Lufta/ Kremlini: S’ka asnjë bazë për dialog me Ukrainën. Zelensky vendos sanksione të reja

Rusia ka bërë të ditur se nuk ka asnjë bazë për ndonjë dialog të mundshëm me Ukrainën në mënyrë që t’i jepet fund luftës që vazhdon prej më shumë se 1 vit.
“Për momentin nuk ka praktikisht asnjë parakusht për marrëveshje. Për më tepër, nuk ka asnjë bazë, qoftë edhe të dobët, për asnjë lloj dialogu”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për televizionin shtetëror Rossiya.
Luftimet
Ndërkohë luftimet midis dy vendeve vazhdojnë, teksa sot është rrëzuar një avion luftarak ukrainas Su-25 në rajonin e Khersonit.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes forcat e saj kishin rrëzuar një avion luftarak ukrainas Su-25 në rajonin Khersonit dhe se kishin zmbrapsur tre sulme të forcave ukrainase në rajonin e Zaporizhzhias.
Rusia ka kryer sulme ajrore në pikat e vëzhgimit të Ukrainës, qendrat e komandës dhe kontrollit.
“Forcat ajrore ruse po përpiqen të ndalojnë këtë ofensivë përpara se ajo të fillojë vërtet seriozisht”, thuhet në njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Sanksionet
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky miratoi propozimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për të sanksionuar 178 shtetas rusë, duke përfshirë 81 persona që kanë shtetësi ukrainase.
Sipas dekretit, bëhet e ditur se vendimi ishte marrë për të mbështetur propozimet e bëra nga shërbimi i sigurisë së vendit në lidhje me aplikimin dhe futjen e ndryshimeve në masat e veçanta ekonomike personale dhe masa të tjera kufizuese, transmeton Al Jazeera.
Kufizimet e zbatuara nga dekreti janë vendosur për një periudhë pesëvjeçare dhe përfshijnë masa të tilla si bllokimi i aseteve dhe kufizimet në operacionet tregtare dhe tranzitin përmes territorit ukrainas.
/rtsh.al/