E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta brenda llojit shqeteson Ramen

Situata e brendshme në Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 8 majit, ka provokuar një mbledhje të anëtarëve të rinj të Asamblesë së Partisë Socialiste të zgjedhur në Kongresin e 5 nëntorit, një mbledhje që vjen para se Asambleja Kombëtare të konstituohet.

Shqetësimi kryesor i kreut socialist mësohet të ketë qenë mungesa e frymës së bashkëpunimit, përcarja apo rrjedhja e anëtarësisë në rastet e pakënaqësive të shkaktuara si luftë brenda llojit.

Në një fjalim të gjatë Rama u ka përcjellë të zgjedhurve të rinj të Asamblesë mesazhin se nuk duhet konsumuar koha me mosmarrëveshje brenda llojit, por me punë për zgjedhje të suksesshme.

Këto reagime të Ramës vijnë në një kohë kur pas humbjes së zgjedhjeve të 8 majit, PS po humb edhe kryesimin e qarqeve thuajse në mbarë vendin, për shkak të rrjedhjeve brenda forcës së tij politike apo koalicionit Aleanca për të Ardhmen. Mosmarrëveshje janë konstatuar edhe brenda Grupit Parlamentar Socialist reflektuar edhe në votime të ndryshme, si rasti i votave pro Ardian Fullanit guvernator banke, ndërsa qëndrimi politik i grupit ishte vota kundër.

Ndërkaq deklaratat e Ramës në librin e tij, apo të provokuara prej librit të tij, herë pas herë janë pritur me habi dhe kundërshtime.
Rasti më i freskët është kur Rama nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me Ilir Metën, duke u shprehur se cdokush e meriton dhe një shans të dytë. Erjon Brace përmes rrjetit social Face Book i kujtoi Ramës se nuk është ai Partia Socialiste, por strukturat e saj dhe se ato vendosin për cdo rast ashtu si dhe për mundësitë që i jepen Ilir Metës.

“Në një organizatë, mundësinë e parë, të dytë, të tretë… nuk e jep një individ, pavarësisht pushtetit që ka në të; mundësinë e jep organizata, por në respekt të rregullave të përbashkëta” i është kundërpërgjigjur ndër të tjera Brace- Ramës.

Socialistët edhe këtu janë të përcarë ku një pjesë janë hapur kundër bashkëpunimit me LSI-në, ndërsa një pjesë tjetër nuk shohin asnjë mundësi rikthimi në pushtet nëse do të jenë në koalicion me Metën, marrë kjo sipas tyre si një leksion i trefishtë me humbjen e zgjedhjeve sa herë e majta ka qenë e përcarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›