E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri niset ne Izrael per nje vizite zyrtare 3-ditore

Kryeministri Berisha u nis sot për një vizitë zyrtare 3-ditore në Izrael, me ftesë të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kjo vizitë do të kontribuojë për çuarjen përpara të marrëdhënieve bilaterale si dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Kryeministri do të ketë bisedime me autoritetet më të larta në Jerusalem, si dhe takime me komunitetin e biznesit izraelit, në Tel Aviv.

Delegacionin e Kryeministrit Berisha e shoqëron edhe një grup përfaqësuesish të biznesit shqiptar dhe medias.

Në ditën e parë të vizitës së tij, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin Shimon Peres.

Kryeministri Berisha do të takohet me Kryeministrin Netanyahu, takim i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.

Takime të veçanta Kryeministri Berisha do të ketë me dhe Kryetarin e Knesset (Parlamentit) Reuven Rivlin, Zëvendëskryeministrin Dan Meridor, ministrin e Jashtëm Avigdor Lieberman dhe ministrin e Infrastrukturës Uzi Landau.

Kryeministri do të zhvillojë një vizitë edhe në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, ku do të mbajë një fjalë me temë “ Të drejtët mes kombeve - Historia e miqësisë së Shqipërisë me hebrenjtë dhe shtetin hebre”.

Në ditën e tretë të vizitës, Kryeministri Berisha do të zhvendoset në Tel Aviv, ku do të përshëndesë punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Izrael, i cili i jep një mundësi shumë të mirë për t’i prezantuar biznesit izraelit zhvillimet ekonomike të Shqipërisë dhe potencialet e saj të mëdha për investime, si dhe për të nxitur bashkëpunimin midis sipërmarrjes izraelite dhe asaj shqiptare.

Kryeministri do të takohet gjithashtu, me përfaqësues të kompanive izraelite.

Një moment i veçantë i vizitës për Kryeministrin do të jetë edhe ceremonia e dhënies së titullit “Anëtar nderi”, nga Shoqata Shqiptaro-Hebraike.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›