E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore te vegjlit neser ne tryeze te perbashket

Krerët e partive të ashtuquajtura të vogla, të djathta e të majta, do të mblidhen ditën e hënë, për të përcaktuar një linjë të përbashkët në drejtim të reformës zgjedhore.

Qëllimi i këtij takimi është mbrojtja e interesave të këtyre subjekteve politike përgjatë ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor.

Pritet që në përfundim të takimit, drejtuesit e partive të dalin me një deklaratë të përbashkët, ku do t’i bëjnë me dije dy forcave kryesore politike Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste kërkesat konkrete.

Prej kohësh partitë e ashtuquajtura të vogla të djathta e të majta kanë hedhur në tregun politik idenë e korrektimit të sistemit aktual zgjedhor.

Sipas ligjit aktual zgjedhor, kur një parti nuk arrin votat e duhura për të fituar një deputet, atëherë votat e saj në llogaritje i shtohen partisë më të madhe të koalicionit.

Kjo bëri që dy partitë e mëdha PD dhe PS, të përfitojnë edhe nga aleatet e tyre në zgjedhjet e kaluara, duke lënë jashtë Parlamentit një pjesë të mirë të partive të vogla.

Kjo situatë pretendohet të eliminohet. Partitë e vogla kërkojnë që sistemi proporcional rajonal të ketë një korrektim kombëtar, çka mendohet se do u garantonte këtyre partive një përfaqësim më të gjerë në Parlament.

Në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore, i ngritur me vendim të Kuvendit, në seancën e fundit plenare, do të përfaqësohen të gjitha partitë e vogla parlamentare.

Sipas vendimit të Kuvendit, komisioni i reformës zgjedhore, do të përbëhet nga 10 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita dhe do të drejtohet nga dy bashkëkryetar, demokrati Ilir Rusmali dhe socialisti Damian Gjiknuri.

Komisioni është i detyruar të zhvillojë diskutime dhe konsultime me parti që kanë marrë më shumë se 1% të votave, me përfaqësues të shoqërisë civile.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›