Lufta civile tek e majta bllokon edhe buxhetin e Bashkisë së Korçës

“Mimi Kodheli flet dhe eksitohet për bashkime votash PD-LSI, ndërkohë që vetë Kryetari i Bashkisë së Korçës ka pranuar publikisht se nuk ka pasur votim, si pasojë e mungesës së pjesëmarrjes, dhe ka pohuar po vetë që këshilltari i PAD-së, që bënte diferencën në këtë këshill, nuk ka marrë pjesë në votim”
Rivaliteti i egër mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka bllokuar edhe projektbuxhetin e Bashkisë së qytetit të Korçës. Nisur nga balancat e brishta politike, 18 me 17 në favor të së majtës, këtë herë bojkoti dhe jo vota kundër në votimin e djeshëm e këshilltarëve të LSI-së por edhe atyre të PD-së ka rezultuar vendimtar në mosvotimin e këtij projekti për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm.
Kjo është pranuar nga vetë Kryetari i Bashkisë së Korçës, përfaqësues i Partisë Socialiste, Niko Peleshi, sipas të cilit votimi i djeshëm i projektbuxhetit “mori doza politike për shkak të bashkimit të qëndrimit politik të PD-së dhe LSI-së. Dy prej tre këshilltarëve të LSI-së nuk pranuan të bëheshin pjesë e votimit. Së bashku me përfaqësuesit e PD-së bojkotuan mbledhjen duke bërë që të humbte kuorumi për të votuar projektbuxhetin. Nga 35 anëtarë të këshillit Bashkiak, 18 anëtarë përfaqësues të PD-së dhe dy të LSI-së bojkotuan mbledhjen duke bërë që votimi të dështonte. Vota kundër e LSI-së ishte e paralajmëruar. Dy përfaqësues të LSI-së, Petrit Vasili dhe dikush tjetër vizituan këtë fundjavë Korçën dhe kanë diskutuar mbi projektbuxhetin”, deklaroi Peleshi.
Mimi Kodheli e PS-ës
Edhe më i ashpër ka qenë reagimi i selisë qendrore të PS-së.
Zëdhënësja e Kryesisë, Mimi Kodheli, deklaroi dje se “pas Tiranës edhe Korça bëhet peng i interesave të oborrit të Ilir dhe Monikës.
“Edhe në Korçë Ilir Meta grisi kontratën e 18 shkurtit 2007 dhe riktheu vitin 2005 duke na treguar dhe njëherë se mes PS dhe PD ai ka zgjedhur Berishën, njësoj si në 2005. Mes nevojave të qytetarëve e mllefit politik, ai ka zgjedhur politikën e mllefit si në 2005. Sot Ilir Meta u bashkua me Sali Berishën për të rrëzuar buxhetin e qytetarëve të Korçës. Pas Tiranës edhe Korça bëhet peng i interesave të oborrit të Ilir dhe Monikës. Edhe në Korçë Ilir Meta grisi kontratën e 18 shkurtit 2007 dhe riktheu vitin 2005 duke na treguar dhe njëherë se mes PS dhe PD ai ka zgjedhur Berishën, njësoj si në 2005. Mes nevojave të qytetarëve e mllefit politik, ai ka zgjedhur politikën e mllefit si në 2005. Mes të ardhmes e të shkuarës, ai ka zgjedhur interesat dritëshkurtra që sollën Sali Berishën në pushtet në 2005”, deklaroi Kodheli. Në këtë kuadër ajo ka apeluar ndaj “socialistëve që me idealizëm e pasion e ndoqën mbrapa Ilirin në 2005, që të kuptojnë se sot është dita e bashkimit të ri për të ardhmen dhe e ndarjes me politikën e dasive të vjetra të së shkuarës”.
Petrit Vasili i LSI-së
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj këtyre akuzave.
“Është e qartë, se e gjithë kjo tymnajë krejtësisht qesharake dhe butaforike nuk ka si qëllim të mbrojë buxhetin e Korçës dhe qytetarët e këtij qyteti, por kërkon të krijojë një fokus të ri artificial dhe të tërheqë vëmendjen nga problemet e rënda dhe shpërdorimet e mëdha të buxhetit të 2008-ës nga Bashkia e Tiranës”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. Sipas Vasilit në Bashkinë e Korçës, apo në Këshillin Bashkiak të saj, nuk ka pasur asnjë votim për arsyen e thjeshtë, se nuk është arritur kuorumi, më thjesht numri i nevojshëm i pjesëmarrësve i këshilltarëve për votim për arsye se këshilltari i Aleancës Demokratike që bën pjesë në grupin e majtë, nuk mori pjesë në votim. Në këtë drejtim ai e cilësoi si qesharake pozicionin e zëdhënëses së Ramës, Mimi Kodheli e cila sipas Vasilit “flet dhe eksitohet për bashkime votash PD-LSI, ndërkohë që vetë Kryetari i Bashkisë së Korçës ka pranuar publikisht që nuk ka pasur votim si pasojë e këtij kuorumi të nevojshëm dhe njëkohësisht ka pohuar po vetë që këshilltari i PAD-së, që bënte diferencën në këtë këshill, nuk ka marrë pjesë në votim”.
...