Lubonja: Mbledhja e Ramës në Vlorë, simbol i përçarjes Jug-Veri. Pse nuk u bë në Shkodër mbledhja?
Analisti Fatos Lubonja, në një analizë të tijën në gazetën Panorama, ka marrë në shqyrtim simbolikat e mbledhje së qeverisë së re në Vlorë. Sipas tij, një nga këto simbolika është edhe përçarja Jug-Veri që kanë shkaktuar PD dhe PS gjatë viteve të fundit. Ai ngre pyetjen se përse mbledhja u mbajt në Shkodër?
“Më tërhoqi vëmendjen për keq simbolika e kësaj ngjarjeje që dihet se kishte kuptim simbolik. Nuk dua të merrem me simbolikën e përçarjes Jug Veri që ka ushqyer në një mënyrë herë më eksplicite, herë më pak eksplicite politika jonë konfliktuale PD PS gjatë këtyre 20 vjetëve dhe që, sipas meje, e përcjell sadokudo edhe kjo mbledhje e parë e qeverisë në Vlorë. Kjo mund të kapërcehet, ndonëse, sipas meje, po të ishte bërë mbledhja në Shkodër, më mirë do kishte qenë për maxhorancën e re, shprehet Lubonja.
Ai më pas ngre pyetje edhe për faktin se përse mbledhja u bë në një ambient privat dhe kush e financoi atë?
E kam fjalën për simbolikën e faktit se mbledhja e qeverisë së parë u bë në një mjedis privat dhe se nuk pati asnjë transparencë për ne, popullin që kemi pushtetin, se kush e financoi hotelerinë dhe ngrënien e pirjen e qeveritarëve tanë të ardhshëm në këtë mjedis, duke pasur parasysh edhe faktin se jetojmë në kohë krize. Ishin para të partive ato, personale të ministrave, apo dolën nga xhepi bujar i mikpritësit dhe ndonjë kolegu të tij?, shkruan Lubonja.
Në thelb rilindja e jonë është e lidhur ngushtë me vdekjen e këtij sistemi ku privati, si ujku që kërkon mjegull, pasurohet nëpërmjet grabitjes së publikes dhe të territorit me ndihmën e politikës e duke ndarë përfitimet me të. Mirëpo mbledhja e parë e qeverisë në Vlorë në një mjedis privat, ngritur në një territor ku sduhet të kishte ndërtime, nuk na e dha këtë mesazh, përkundrazi, na bëri të mendojmë se me fjalën rilindje Edi Rama ka parasysh stilin e tij tashmë të mirënjohur të qeverisjes, e mbyll shkrimin e tij Lubonja.