ende nuk është thënë fjala e fundit e presidentit Fushaj, i cili do të përpiqet që të ruajë sa më shumë lojtarë nga kontigjenti aktual.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›