E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi per Topin Statuti e vetmja lidhje e tij me PD-ne

Statuti i Partisë Demokratike, e vetmja lidhje mes Bamir Topit me Partinë Demokratike.

Ky është mendimi i nënkryetarit të partisë më të madhe politike të spektrit të djathtë, njëherësh kryetar i grupit të saj parlamentar, Astrit Patozi.

Në një intervistë dhënë për të përditshmen “Mapo”, Patozi pranon se në statutin e PD-së ekziston një nen, sipas të cilit ish-anëtarë të partisë, që kanë shërbyer në postet më të lartë shtetërore, të jenë pjesë e partisë.

“Unë mendoj se nuk kanë lindur ende ata burra dhe gra, të cilëve Partia Demokratike mund t’u ketë mbetur borxh në këto 20 vjet.

E kundërta po, është një dukuri e rëndomtë.

Janë dhjetëra dhe ndoshta qindra figura politike, që kanë me mijëra fatura të pashlyera kurrë në raport me PD-në.

Madje, për fat të keq, tek disa personazhe barra e borxheve është kaq e madhe, sa nuk do të mjaftonin disa jetë për ta larë atë. Në këtë këndvështrim, rasti Topi është emblematik.

Por, gjithsesi nuk ia vlen të merresh gjatë me këtë histori, aq më tepër, kur nuk ka ardhur koha për inventar, sepse jemi ende shpejt.

Partia Demokratike i bën gjithkujt shumë më tepër nder, se sa secili mund ta nderonte atë duke qenë pjesë e saj. Kjo vlen për të gjithë, pa asnjë përjashtim. Tani të kthehemi tek ftesa.

Meqenëse statuti e paska këtë nen, dhe kjo është e vërtetë, atëherë ç’nevojë ka që të ftohet kush për të zënë një vend që i takon. Fakti që përmendet statuti, do të thotë se me sa duket, nuk ka mbetur ndonjë gjë tjetër që mund të lidhë Bamir Topin me partinë që e bëri President.

Dhe kjo është shumë e rëndë. Ndërkohë, ai e ka bërë zgjedhjen e vet, sa herë që i është paraqitur rasti. Votimi i 8 majit ishte thjesht më flagranti”, ka pohuar ai.

Referuar mundësisë së krijimit të një partie politike nga Bamir Topi, në momentin kur atij t’i mbarojë mandati si President i Republikës, Patozi thotë se, kreu i shtetit ka punuar në pesë vite të mandatit presidencial në funksion të një ambicie politike personale.

“Se sa etike është që vetë kryetari i shtetit, i cili është betuar mbi Kushtetutë, që do të jetë mbi palët, të deklarojë një vit para përfundimit të mandatit se ka në projekt krijimin e një partie politike, këtë le ta gjykojnë shqiptarët.

Me një deduksion të thjeshtë i bie që një mandat presidencial 5-vjeçar ka shkuar i gjithi në funksion të një ambicieje politike personale. Sa për analizat, ato zakonisht bëhen pasi ndodhin ngjarjet. Ne nuk mund të zhvillojmë analiza për ëndrrat dhe dëshirat e të tjerëve”, pohon ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›